SHBA vendos sanksione të reja ndaj Iranit pas vendimit të OKB-së
Administrata e presidentit Trump shpalli sot sanksione të reja ndaj dhjetëra kompanive dhe individëve të përfshirë në prodhimin e raketave dhe avionëve ushtarakë iranianë, si pjesë e një ndëshkimi për të mbështetur rikthimin e sanksioneve të OKB-së kundër Teheranit për programin bërthamor, sipas AP.
Masat e ashtuquajtura “snapback” të OKB-së përfshijnë ngrirjen e aseteve të Iranit jashtë vendit, ndalimin e marrëveshjeve të armëve me Teheranin dhe penalizimin e çdo zhvillimi të programit të raketave balistike.
Departamenti amerikan i Thesarit sanksionoi 21 subjekte dhe 17 individë që kanë ndihmuar në sigurimin e teknologjisë për sistemet e avancuara raketore tokë-ajër dhe në blerjen e paligjshme të një helikopteri të prodhuar në SHBA për ushtrinë iraniane.
Rrjetet e përfshira veprojnë nga Irani, Hong Kongu dhe Kina, ndërsa një tjetër grup që operon nga Irani, Gjermania, Turqia, Portugalia dhe Uruguai ka qenë përgjegjës për sigurimin e helikopterit amerikan.
Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe udhëhoqën përpjekjen për të rikthyer sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit, duke e izoluar më tej Teheranin pas bombardimeve të përsëritura të objekteve bërthamore gjatë një lufte 12-ditore me Izraelin.
Teherani pretendon se programi i tij bërthamor është paqësor, por Perëndimi dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike theksojnë se Irani kishte një program të organizuar armësh deri në vitin 2003.
Mbetet ende e paqartë se si do të reagojë Irani ndaj raundit të ri të sanksioneve./atsh