Cikël poetik nga Avdush Canaj
POEZITË E DRURËVE
Gjethet
bien
bien poezitë e drurëve.
Era i lexon
dhe qesh
me muzikën nëpër gishta.
Një libër
bën me to
pėr vjeshtën e lirikave.
MOTËR E YJEVE
(Variant)
Nëpër shkallët e vizatuara
hipi çupëlina hënë,
hipi shpejt e shpejt.
Me një shportë qershi
t`i gëzojë yjet e qiellit
me kapela drite.
Dhe ata u ëmbëlsuan,
ia falën nga një puthje,
puthje ylloshe
si për ditën e lindjes.
Kur deshi të kthehet
shkallët ia kishte fshirë era!
Era, kjo hajneshë e pyllit.
U bë motër e yjeve
edhe përrallë
të na tregojnë gjyshet,
në prehër të gjumit.
DËNESTE LOTI
Në aeroportin e ndarjes
Dëneste loti.
E dëgjova zemrën kur i tha
Prapë vjen motra
Me verën në ballkon.
Vjen motra prapë.
SHITJE
Shes stilografin
për një litër qumësht
e pak bukë.
Ngjyrën e jap falas.