Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Lule, Pano Xhixho, komisari trim…
U formua si antifashist në shkollën e luftës
Ka lindur në fshatin Suhë të Gjirokastrës në vitin 1918, në një familje patriotike. Pas mbarimit të shkollës fillore, Pano punoi në bujqësi në ndihmë të familjes. Më tej familja i siguroi një punë në qytetin e Gjirokastrës. Këtu ai u njoh me Muzafer Asqeriun dhe të rinj të tjerë, që ndikuan në formimin e tij si antifashist dhe me ide komuniste.
Pano Xhixho në vitin 1940 e thirrën për të kryer shërbimin ushtarak. Në luftën italo-greke Pano u gjend i rreshtuar në formacionet shqiptare që mobilizoi ushtria fashiste. Ai e konsideroi luftën e popullit grek të drejtë dhe së bashku me shumë shqiptarë të tjerë dezertoi, por u kap dhe u internua nga grekët në ishullin e Kretës. Midis ushtarëve të internuar ai punoi për të mbajtur tek ata të pashuar ndjenjat patriotike. Aktiviteti i tij ra në sy të agjentëve të ASFALI-së greke, e cila ishte tepër e interesuar që midis robërve shqiptarë të mos kishte unitet, sidomos asaj i interesonte vënia e të krishterëve kundër myslimanëve. Sipas dëshmitarëve që jetuan ngjarjen, një ditë midis Panos dhe kapitenit Athanasios u zhvillua një dialog i shkurtër, por mjaft kuptimplotë.
-Qirie Pandelis, ju jeni i krishterë, i tha kapiteni atij, dhe si i tillë s’është e mundur të mos e dini se Ellada është atdheu i bijve të Krishtit mbi tokë, prandaj… Mirëpo Pano nuk e la të vazhdonte:Ne jemi shqiptarë, dhe ju do të bënit mirë të bisedonit me ne, me tjetër gjuhë.
Pas luftës italo-greke Pano mësoi zanatin e rrobaqepësit dhe punoi si çirak në Gjirokastër. Pano u lidh me antifashistët dhe u tërësisht në shërbim të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Në fillim të vitit 1942, ishte komandant i njësitit gueril të fshatit, mori pjesë në mjaft aksione si, në Kakavijë, Libohovë etj. Pastaj kaloi në çetën e “Rinisë” dhe me vonë komisar i çetës “Prokop Meksi”.
Xhixhot bënë një skuadër plot me partizanë
Ishte qershori i vitit 1943. Në Suhë u takuam në fshat ishte xha Koço, babai i Panos. Na mori në shtëpi. Aty takuam dhe nënë Katerinën, të shoqen e xha Koços. Mirseerdhët, o bij, uluni e rrini, na tha ajo grua e mirë. Tani vjen dhe djali, tha për Panon, pas pak, si për të vazhduar se dhe besoi që ishim shokët e tij.Ka shkuar tek Guri i Zekos, tha dhe vazhdoi bisedën…
Nuk jemi u interesuar të dinim se ç’ruajnë tek Guri i Zekos, dhe nëna vazhdoi, bëjnë roje ditë e natë. Ata të flamosur italianë nuk po i lënë rehat djemtë tanë. Thonë se dhe ballistët me ta janë.Jo thonë, po janë, foli xha Koçua prerë. Nënë Katerina shkoi te vedra me dhallë dhe mbushi nga një tas me dhallë, na dha dhe një copë bukë, duke na thënë: Hani se është bukë e re. Pak misër kemi bërë, sepse nuk i bëmë sa duhet hyzmet, se italianët na hidhnin plumba. Kështu që mund rrezikoje kokën në arë. Ata gjuanin që nga Kordhoca kur ne ishim duke punuar në arë. Boll e kemi, foli me të qeshur xha Koçua. Sa veta bëheni, o xha Koço, pyeti Ganiu. Tetëmbëdhjetë frymë, u përgjigj xha Koçua.
Tre djem e dy nipa i kam partizanë, një djalë e kam, në është gjallë, të internuar në Itali, se çaramatosi nja dy karabinierë. Po më mirë që të jem realist, bëjmë një skuadër plot, partizanë. Po dhe ne me pushkë nën kokë flemë, e ju jemi bërë krahë partizanëve disa herë, nëpër aksione. Kam qenë nja dy herë me Micën. Sa mbaroi fjalën xha Koçua, në derë hyri Panua. Ishte ashtu si me kishin thënë, shtat mesatar e të bukur, fytyrën e kishte të rrumbullakët, nën ballë i qeshnin dy sy të kaltër, flokë gështenjë të prerë shkurt.
Ganiu u takua me Pano ja shtruan bisedës, kishin kujtime të përbashkëta nga Gjirokastra. Nënë Katerina e shikonte Panon ndër sy. Më foli: Që të vogël e vrau puna. Këtu i madh e i vogël kemi punuar tokën e të pasurve. Kur u rrit ca Pano, shkoi në qytet mos fitonte diçka më shumë.Ndërkaq u dëgjuan të shtëna armësh në periferi të Libohovës. Çeta territoriale e fshatit zuri pozicionet. Komandant ishte Panon. Tamam si në front vepronin. Pano zuri vendin e tij të Guri i Zekos, që andej komunikonte çetën territoriale.
Më 25 prill 1944, me formimin e BrVIIIS, caktohet komisar batalioni. Kudo u shqua për trimëri, guxim e zgjuarsi në veprime. Fitoi një respekt e besim aq të madh midis partizanëve, sa ata e konsideronin fitoren të sigurt kur kishin komisarin midis tyre.Dhe batalioni i tij gjatë gjithë kohës njohu vetem fitore. Partizanët i mbajnë mend mirë ditët e nxehta të qershorit të vitit 1944, veprimet luftarake të BrVIIIS në rrethim dhe daljen nga rrethimi. Batalioni me në krye komisar Pano, në luftën e Grykës së Këlcyrës goditi në fshehtësi dhe në befasi një repart gjerman. Pano Xhixho ishte trim i prerë e gjuhëbilbil. Dhe kështu qëndroi gjithnjë, në çdo luftim e në çdo shteg ku kaloi batalioni. Mbas çdo luftimi atë e gjeje në mes të partizanëve, duke u folur atyre jo vetëm për luftën, po edhe për hallet e tyre, edhe për gratë dhe fëmijët, që i kishin larg e një ditë do të ktheheshin dhe do t’i përqafonin të gëzuar.
E kaluara e pengon për detyrën e komisarit
Pas çlirimit të Tiranës, BrVIIIS u përqëndrua në fushën e aviacionit, ku filloi përgatitjen intesive për parakalimin e parë historik para Qeverisë Demokratike shqiptare e popullit entuziast të kryeqytetit. Më 28 nëntor 1944, së bashku me komandantin e flamurtarin e brigadës të hipur në kuaj, parakaluam në krye të brigadës në këtë ditë të shënuar feste kombëtare.
Pas parakalimit Qazim Kondi, komisari i BrVIIIS u thirr në hotel “Dajti”, ku kishte selinë në këtë kohë Qeveria Provizore. Ai në kujtimet e tij thekson se e pritën në të njëjtën zyrë Enver Hoxha e Koçi Xoxe dhe, pasi e përgëzuan për kontributin e dhënë për drejtimin e brigadës dhe si anëtar i Shtabit Operativ të çlirimit të Tiranës, Koçi e njoftoi se do krijohej Korparmata II e Ushtrisë, me qendër në Berat, në të cilën e kishin emëruar shefi të shtabit të kësaj njësie. Gjithashtu, në këtë njësi ishte emëruar dhe Hito Çako, shef i prapavijës, Teki Koloneci, zëvendësshef i shtabit, Niko Ceta, shef i kundërzbulimit, Ibraim Dervishi shef i shëndetësisë dhe Petro Papi shef i personelit. Kurse komandanti e komisari nuk ishin emëruar akoma. Në vazhdim Koçi e pyeti se kush mund ta zëvendësonte në detyrën e komisarit të brigadës. Ai tregon se i propozon pa hezitim Pano Xhixho, komisar batalioni në BrVIIIS, të cilin e njihnte në luftë, si trim, të aftë, të edukuar e të suksesshëm në të gjitha luftimet e batalionit të tij. Kur theksova, vazhdon kujtimet, emrin e Panos, Koçi u vërejt dhe tha, se ai i mirë është, po ka diçka nga e kaluara që e pengon, ka qenë angjomarksist… ju përgjigj Koçit, se propozimin e bëj duke e njohur Panon në luftë, i cili asnjëherë nuk iu shmang rrezikut dhe kreu më së miri detyrën e tij. Më ka folur dhe mua, theksova, për të kaluarën e tij, probleme nga të cilat kemi të gjithë, por që fusha e luftës, kam mendimin se i ka fshirë nga e kaluara jonë. Ngela i zhgënjyer nga konsiderata e kushtëzimi me të kaluarën e largët për emërimin e Panos në detyrën e komisarit. Kontributi i dhënë nga secili prej kuadrove në Luftën Nacionalçlirimtare ishte garancia e vetme për të vlerësuar gjithsecilin nga luftëtarët e njësive partizane.
Në betejën për çlirimin e qytetit të Vishegradit, kur divizionet shqiptare shkuan në ndihmë të popujve të Jugosllavisë, 14 shkurt 1945, komisarin e batalionit e shohim në radhët e para të atyre që sulmonin drejt qytetit. Por aty, në krah të shokëve partizanë, përmes zjarrit dhe plumbave të armikut, Pano u plagos rëndë në kokë nga plasja e një mine dhe më pas nga kjo plagë vdiq. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendimin nr. 95, datë 30. 05. 1987 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Gjirokastrës.
Populli, ashtu si për gjithë bijte e vet, veprën dhe kujtimin e Panos e përjetësoi në këngë: Bir i këtij fshati, lerë në suferinë,/ S’durove armikun, s’deshe skllavërinë,/ Mblodhe gjithë shokët dhe bëre betimin,/ Lule, Pano Xhixho, komisari trim…