Nënshkruhet marrëveshja Shqipëri-Zvicër për bashkëpunim në financat vendore
Ministri i Financave Petrit Malaj dhe Ambasadorja e Zvicrës Ruth Huber nënshkruajnë marrëveshjen për mbështetje të mëtejshme teknike në sistemin e financave vendore.
Marrëveshja e re formalizon vazhdimin e mbështetjes zvicerane për përmirësimin e financave publike në nivel vendor. Qeveria zvicerane përkushton gati 4.5 milion Euro për asistencë teknike për sistemin e financave publike vendore në Shqipëri.
“Marrëveshja synon përmirësimin e planifikimit strategjik dhe menaxhimit të përgjithshëm, me qëllim rritjen e të ardhurave vendore, si dhe ngritjen e sistemeve efikase për auditimin dhe raportimin financiar. Të gjitha këto objektiva janë plotësisht në përputhje me prioritetet e qeverisë për modernizimin e financave publike në nivel vendor, si dhe për rritjen e konsolidimin e autonomisë financiare”, tha Ministri i Financave Petrit Malaj.
Ndërsa Ambasadorja zvicerane Ruth Huber theksoi: “Kjo marrëveshje formalizon vazhdimin e punës sonë të përbashkët për rritjen e cilësisë së financave publike. Synimi është përmirësimi i menaxhimit të financave publike, përdorimi e burimeve publike më me efiçencë, dhe përfundimisht, dhënia e shërbimeve më të mira për komunitetet vendore”.
Projekti për financat vendor mbështet 61 bashkitë në rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e financave të cilat njihen me instrumente dhe metoda më efikase në këtë drejtim. Gjithashtu, projekti punon me Ministrinë e Financave, Departamentin për Financat Vendore dhe drejtori të tjera, për të siguruar një koordinim dhe monitorim më të mirë të financave vendore.
Kjo mbështetje i përgjigjet prioriteteve të qeverisë shqiptare sidomos në lidhje me krijimin e një sistemi buxhetor të njëjtë për të gjithë institucionet publike, reduktimin e pagesave të prapambetura, dhe standardizimin e kontrolleve të brendshme. Duke forcuar menaxhimin e të ardhurave vendore, bashkitë mund të rrisin burimet e tyre të të ardhurave.
Financimi për projektin vjen nga Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështjet Ekonomike SECO dhe zbatohet nga Universiteti i Lucernës dhe GFA Consulting Group.