Vlora Obertinca: Ndjenja e dashurisë për vetveten
“Ne jemi reflektim i mendimeve tona të brendshme dhe anasjelltas, në bashkëpunim me njerëzit e tjerë, përmes shkëmbimit të informatave të ndërsjella. Përmes mendimeve ne, jo vetëm krijojmë realitete të reja, por edhe perceptojmë rrethin në të cilin jetojmë”, Dr. Vlora Obertinca.
Shpeshherë më ndodh që, kur takohem me shoqëri, më komplimentojnë shumë dhe më pyesin se çfarë po bëj, që nuk po plakem, madje po dukem shumë bukur dhe dita-ditës po rinohem. Sinqerisht unë nuk kam asnjë sekret përveç se ndihem shumë e re brenda vetes dhe mendoj dhe besoj se jam e re dhe e bukur, andaj edhe e dua veten, sa herë që e shoh në pasqyrë.
Sipas disa studimeve të universitetit të Havardit, ndjenja e dashurisë për veten, ndikon pozitivisht në gjendjen emocionale dhe psikologjike të njeriut. U bë ky eksperiment: U morën dy grupe. Njëri grup kishte besimin se ishte i ri dhe i bukur, edhe pse mosha ishte më e vjetër nga ajo që ata e kishin në realitet, ndërsa grupi tjetër besonte se, për moshën që kishin, dukeshin më të vjetër dhe nuk e donin veten e tyre. Parametrat fizikë të matjeve treguan rezultate domethënëse, duke dëshmuar se grupi që besonte se ishte më i ri nga mosha që kishin, edhe matjet fizike të duarve dhe të gishtërinjve, ashtu edhe rezultuan, bie fjala përkonin me moshën më të re.
Kurse grupi tjetër, që besonte se pamja e tyre dukej më e vjetër nga mosha që kishin, edhe parametrat e matjeve të organeve trupore përkonin me mendimin e tyre, duke rezultuar me parametra fizikë më të vjetër. Edhe pse këto rezultate shkencore tingëllojnë paradoksale, janë të vërteta.
Unë, personalisht, nuk kam kaluar nëpër matje të tilla shkencore, por mendimet e njerëzve për pamjen time dhe mënyra se si mendoj për veten time, më bën të besoj se secili prej nesh mund t’i arrijë këto rezultate duke përmirësuar mënyrën e të menduarit, duke e dashur veten pa kushtëzime, duke e ndryshuar mendimin për veten, prej mendimit negativ në atë pozitiv. Ndryshimi do të vijë patjetër, pavarësisht sa jeni të qëndrueshëm dhe të paluhatshëm në mendimet tuaja, sepse fuqia e mendjes, gjegjësisht fuqia e besimit bën mrekulli të papritura, në kuptimin pozitiv të fjalës.
Fragment nga libri i autores, titulluar “Vera e shpirtit”.
Please follow and like us: