Albspirit

Media/News/Publishing

Zana Tako: Një grusht drejtësi!

Gjithkush e do drejtësinë, është e çmuar shumë e çmimi i saj është rritur aq shumë, sa njeriu e ka fshehur dhe e ruan njëlloj me thesarin që nuk gjendet.

Lumenjtë rrjedhin drejt shtratit të tyre, e njeriu vazhdon të jetojë, por kur lumenjtë dalin nga shtrati përmbytin pa kursyer, ashtu edhe drejtësia, me forcën e saj përmbyt çdo ligësi e padrejtësi.

E peshojmë forcën tonë me drejtësinë, por nuk jemi të fortë si ajo, duam të pastrohemi me drejtësinë, por drejtësia nuk është as shampo e as sapun të na lajë nga papastërtitë.

Duam të dukemi të bukur me drejtësinë, por drejtësia nuk është rrobë trupi, as kostum e as kravatë.

E duam pasurinë, por nuk e duam drejtësinë, e cila është pasuri mbi pasuri. Drejtësia shpërdorohet, hidhet tutje si e pavlerë, shkelet, përfolet, zhubroset, me të luhet, bëhet llogari, kaq unë… kaq ti…

Ej, zotëri, të lutem një lëmoshë… për bukë!… E zotëria i kollarisur sheh me përçmim. Kalon pa e vënë re varfërinë që i lutet për një kafshatë që nuk e ngop. Eshtë i pasur ai, “zotëria” me kollare dhe çantë prej lëkure. Ç’bezdi! Largohu, mos ma zë rrugën se po shkoj në zyrë, punoj për ligjin, për mbrojtjen e jetës, për ekonominë, zhvillimin, mirëqenien!…

Zonjë… të lutem.. pak lëmoshë për bukë!… Por zonja nuk e kthen kokën. Syzet janë të shtrenjta, e ngjyra e tyre ia zbukuron pamjen. Lypsarin nuk e sheh, i largohet se bie erë, e parfumi i saj është i shtrenjtë. E kur zonja largohet, le si lëmoshë erën e parfumit të rëndë, e lypsari i gjorë mbetet përsëri duarbosh duke nuhatur…

I varfri e ndihmon të varfrin, por i pasuri nuk e ndihmon të pasurin. Llogaria është e thjeshtë. I varfri nuk mbledh pasuri, i mjaftohet buka e përditshme, e i pasuri i bën llogaritë ndryshe nga i varfri. Mendon për të nesërmen, për të pasnesërmen, e për ditën tjetër, e tjetër, e tjetër… e kur i vjen ora e vdekjes mbetet duarthatë, se atje ku do të shkojë nuk ka peshore për pasurinë, por ka peshore për drejtësinë!

A ka frikë drejtësia nga njeriu?

Njeriu e ka kthyer ligjin kokëposhtë, duke menduar se sot drejtësia i friket njeriut. Njeriu trim që mposht drejtësinë! Sot po luhet drama “Një grusht drejtësi”!

“Të lutem zoti gjykatës, një grusht drejtësi”!

“Të lutem zoti drejtor, një grusht drejtësi”!

“Të lutem…Të lutem… Një grusht drejtësi”!…

Por grushti i njeriut dhuron vetëm padrejtësi! Fytyra të shtrembëruara, të lodhura, të vrazhda, të ftohta, të akullta, me sy pa jetë vështrojnë e tallen! Çfarë? Drejtësi? E ku gjendet sot? Nuk gjendet më si ky produkt! Ka dalë nga tregu, se me të nuk bëhet para. Këtë produkt e kemi zëvendësuar me zhvatjen, me horllëkun, me dallavare e pazare ku shitet e blihet shpirti! Këto të bëjnë të pasur, ky është arti i zhvillimit, se nuk duhet të bëjmë prapa por të shkojmë përpara, drejt një bote të re, drejt një rendi të ri, ku gënjeshtra është babë dhe nënë, ku vëlla e motër njihen në interes, ku shok dhe shoqe edhe përdoren, edhe tradhtohen, ku respekti dhe dinjiteti përdoren si tavolina për t’u mbështetur bërryla në lojra pokeri dhe shantazhi!

Jetojmë në kohën e karnavaleve, ku drejtësia nuk struket por vështron, jo duke përqeshur, por duke mëshiruar të gjithë ata që luajnë me lloj-lloj veshjesh shpirtërore duke argëtuar jo drejtësinë dhe dashurinë e saj, por veten e tyre, rangun dhe llojin e tyre.

Kësaj parade nuk i ka mbetur edhe shumë rrugë për të bërë. Stuhia e madhe e drejtësisë pastron çdo mbeturinë të kohës, çdo mbeturinë të kësaj parade të madhe karnavalesh që ka shëmtuar jetën dhe krijimin.

Njeriu nuk e ka durimin e Zotit, as mëshirën dhe drejtësinë e tij.

Këto kohëra vunë në kandar gjithçka, por mbi të gjitha drejtësinë, e kjo drejtësi shpalos pyetjen e madhe që qëndron mbi kokën e gjithësecilit prej nesh:

A ia vlen të jetohet pa dashurinë dhe drejtësinë e saj?

Please follow and like us: