Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Adem Demaçi–Hero i Kombit

 

 

E them me plot bindje, se jemi me fat që ne si popull kemi pasur një figurë e personalitet si Adem Demaçi, i cili në asnjë rrethanë, në asnjë moment nuk bëri kompromis asnjëhërë dhe me askënd, kur ishte çështja për popullin dhe atdheun!

Një figurë titanike, e cila  do mbetet e skalitur fort në memorien e kombit dhe brezave që do të vijnë pas!

Në këtë libër të radhës të autorit të nderuar Selatin Novosella, të titulluar: “Rexhep Qosja  për  Adem Demaçin”- del edhe një herë në pah, vlerësimi i lartë i profesor Qoses për Demaçin, si një veprimtar i shquar, simbol i rezistences sonë kombëtare, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë.

Po ashtu, jemi me fat që autori i nderuar, z. Novosela, që e kemi këtu në mesin tonë, ka qenë një nga bashkëpunëtorët e afërt të Demaçit, bashkëvuajëtës në burgjet e regjimit serb, një njeri që gjithë jetën e tij ia kushtoi çështjes shqiptare, një njeri që e përjetësoi me punën e tij intelektuale, çdo hap, sakrificë e frymëmarrje të Demaçit, për këtë popull e për këtë vend.

Ky angazhim i pashoq dhe punë kolosale e autorit për të nxjerr në pah figurën e Demaçit, karakterin, vendosmërinë, guximin e tij, e bën të pavdekshë dhe e sjell të gjallë për brezat që do të vijnë, duke iu dhënë një shembull se si luftohet, si punohet e si duhet populli dhe vendi yt.

Ashtu siç i quan  autori: “Binomi Adem Demaçi dhe Rexhep Qosja”, gjatë veprimtarisë dhe angazhimit të tyre ndër vite për rreth pesë dekada, ata kanë ndërvepruar dhe ruajtur një respekt të ndërsjelltë, duke u bërë shembull për të  gjithë ata intelektualë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, që nuk kursyen asgjë për vendin dhe lirinë e tij.

Qosja e sheh figurin e Demaçit, si një figurë frymëzuese, një personalitet me parime shume të forta, i cili ka lënë një ndikim të pashlyeshëm në shoqërinë dhe historinë tonë kombëtare.

Ai e ka vlerësuar Demaçin-si një autoritet të pakrahasuar dhe një zë të  guximshëm e të ndershëm në historinë e Kosovës.

Autori në librin e tij, është përpjekuar të sjell për lexuesin pothuajse çdo sekuencë, çdo vlerësim, çdo ndërveprim të dy titanëve për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare.

Qosja, me mendimet dhe respektin e tij për figurën e Demaçit, është përpjekur që në vecanti të theksojë kontributin e tij për liri e pavarësi  dhe promovimin e kulturës dhe identitetit tonë kombëtar.

Ai, po ashtu, ka vënë në dukje guximin e Demaçit për të thënë gjithmonë të vërtetën dhe sakrificat e tij të shumta në emër te lirisë dhe të drejtave të njeriut.

Demaçi, si një figurë shumë dimensionale, vjen edhe në këtë botim i dokumentuar e i plotësuar si një personalitet që me perpjekjet e tij ka promovuar bashkimin kombëtar.

Si Rexhep Qosja, ashtu edhe autori ynë i nderuar, Selatin Novosela, në dokumentimin dhe vlerësimin e jetës dhe veprës së figurës së Adem Demaçit, i kanë dhënë një dimension tjetër, duke e bërë atë të njohur për brezat e ardhshëm, si një hero kombëtar dhe një figurë frymëzuese për historinë tonë.

Do doja të përmendja një sekuencë të shkëputur nga libri, ku Rexhep Qosja, në fjalën e tij për nder të 60-vjetorit të lindjes së bacës Adem, 26 shkurt 1996: “Adem Demaci –Apostull i lirise”, shprehet: “Inteligjenca shqiptare nuk do të  bënte mirë të harronte se Adem Demaçi ka bërë burgje, kur shumë prej nesh kanë bërë karrierë politike a profesionale; ka folur me të madhe kur shumica prej nesh kemi heshtur; e ka thene të vërtetën, kur shumëkush prej nesh nuk ka përtuar të shkruaj dhe të shqiptoj gënjeshtra; ka qëndruar drejt kur shumë kush prej nesh është gjunjëzuar me qejf;ka mbrojtur të drejtën tonë për vetëvendosje , kur ne vetvendosjen e kemi shpallur të sendërtuar ose kërkesë armiqësore; ka folur për pavaresinë e Kosovës dhe të trojeve të tjera me shumicë shqiptare ,kur ne të tjerët jemi betuar në autonominë, si zgjidhje e çeshtjes së Kosoves për të gjitha kohët!

Ne fjalen e tij Qosja thekson: ” Ai jetoi pa brejtje të ndergjegjes. Pse jo? Ai ka jetuar me shumë vuajtje, por ai ka jetuar në pajtim me ndergjegjen e vet, në të vërtetë ne pajtim me vullnetin historik të popullit të vet. Burgjet shumevjeçare nuk e kanë nxitur dëshirën për hakmarrje të ai; as ndaj atyre që e kanë futur në burg, as ndaj atyre që janë pajtuar me burgosjen e tij: as, me në fund, ndaj atyre që në heshtje mortore i kanë kaluar ata 27 vjet e 8 muaj të burgjeve te tij! Adem Demaci, sot, as nuk mendon  e as nuk sillet si viktimë politike. Dhe, ai nuk mendon dhe nuk sillet ashtu –si viktime politike, sepse është një Hero Shpirtëror!”

Ky botim i radhes i autorit, në një përmbledhje të kujdesshme të vlerësimit të Qosjes për Bacen Adem , nxjerr edhe një herë në dritë, në një plan e rrafsh tjetër intelektual madhështinë e figures së Demaçit, si një personalitet që vjen në kohën dhe momentin e duhur ,për të qenë në shërbim dhe vetëmohim për të mirën e popullit dhe Atdheut!

Ky ishte Adem Demaçi, njeriu që me madhështinë, guximin, kurajon, trimërinë, ndërshmërinë, dashurinë e pakompromis për atdheun dhe kombin e tij, me përgatitjen e tij intelektuale na trasoi rrugën për të rezistuar e luftuar për Atdheun.

Ashtu siç e ka përshkruar edhe profesor Qosja: “Para vetes e para  botes sot mund të mburremi , para se gjithash me qendresën madhështore morale të Adem Demaçit.  E kjo është vepër që e lëviz ndërgjegjen tonë dhe, duke lëvizur ndërgjegjen, e lëviz historinë tonë!”

Nuk mund të kuptohet rezistenca jonë për liri e pavarësi, lufta jonë për të jetuar të lirë e të pavarur, pse jo edhe të bashkuar me Nënën Shqiperi, pa emrin, frymëzimin dhe idetë e të madhit Adem Demaçi.

Nuk mund ta përceptojmë këtë liri e pavarësi pa emrin e tij , pa sakrificat e panumërta të popullit tonë,pa  gjakun e të rënëve dhe  luften e Ushtrise Çlirimtare të Kosoves.

Dua ta përmbyll fjalën time me një thënie të  ish-Kryepeshkopit të Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Nik Prela i cili e cilëson Adem Demaçin – Krishti i Shqiptarëve

“A e keni parë Krishtin ndonjeherë? Ja, ky burrë, Adem Demaçi është Krishti vetë! Çka ka bërë Krishti me tepër se ky? 28 vjet burg i mbajti ky burrë. Të numerosh deri në 28 është shumë, e jo më 28 vite t’i mbash në burg”!

Duke ju falenderuar të gjithëve, një falenderim të veçantë e kam per autorin, z. Selatin Novosela, i cili ka bërë një punë kolosale, për të përjetësuar figurën dhe veprën e të ndriturit Adem Demaçit dhe duke mbushur njëherësh boshllëkun e Akademisë së Shkencave, e cila fatkeqësisht, deri me sot, ka dështuar të përmbush detyrimin e saj profesional dhe moral ndaj bacës Adem.

 

Çmimi Saharov për Adem Demaçin (1991) dhe Ibrahim Rugovën (1998)

Please follow and like us: