Koncerti panshqiptar shpalos bukurinë e muzikës së të gjitha trevave
Julika Prifti
Julika Prifti me presidentin Klinton
Koncerti ‘The Bright Lights of OriginAL’ u dha të mërkurën në sallën Town Hall në Manhattan ku disa vite përpara shkuara publiku kishte ardhur për shfaqjen e sopranos Inva Mula e pianistit Genc Tukiçi. Një shi i papritur dhe i furishëm pak përpara hapjes së dyerve e prishi disi atmosferën e gëzueshme dhe momentet për përqafime e bisedime të shkurtra mes të njohurve. Njerëzit u dyndën për të hyrë sa më parë brenda ndërtesës. Në hyrje nga ana ku shiten biletat ishte vendosur një tavolinë me fletushka OriginAl ku kishte informacion për aktivitetin që donin të sponsorizonin si edhe bileta e lista të njerëzve të ftuar. Tavolina pengonte hyrjen nga ai krah kështu që pas marrjes së biletës duhet të dilje në shi për t’u kontrolluar me metal ditektor, siç është bërë e zakonshme, për të hyrë në sallonin e madh e më pas në sallën e bukur me kolltuqe kadife të kuqe.
Pas një vonese më shumë se 30 minuta Avni Mustafaj, drejtues i Germin, përshëndeti e falenderoi të pranishmit. Ai kujtoi se shumë prej spektatorëve kishin marrë pjesë në demonstrata para Kombeve të Bashkuara, Shtëpisë së Bardhë e ishin takuar me senatorë e kongresmenë derisa arritën të takohen edhe me Presidentin Clinton për Kosovën. Më pas ai ftoi në skenë dy të rinjtë, Sihana Bejtullahu dhe Lirim Krasniqi të ardhur nga Prishtina. Pas studimeve në Amerikë ata u kthyen në Prishtinë me një ide të re. Të lidhnin brezat e rinj të lindur e të rritur jashtë atdheut me kulturën e me dashurinë për trojet e të parëve. Shembulli më i mirë për këtë është Izraeli i cili ka një program që fton të rinj që nuk e kanë vizituar kurrë vendin e prindërve apo të të parëve të tyre. Ata njihen me vendin e kulturën, historinë e gjeografinë duke shëtitur në vende të rëndësishme, e duke qëndruar në grupe gjatë vizitës disajavore. Pse të mos e bëjmë edhe ne, menduan dy të rinjtë shqiptarë, të cilët e filluan projektin në 2019. Covid-19 e ndaloi pak progresin. Verën e kaluar ata arritën ta vinin në jetë programin e tyre duke ftuar 40 të rinj të moshave 18-24, për 2 javë në Shqipëri e Kosovë (rruga dhe shpenzimet tjeter të paguara nga OriginAL). Një nga pjesëmarrëset e programit tregoi se pas vizitës në Shqipëri e Kosovë ndihej më e lidhur me traditat dhe prejardhjen e saj. Pas tyre foli z. Kozmo që falenderoi gjithë sponsoruesit, emrat e të cilëve gjendeshin edhe në një tabelë të madhe e të dukshme në skenë. Z. Kosmo tha se deshira e tij e madhe ishte që në 100-vjetorin e ditëlindjes së tij të linte një milion dollarë, për të ndihmuar organizatën, gjallë apo vdekur, ai do ta arrinte qëllimin megjithëse ende nuk e dinte rrugën që duhej ndjekur.
Programi artistik filloi me një pjesë në piano të luajtur nga Genc Tukiçi e pas disa minutash në skene doli Inva Mula e veshur me një fustan të kuq e me mëngën e djathtë në formën e një trëndafili të zi. Në skenë me të ishte dhe banda e Florent Boshnjakut, me instrumentistë shumë të talentuar e njohës të muzikës së trojeve shqiptare. Në prezantim Genc Tukiçi tha ndonëse bashkëpunimi me bandën ishte vetëm dyditor në koncert përshtypja ishte krejt ndryshe. Koncerti kishte këngë nga Shqipëria, Kosova e Kalabria. Inva Mula interpretoi me mjeshtëri këngë të kompozuara nga babai i saj Avni Mula e dy këngë të njohura nga mjeshtra Nexhimie Pagarusha. Për herë të parë ajo e kishte parë Pagarushën në një koncert në Tiranë dhe prej asaj dite e kishte modelin që duhej të ndiqte. Pjesa e parë përfundoi me pianisten e re e të talentuar Anila Aliu. Ajo jo vetem ka fituar çmimin e parë në çdo konkurs po edhe po interpreton me orkestra të ndryshme të botës.
Klarinetisti Igli Tuga e elektrizoi sallën. Interpretimi i tij është magjik dhe luajtja virtuoze e ngriti në këmbë publikun. Në pjesën e dytë Inva doli e veshur me një veshje të stilizuar të xhubletës shqiptare që tashmë është marrë në mbrojtje nga UNESCO si pjesë e Pasurisë Botërore të Njerëzimit. Ajo falenderoi “një mik që e njohu 25 vite më parë, kur ishte ende e re por një njeri që e përkrahu me të gjitha forcat e influencen e tij, e që deshi të nxirrte në pah jo vetëm talentin po edhe bukurinë e femrës shqiptare. Sot dua të falenderoj Fadil Berishën, i lindur në Tropojë e i rritur në Gjakovë,” tha Inva Mula e mbytur nga duartrokitjet e gjithë sallës. Mbyllja e programit me këngën Xhamadani Vija- Vija, e kënduar nga e gjithë salla në këmbë ishte një finale madhështore.
Koncerti kishte një vizion panshqiptar, ku muzika e Kosovës dhe Shqipërisë ishin pjesë e një shtrati. Banda e Florent Boshnjakut, si njohës i thellë i muzikës popullore shqiptare ia dha këtë dimension koncertit.
Veç mbledhjes së fondeve për OriginAL, koncerti arriti të zbulojë forcën e bukurinë e muzikës shqiptare të të gjitha trevave.
28 Maj 2023.
Please follow and like us: