Albspirit

Media/News/Publishing

Escobar: Asociacioni i komunave dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës janë të lidhura

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se Kosova dhe Serbia dështuan të përmbushin detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve e vitit të kaluar, ndërsa paralajmëroi se kjo mund t’i kushtojë Kosovës me dështim në përpjekjet për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

“E di që ka shqetësime mes vendeve anëtare se Asociacioni dhe disa çështje që kanë të bëjnë me pakicën serbe, nuk janë përmbushur. Kjo është ajo që po nxit shqetësimin se Kosova mund të mos i ketë votat për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, tha zoti Escobar, duke theksuar se qëndrimi i Uashingtonit është se Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë për këtë.

“Sa i përket integrimit evropian, mendoj se është e rëndësishme për Kosovën që të dëgjojë partnerët e saj evropianë dhe të punojë me partnerët evropianë, teksa ne forcojmë kandidaturën e Kosovës për të gjitha strukturat euroatlantike”, theksoi zoti Escobar.

Më herët të mërkurën, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se nuk do të pranojë kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit, duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ndodhë në Bruksel dhe jo në Strasbourg.

“Mendoj që janë shumë të lidhura. E para është se Këshilli i Evropës ka të bëjë me trajtimin e pakicave dhe Kosova ka bërë zotime të qarta për trajtimin e pakicave dhe kjo përfshinë edhe Asociacionin”, tha zoti Escobar, duke theksuar se ky përkushtim është pjesë e planit të Martti Ahtisaarit dhe marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

“E kemi të vështirë të kuptojmë përse Kosova nuk përmbushë detyrimet e saj ligjore dhe nuk ka dhënë shenja që është e gatshme ta bëjë këtë”, tha ai.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në përfundim të mandatit të tij, ai fajësoi Kosovën dhe Serbinë për mos përmbushjen e detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit e vitit të kaluar me të cilën palët u pajtuan për zbatimin e të gjitha elementeve të zbatueshme.

“Për Kosovën, kjo nënkupton Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe për Serbinë të mos bllokojë rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike dhe organizatat ndërkombëtare. Fatkeqësisht, dyja palët kanë dështuar ta respektojnë këtë angazhim, por besoj që kur t’i kthehemi kësaj marrëveshje, që përfshin shumë nga marrëveshjet e Brukselit, rajoni do të jetë në pozitë më të mirë dhe dyja vendet do të kenë marrëdhënie të normalizuara, të parashikueshme dhe paqësore me njëra tjetrën”, tha zoti Escobar, duke theksuar se për këto çështje ka diskutuar edhe me të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ndodhet në Uashington, përfshirë çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë, për të cilën palët janë duke negociuar në Bruksel.

Ai theksoi ndërkaq se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit do të nënkuptonte përfitime për të dyja palët. Kosova, tha ai, do të përfitonte njohje të reja, Partneritetin për Paqe, kandidaturën për (anëtarësim) në BE, dialog për partneritet dypalësh strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe një konferencë donatorësh. Për Serbinë, po ashtu si përfitim do të ishte organizimi i një konference donatorësh, zgjidhje më e shpejt për Kapitullin 35 të bisedimeve për anëtarësim në BE, si dhe investime shtesë për të dyja palët.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe ndonëse aspiron integrimet evropiane, ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. Shumë diplomatë perëndimorë janë të shqetësuar se Rusia mund të përpiqet yte destabilizojë rajonin e Ballkanit për të shmangur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

Zoti Escobar tha se do të ishte gabim që Rusia të shihet si shkaktare e problemeve në Ballkan por nënvizoi se Rusia i shfrytëzon këto probleme.

“Më zgjidhjen e problemeve do t’i mbyllnim mundësitë për Rusinë që të përzihet në rajon. Por ata do të provojnë”, tha ai, duke theksuar se Serbia është e mirëpritur në familjen transatlantike “por ka kushte për këtë” siç janë ripajtimi, sundimi i ligjit dhe marrëdhëniet paqësore me fqinjët.

Zoti Escobar paralajmëroi ndërkaq për agjendën kineze kundrejt komunitetit euroatlantik, duke ju referuar vizitës së presidenti kinez Xi Jinping në Serbi dhe në Hungari.

“Vendet që zgjodhi për t’i vizituar janë të hapura për të sfiduar unitetin e komunitetit euro-atlantik”, tha zoti Escobar.

Shkrimet për shkarkimin tim – dezinformata

Zorti Escobar tha ndërkaq në përmbyllje të bashkëbisedimit se shkrimet e fundjavës për “shkarkimin e tij” janë “dezinformata” të prodhuara nga “një i ashtuquajtur gazetar”.

Themeluesi i platformës pak të njohur digjitale ‘Frontliner’, Vedat Xhymshiti, shkroi se diplomati Escobar është larguar nga detyra për shkak të lidhjeve financiare të familjes së tij me institucione shtetërore serbe, respektivisht të bashkëshortes së zotit Escobar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë si dhe një kontrate ligjore ndërmjet Republikës Serbe dhe zyrës ligjore amerikane McGinnis Lochridge më 2019, ku sipas Xhymshitit partner është një familjar i zotit Escobar.

“Dua të them drejtpërdrejt se çdo gjë në atë raportim është gënjeshtër dhe vërtetueshëm gënjeshtër”, tha zoti Escobar, duke theksuar se raportimet dolën pasi, siç tha, kontaktoi me qeveritë në rajon për të diskutuar lidhur me tranzicionin.

“Ky raportim doli pak kohë pasi unë komunikova me qeverinë e Kosovës”, tha zoti Escobar, duke nënvizuar se kjo formë e dezinformimit është një nga arsyet përse sfondi medial në Kosovë, është kritikuar nga gazetarët e pavarur dhe organizatat e pavarura.

Më herët gjatë javës Departamentit amerikan i Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Zv/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar nuk është shkarkuar, por do të lëvizë gjatë javëve në vijim për një detyrë tjetër në shërbimin diplomatik amerikan, në kuadër të një rotacioni të planifikuar prej kohësh.

Please follow and like us: