Albspirit

Media/News/Publishing

Izraeli: Pranimi i armëpushimit nga Hamasi është një mashtrim

Organizata militante palestineze Hamas ka miratuar një propozim për një armëpushim në luftën e Gazës të paraqitur nga ndërmjetësit, Egjipti dhe Katari, sipas një postimi në kanalin zyrtar Telegram të Hamasit, sot në mbrëmje.

Në deklaratën e Hamasit thuhet se kreu i Byrosë Politike të Hamasit Ismail Haniyeh “telefonoi kryeministrin e Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani dhe ministrin egjiptian të inteligjencës Abbas Kamel, duke i informuar ata për pranimin e propozimit të tyre për një marrëveshje armëpushimi nga Hamas”.

”Topi është tani në fushën e Izraelit”, tha një përfaqësues i Hamasit i cituar nga mediat ndërkombëtare pasi lideri Ismail Haniyeh bëri të ditur se fraksioni islamik “pranon” propozimin e ndërmjetësimit nga Katari dhe Egjipti për armëpushimin në Gaza.

“Ne kemi rënë dakord për një armëpushim gjashtëjavor”, tha një burim i Hamasit pasi u ra dakord për kushtet e armëpushimit.

Por, ministri izraelit i Ekonomisë, Nir Barkat, duke u takuar me shtypin italian në Romë, tha se në fakt “Hamasi nuk e pranoi marrëveshjen. Është mashtrimi i tyre i zakonshëm”.

Për më tepër, një zyrtar izraelit shpjegoi për faqen e internetit Ynet se ai i pranuar nga Hamasi është “një propozim i njëanshëm pa përfshirjen e Izraelit. Ky nuk është drafti që diskutuam me egjiptianët”.

“Ky është një veprim i Hamasit që synon ta paraqesë Izraelin si refuzues të marrëveshjes”, shtoi ai.

Një tjetër burim izraelit e quajti njoftimin e Hamasit “të papranueshëm”.

Dhe një gazetar izraelit nga Axios, Barak Ravid, shkroi në X se Izraeli mori përgjigjen e Hamasit për propozimin egjiptio-katar pak minuta më parë dhe po e shqyrton atë.

Pak orë më parë grupi kishte njoftuar një pezullim të negociatave në Kajro.

“Ne kemi vendosur të pezullojmë negociatat për armëpushim pas konsultimit me pjesën tjetër të fraksioneve palestineze”, tha një burim i Hamasit për Skynews Arabia.

“Vendimi është që të shtyhet kthimi i delegacionit negociator në Kajro në pritje të raporteve për përpjekjet e ndërmjetësve”, raporton Skynews për mundësinë e frenimit të krizës.

Dhe ndërkohë “mijëra” banorë të Rafahut po largohen nga pjesa lindore e qytetit që ndodhet në jug të Rripit të Gazës./atsh

Please follow and like us: