Madonna feston 67-vjetorin në Sienë
Legjenda e pop-it, Madonna, ka festuar ditëlindjen e saj të 67-të në Toskanën piktoreske të Italisë dhe e ka shoqëruar festën me një vizitë në një festival shekullor garash me kuaj.
Pas një ndalese të shkurtër në Firence, këngëtarja udhëtoi drejt Sienës për të marrë pjesë në “Palio di Siena”, një garë mesjetare kuajsh që zhvillohet mes lagjeve historike të qytetit.
Madonna e ndoqi garën nga “Palazzo Pannocchieschi d’Elci”, një pallat fisnikësh që shikon mbi “Piazza del Campo”.
Sipas mediave, ajo vazhdoi festimet më pas në një hotel me pesë yje në qendrën historike të Sienës.
Kjo nuk është hera e parë që Madonna zgjedh Italinë për ditëlindjen.
Vitin e kaluar, ajo e festoi në Pompeii, qytetin antik pranë Napolit, i cili u mbulua nga shpërthimi i Vezuvit në vitin 79 pas Krishtit./atsh