Albspirit

Media/News/Publishing

Afrim Gashi zgjidhet kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut

Në Maqedoninë e Veriut, në seancën e konstituimit të parlamentit pas zgjedhjeve të 8 majit, Afrim Gashi i koalicionit ‘Vlen’ u zgjodh të martën për kryetar të ri të parlamentit të vendit.

Zgjedhja e tij si pjesë e marrëveshjes me partinë VMRO-DPMNE pritet të pasojë formimin e shpejtë të qeverisë midis dy koalicioneve. Presidentja e vendit, brenda një afati prej dhjetë ditësh duhet t’ia dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë së re kreut të VMRO-së, Hristijan Mickovski.

Afrim Gashi i partisë Alternantiva që bën pjesë në koalicionin Vlen u zgjodh kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut me 76 vota të deputetë e rinjë, ndërsa gjashtë ishin kundër.

Para zgjedhjes së tij, gjashtë ligjvënësit e partisë nacionaliste “E Majta” debatuan ashpër duke kundërshtuar zgjedhjen e një shqiptari për kreun e parlamentit të vendit. “E Majta” thotë se shteti po shkon drejt një sistemi dykombësh duke zgjedhur me “çelës etnik” dhënien e postit të kreut të parlamentit një jomaqedonasi.

Zoti Gashi para pak ditësh dha dorëheqjen nga kreu i partisë Alternativa, pasi kryetari i parlamentit, sipas kushtetutës nuk mund të jetë edhe kryetar i një partie politike.

Gjatë fjalimit pas marrjes së detyrës ai tha se do të angazhohet që secili deputet të gëzojë të drejtën e shpehjes.

Parlamenti, fillimisht bëri verifikimin e mandateve të deputetëve të rinj. Seancën e konstituimit e drejtoi ligjvënësja Merita Koxhaxhiku e koalicionit ‘Vlen’ si deputetja më e vjetër në moshë. Seanca e konstituimit të parlamentit, sipas rregullave mund të zgjaste deri në tre ditë.

Zgjedhja e zotit Afrim Gashi për kryetar të parlamentit do t’i hapë rrugën formimit të shpejtë të koalicionit qevertisës në mes VMRO-DPMNE-së dhe koaicionit Vlen. VMRO-ja ka 58 ligjvënës dhe me 14 ligjvënësit e koalicionit “Vlen” formojnë një shumicë të qëndrueshme në parlamentin prej 120 vendesh.

Shumicës së re parlamentare mund t’i bashkohet partia “Znam” e kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Ligjvënsit e saj votuan sot pro zgjedhjes së zotit Gashi. Zyrtarët e VMRO-së dhe të “Znam”-it po bisedojnë për bashkimin e kësaj partie në koalicionin qeveritar. Ajo ka gjashtë deputetë dhe në rast të hyrjes në qeveri, shumica e re parlamentare do të kishte 78 ligjvënës, dy më pak se dy-të-tretat.

Bashkimi Demokratik për Integrim pas mbi 20 vjetësh në pushtet kalon në opozitë. BDI vazhdon të pretendojë se si partia që ka siguruar shumicën e votave të shqiptarëve, duhet të ishte ajo pjesë e kioalicionit qeverisës. Ndërkohë, Lidhjen Social Demokrate, pas humbjes së thellë në zgjedhjet parlamentare të para tre javëve, e presin sfida të reja. Ajo pritet të ketë një kryetar të ri pas dorëhejes së zotit Dimitar Kovaçevski.

Please follow and like us: