Albspirit

Media/News/Publishing

Poezia e Eseninit vjen në shqip nga Arqile Garo

Sergej Esenin: NJË KALTËRSI E BUTË
Një kaltërsi e butë që nuk përshkruhet,
natyrë e qetë, siç pas stuhisë në verë,
dhe shpirti im i flakëruar nis e shuhet,
tek trëndafilave dhe mjaltit, u marr erë.
I qetë dhe unë. Koha ka bërë punën e vetë,
por për sa shkuan nuk trishtohem as mallkoj,
si kuajt e një trojke që gjëmuan si tërmet,
dhe brodhën botën me shkëndijat nën potkoj.
Që pluhur përreth ngritën. Që lanë gjurmë.
Që treten fërshëllimat djallëzore.
Dhe përmbi pyll, akoma sot, plot zhurmë,
ndihen si gjethe, q’ i shkund bryma mëngjesore.
Një paralajmërim? Jehonë që vjen nga larg?
Të tërë këtu mbajnë frymën qetësisht.
Por ne me ju u bëmë një rresht, një varg,
shtigjeve të stuhishme, mrekullisht.
Le t’ i shikojmë me radhë ç’ kemi jetuar,
ç’ u bë dhe çfarë nuk ndodhi në k’ të vend,
të falim gjithë ata që rëndë na kanë shituar,
a patën faj ata, a ne nuk kishim mend.
Pranoj që gjërat kështu janë, vërtetë,
por më vjen keq që as tridhjetë pa shkuar,
unë që kaq pak kërkova në këtë jetë,
mes tymit të tavernës jam harruar.
Por lisi i ri hedh rrënjë dhe çelet prapë një ditë,
pa, jeshilon si bari në bregore…
Oh, ti rini e vrullshme me guxim plot dritë,
e artë dhe madhështore!
1925
Shqipëroi: Arqile Garo,
shtator 2020.
———————————

Kush ishte Sergej Esenin?

Në çastet e fundit të jetës Esenini shkroi poezinë “Lamtumirë miku im” me gjakun e tij. Ai ishte një gjeni i poezisë dhe shkëlqeu aq shumë me vargjet e tij. Por ishte vetëm 30 vjeç kur e la këtë botë, i lodhur e i dërmuar nga gjithçka kishte jetuar…

…Sergej Esenin u lind në 3 tetor 1895 dhe u nda nga jeta më 28 dhjetor 1925. Ai ishte poet lirik rus dhe njihet si një nga poetët më të famshëm dhe të mirënjohur të shekullit të 20-të. Sergej Esenini u lind në Konstantinovo në Ryazan Governorate të Rusisë Perandorake në familje fshatare. Ai e kaloi shumicën e fëmijërisë së tij me gjyshërit, të cilët esencialisht e edukuan atë. Ai filloi të shkruante poezi që në moshën 9 vjeçare. Në vitin 1912, Esenini u zhvendos në Moskë, ku i mbulonte vetë shpenzimet duke punuar si korrektor teknik në një kompani printimi. Një vit më pas regjistrohet në Moscow Charnyavsky University si një student i jashtëm dhe studioi atje për një vit e gjysmë. Poezitë e tij të hershme u inspiruan nga folklori rus. Në 1915, ai u zhvendos në Petrograd, ku u njoh me poetë si Alexander Blok, Sergey Gorodetsky, Nikolai Klyuev, Abdreu Bely dhe u bë i njohur në rrethin letrar. Bloku i dha ndihmë të veçantë në promovimin e karrierës së hershme si poet. Esenini tha se Bely i dha atij kuptimin e formës, ndërsa Bloku dhe Klyeuvi ia mësuan lirikën.

Karriera

Në vitin 1916, Esenini publikoi librin e tij të parë me poema, ‘Radunitsa’. Përmes këtij koleksioni therës poetik mbi dashurinë dhe jetën e thjeshtë, ai u bë një nga poetët më të famshëm të atyre ditëve. Martesa e tij e parë ishte në vitin 1913 me Anna Izryadnova, një bashkëpuntore nga një shtëpi botuese, me të cilën pati një djalë, Yuri. Nga viti 1916 në 1917, Eseninit iu ngarkua një detyrë ushtarake, por shpejt pas Revolucionit të tetorit të vitit 1917, Rusia u largua nga Lufta e Parë Botërore. Duke besuar se revolucioni do të sillte jetë më të mirë, Esenini e mbështeti atë, por shpejt u zhgënjye nga kjo. Ai nganjëherë i kritikonte rregullat bolshevike në poemat e tij “Tetori i ashpër më mashtroi”. Në gusht të vitit 1917 Esenini u martua për herë të dytë me Zinaida Raikh (më vonë aktore dhe gruaja e Vsevolod Meyerhold). Ata patën dy fëmijë, vajzën Tatyana dhe djalin Konstantin. Prindërit u grindën dhe jetuan ndaras për një kohë deri në divorcin e tyre në 1921. Tatyana u bë një shkrimtare e njohur dhe Konstantini do të bëhej një refer futbolli. Në shtator 1918, Esenini themeloi shtëpinë e vet botuese “Kompania e punës së artistëve të botës”. Bashkë me Anatoly Merienhof themeluan një lëvizje ruse të imagjinizmit. Në fund të 1921, ndërsa vizitonte studion e piktorit Georgi Yakulov, Esenini takoi valltaren amerikano-pariziene Isadora Duncan. Ata u martuan më 2 maj 1922. Esenini e shoqëroi gruan e tij të famshme në një udhëtim në Europë dhe në SHBA. Martesa e tij me Duncan ishte e shkurtër dhe në maj të vitit 1923, ai u kthye në Moskë. Në 1923 Esenini u përfshi romantikisht me aktoren Augusta Miklashevskaya, të cilës i dedikoi disa poema. Të njëjtin vit ai pati një djalë me poeten Nadezhda Volpin. Djali i tyre, Alesander Esenin-Volpin u rrit për t’u bërë poet dhe aktivist i përhershëm në lëvizjen disidente sovjetike të viteve ‘60. Në 1925 Esenini e takoi dhe u martua me gruan e tij të katërt, Sophia Andreyevna Tolstaya, mbesa e Tolstoit. Ajo u përpoq që t’i rrinte afër dhe ta ndihmonte poetin brilant, por tashmë ishte tepër vonë pasi Esenini vuante nga sindroma të renda manjako-depresive, duke u shtruar për kurim një mujor në një klinikë psikiatrike.

Vdekja

Ndërsa del nga klinika vetëm për disa ditë me rastin e Krishtlindjeve, ai pret damarët dhe me gjakun e tij shkruan poezinë e Lamtumirës dhe të nesërmen në mëngjes gjendet i vetëvrarë në tubat e ngrohjes në tavanin e dhomës se tij në Hotel Angleterre, kur sapo kish mbushur 30 vjeç. Ishte 28 dhjetor 1925, Esenini shpjegoi se nuk kishte bojë në dhomë, kështu që ai e shkroi poezinë me gjakun e tij. Sipas versioneve që njihen tashmë ndër hulumtuesit akademikë të jetës së Eseninit, poeti ishte në gjendje depresioni. Pas funeralit në Union në Leningrad, trupi i poetit u transportua me tren në Moskë, ku u organizua një lamtumirë për të afërmin e miqtë e tij. Ai u varros më 31 dhjetor 1925, në varrezën Vagankosvkoye të Moskës. Varri i tij shënohet nga një skulpturë e bardhë mermeri.

Ekziston një teori se vdekja e Eseninit ishte aktualisht një vrasje nga agjentët e NKVD-së (paraardhësit e KGB-së) të cilët e bënë të dukej si vetëvrasje. Novela “Yesenin” publikuar nga Vitali Bezrukov i dedikohet këtij versioni të vdekjes. Në 2005 seriali televiziv “Sergey Yesenin” i bazuar në novelën e tij u shfaq në Channel One Russia. Filmi u kritikua nga ekspertët mjeko-ligjorë të cilët thanë se argumentet ishin të pabazë.

Ndikimi

Vetëvrasja e Eseninit shkaktoi një epidemi vetëvrasjesh nga fansat e tij kryesisht femra. Edhe pse ai ishte një nga poetët më të shquar të Rusisë dhe iu bë një funeral i madh nga shteti, shumica e shkrimeve të tij u ndaluan nga Kremlini gjatë regjimit të Stalinit dhe Hrushovit. Kritikat e Nikolai Bukharinit ndikuan dukshëm në ndalimin e tyre. Vetëm në vitin 1966 shumica e punës së tij u ripublikua. Sot poezitë e Eseninit mësohet në shkollat ruse, shumë prej tyre janë të shoqëruara me muzikë dhe të regjistruara si këngë të famshme. Tanimë universiteti shtetëror i Ryazanit mban emrin e tij. Në 2005 studioja ruse Pro-Cinema Production prodhoi një mini seri televizive “Yesenin” mbi jetën e poetit. Filmi përshkruante versionin e vdekjes së tij sipas së cilit ai u vra nga agjentët e NKVD-së të cilët e bënë të dukej si vetëvrasje. Poezia e fundit e Sergei Eseninit ishte inspirimi kryesor për këngën  “Ishte e shkruar në gjak” nga Bring Me The Horizont në albumin e tyre “Sezoni i vetëvrasjes”. Sot Sergei Esenini lexohet akoma nga miliona njerëz në tërë boten dhe shumë nga poezitë e tij janë kthyer në këngë popullore ruse. Vdekja e tij e parakohshme, antipatia që kishte ndaj tij e ashtuquajtura elitë, adhurimi nga njerëzit e zakonshëm dhe sidomos sjellja e tij sensacionale deri tej limiteve, e kthyen popullaritetin e tij artistik dhe vetë Eseninin në një figure popullore mitike.

 

Lamtumirë miku im

 

Miku im i shtrenjtë, lamtumirë!

Ty këtu në shpirt të kam, ta dish!

Fati po na ndan sot pa dëshirë,

Po diku do shihemi sërish!

 

Lamtumirë mik, pa fjalë e lotë!

Vetullat ti ngrysësh, s’ka përse.

Vdekja s’është gjë e re në botë.

As të rrosh nuk është gjë e re.

Please follow and like us: