Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: Atë mund ta takoje vetëm një herë në jetë

Ambra Hysa është një autore shqiptare e re, e njohur për romanet e saj që shpesh eksplorojnë temat e dashurisë, identitetit dhe marrëdhënieve familjare.

Stili i saj karakterizohet nga një narracion emocional dhe përshkrime të thella të karaktereve.

Pjesë e shkëputur nga romani “Lady D”, i autores Ambra Hysa.

Avioni sapo kishte prekur tokën, dhe ajo ndjeu menjëherë atë lëvizjen e lehtë në stomak, gjithmonë e njëjta ndjesi që i përzihej bashkë me nostalgjinë e kthimit. Kishte dëgjuar muzikë gjatë gjithë udhëtimit, duke humbur sensin e kohës dhe ndjesinë e realitetit që e mbështillte me të dy krahët, edhe pse përpiqej ta mbante sa më larg e t’ia mbyllte në fytyrë, me furi, derën. Ishte kështu, e bukur dhe pafytyrësisht e vërtetë. Kishte ndërtuar veten e saj, shumë larg ‘clichéve’ dhe shpesh për kalimtarët e rastit ngjante e paprekshme, sikur nuk ndanin së bashku të njëjtin ajër, ndërsa ajo frymonte në një dimension tjetër. Pak kush mendonte t’i afrohej edhe pse të gjithë e kundronin në heshtje, nga koka tek këmbët, me pëshpërima të fshehta, thua se kishin frikë nga reagimi i saj edhe pse nuk e njihnin.

Atë mund ta takoje vetëm një herë në jetë dhe kjo ndjesi fshihej në hapat e saj të sigurt.

Kishte dalë nga skena e një filmi, apo nga fletët e një libri?! Jashtëzakonisht tërheqëse; legjenda thoshte se kjo magjistricë mbante engjëllin dhe djallin të fshehur brenda saj.

Ajo, zonjusha mistike e librit tim, jetonte e vetëdijshme për këtë. Herë-herë, vështrimet e hutuara mbi të, e cenonin, ndonjëherë e preknin, por në të shumtën e rasteve e argëtonin. Kjo maskë ishte çmimi që duhet t’i paguante kësaj jete të cekët, e cila sa herë i kthehej, ia ngushtonte frymën; por u bë kohë që kur ajo e kishte pranuar, si kompromisin e saj të vetëm, me të cilin mbrëmjeve, ndante të njëjtin jastëk…

Please follow and like us: