Turneu Shqipëri-Kosovë i kompozitorit shqiptar me famë botërore, Thoma Simaku
Kompozitori shqiptar me famë botërore Thoma Simaku, i cili prej 30 vitesh jeton dhe punon në Angli, gjatë muajit maj bëri një vizitë në Shqipëri dhe Kosovë, ku u zhvilluan një seri aktivitetesh për muzikën e tij.
Më 6 maj, kompozitori vizitoi qytetin e Shkodrës me rastin e koncertit ‘Shkodra nën tingujt e filmit shqiptar’ të Filarmonisë së qytetit i drejtuar nga Jetmir Barbullushi, ku u interpretua dhe muzika e tij nga filmi ‘Duaje Emrin Tënd’.
Më 8 maj, në Akademinë e Shkencave në Tiranë u zhvillua Lectio Magistralis ‘con-ri-sonanza’, ku u promovuan dy albumet e tij të fundit të publikuar nga shtëpitë diskografike nga më prestigjozet në Evrope, BIS Records (Suedi) dhe NMC Recordings (Angli). I organizuar nga Qendra e Studimit të Arteve, ky aktivitet u moderua nga Prof. Asoc. Dr Edmond Buharaja. Biseda u ndoq me mjaft interes nga dashamirës të muzikës, kompozitorë të rinj, studentë dhe pedagogë të Universitetit të Arteve.
Lectio Magistralis në Akademinë e Shkencave në Tiranë – 8 maj 2024
“Pesë vjet më parë, po në këtë sallë, ne zhvilluam Akademinë e parë në Shqipëri për kompozitorët e rinj, “TIRANA COMPOSITION ACADEMY” me pjesëmarrjen e solistit të Ensemble Intercontemporain të Parisit Jérôme Comte, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës së Francës në Tiranë. Kjo akademi pati mjaft sukses, por, fatkeqësisht, tani më 2024, me gjithë interesimin e vazhdueshëm të kompozitorëve të rinj, nuk kemi patur një edicion të dytë të kësaj akademie, aq të nevojshme për kompozitorët e rinj shqiptarë nga i gjithë rajoni!” – u shpreh Simaku, professor i kompozicionit në Universitetin e York – ut në Angli.
Ligjeratë me studentë dhe pedagogë te Faklutetit të Arteve në Pejë më 18 maj
Ligjeratë me studentë dhe pedagogë te Faklutetit të Arteve në Prishtinë më 20 maj
“Emocion të veçantë pata në vizitën që bëra në Kosovë mbas 20 vjetësh. Veprimtaria filloi me një bisedë për krijimtarinë e kohëve të fundit me studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Pejës, ku përveç albumit të fundit me solistët e Ensemble Intercontemporain të Parisit, fola dhe për rëndësinë e muzikës në film, duke e illustruar me kolonën zanore të filmit “Duaje Emrin Tënd” – thotë kompozitori.
Në ligjëratën në Universitetin e Prishtinës, kompozitori Simaku u ndal në ciklin Soliloquy, të cilin e nisi me Soliloquy I për violinë para 25 vjet më pare dhe që vazhdon deri më sot me Soliloquy X. Gjithashtu ai foli në detaje për kompozimin e veprës Soliloquy V Flauto Acerbo’ – fituese e Çmimit BASCA nga Akademia Britanike e Kompozitorëve, të cilën juria e cilësoi si një vepër “vizionare dhe krejtësisht origjinale”.