Andrea Gudha: Aleksandër Fleming dhe myku “çudibërës”- PENICILINA
Etydë mjekësore
“Një temë të re studimi shkencëtari e zbulon vetëm por, është vështirë të përfundohet me sukses çfarëdo pune shkencore pa bashkëpunimin e të tjerëve”.
“Fati ndihmon vetëm mëndjet e përgatitura”.
Aleksandër Fleming lindi më 6 gusht 1881 në fermën Lochfield, Skoci, në një familje fermerësh. Babai i tij Hju Fleming kishte katër fëmijë të mbijetuar nga martesa e tij e parë. Hju Fleming, pas vdekjes të gruas së parë, ai ishte në moshën 60 vjeç në kohën e martesës së tij të dytë me Greja Mertonin.
Aleksandër Fleming ishte fëmija i tretë nga katër fëmijët e fermerit Hju nga martesa e dytë. Bashkëshortja e tij e dytë Greja, grua dhe një nënë e mrekullueshme, mundi të bashkonte fëmijët e saj me fëmijët e gruas të parë të Hjusë në një familje të vetme të lumtur, në harmoni me 8 fëmijët e tyre.
Flemingët, fëmijëve u kishin dhënë liri të plotë. Aleksandri, gjithë kohën e lirë pas mësimeve, e kalonte sëbashku me vëllezërit e tij, duke u endur luginave dhe ranishteve të mbushura me shqope , me gjueti, me peshkim, me qethjen e dhënve… Jeta në këtë fermë të madhe, të rrethuar nga të tëra anët prej natyrës së egër, i jepnin mëndjes kureshtare të Aleksandrit një ushqim të përditshëm.
Natyra, mësuesi i parë dhe më i mirë për njerëzimin, zhvillonte tek Aleksandri aftësinë e të vrojtuarit.
Aleksandri në moshën 12 vjeç mbaroi shkollën e Daruellit, qytet i famshëm për muzeun , për monumentin e poetit Robert Bërns, për panairin e djathrave…
Aleksandri, në moshën 13 vjeç banonte sëbashku me të vëllanë Tomas (mjek okulist) në Çelsi, lagje ku banonin shumë piktorë të dëgjuar.
Aleksandri hyri në punë në shoqërinë e udhëtimeve “Ameriken Llajn”, ku punoi 5 vjet për të ndihmuar familjen e madhe Fleminger financiarisht, pasi babai kishte vdekur. I vëllai i tij Tomas, duke parë aftësitë e Akeksandrit, e këshilloi dhe e inkurajoi atë, që të hynte në shkollën mjekësore.
***
Aleksandri në vitin 1901, në moshën 20 vjeç u regjistrua në shkollën mjekësore pranë spitalit Sent-Meri.
Studentët, pasi fitonin përgatitjen teorike, lejoheshin të punonin në repartet e ndryshme të spitalit, duke filluar nga urgjenca.
Reparti i bakteriologjisë, ishte reparti më i mirë në spital, fal emrit të shefit të repartit Dr. Allmrot Rajti, shkencëtar i njohur në fushën e bakteriologjisë (zbuluesi i autovaksinës). Emri i Dr. Rajtit qëndronte nëpër tekstet mësimore në shkollat mjekësore, krahas emrave të shkencëtarëve më të famshëm: Pastërit, Kohut.
Dr. Rajti dashuronte poezinë. Ai dinte përmendësh pothuajse të gjitha veprat e Shekspirit, Dantes, Gëtes. Gjithashtu, Dr. Rajt ishte një qitës i mirë dhe ëndërronte të gjallëronte veprimtarinë e klubit të qitësve të spitalit Sent-Merit.
Flemingu, sapo mori diplomën në shkollën mjekësore Sent-Meri, një nga shokët e tij, Dr. Frimeni, që punonte në laborator, duke njohur tipin dhe pasionet e Flemingut, i propozoi që të punonte në laboratorin e Dr. Rajtit, të cilit i kishte folur më parë për aftësitë e Aleksandrit në qitje.
Dr. Rajti u bind që ta pranonte Aleksandrin të punonte në laborator si asistent i tij. Në periudhën, mes viteve 1876 dhe 1880, Pastëri në Francë dhe Kohu në Gjermani hapën përpara mjekëve fusha të reja për kërkimet shkencore.
Jemi në epokën e mikrobeve dhe bakterieve, seroterapisë, autovaksinat,, vaksinat, imuniteti, fagocitoza, teoria “qelizore”, teoria “humorale”, asepsia, antiseptikët, malarja,tërbimi, tuberkulozi, sifilizi, transfuzioni i gjakut, sulfamidet, protozoli…
Jemi në kohën kur, burimet e sëmundjeve infektive pjesërisht ishin përcaktuar, por duheshin gjetur mënyrat e luftës kundër shkaktarëve të tyre.
Laboratori i Dr. Rajti në spitalin Sent-Meri qe i pajisur në mënyrë primitive: termostat, autoklav, pjata petri, epruveta, tuba xhami, mikroskop, shishe, lavaman por, në këtë laborator të thjeshtë , “zienin” ide shkencore, si në një “ Bibliotekë”. Në laborator, ekipi i Dr. Rajti punonin ditë e natë: në pavione me të sëmurët dhe në laborator. Gjaku i të sëmurëve të shtruar në spital, materjalet e mbjella dhe vrojtimet para mikroskopit analizoheshin nga ekipi në laborator me kureshtje të madhe, me diskutime të shumta, deri tek diagnoza dhe mjekimi (lidhja midis klinikës dhe laboratorit). Bënin dikutime të gjata me njeri tjetrin, duke pirë çaj, për teoritë ekzistuese dhe për zbulimet e reja në mjekësi.
Dr. Rajti “Plaku” kishte krijuar marrëdhënie shoqërore me kolektivin në punë, duke krijuar atmosferën e një lirie të këndëshme në ditët e gjata dhe të lodhshme në laborator. Dr. Rajti, duke ecur në laborator me duart nga mbrapa, kishte qejf të recitonte përmendësh vargje të gjata të poezive. Shpesh, pasi mbaronte vargjet, ai kthehej nga Flemingu dhe e pyeste: -Të kujt janë këto vargje?-
Në laborator gjithmonë kishin vizitorë. Një nga miqtë e ngushtë të Dr. Rajt ishte Bernard Shou ( 1856-1950, shkrimtar nobelist), me të cilin bisedonin gjatë mbi letërsinë, rëndësinë relative të mjekësisë dhe filozofisë.
Shënim. Në vitin 1926, shkrimtari Bernard Shou merr Çmimin Nobel, por ai refuzoi të pranojë paratë për Çmimin Nobel që kishte fituar, duke thënë: “Unë mund t’a fal Alfred Nobelin për shpikjen e dinamitit, por vetëm një djalli në formë njeriu mund t’i kishte shkuar në mëndje për të shpikur Çmimin Nobel.
Dr. Rajti e çmonte Flemingun për punën e tij pa të meta, për pa gabueshmërinë e gjykimeve të tij, për përqëndrimin dhe vrojtimin skrupullos para mikroskopit, për bisedën e qetë me kolegët, për heshtjen, dëgjonte dhe fliste pak, për personalitetin dhe për njohuritë e tij enciklopedike për jetën.
Flemingu në laboratorin e Dr. Rajtit mësoi shumë gjëra. Për të qe një fat i madh që mësoi në shkollën e një shkencëtari të tillë si Dr.Rajti, por, dhe Rajti pati fat që, pranë tij, punonte Flemingu, asistent besnik ndaj tij, studiues i palodhur e tip shkencëtari.
Flemingu, krahas punës të pandërprerë në laborator, në vitin 1908 mori një diplomë me medalje të artë në bakteriologji të Universitetit të Londrës dhe u bë lektor në Sent-Meri. Në të njejtën kohë ai mori pjesë në konkursin për titullin e anëtarit të Kolegjit Mbretëror të Kirurgjisë dhe e fitoi.
Në konkursin e Fakultetit Sent-Meri, ai paraqiti punimin me titull “Infeksionet mikrobike” dhe, me të fitoi medaljen e artë.
Gjatë Luftës së Parë Botërore (1914 -1918) Flemingu, i graduar si kapiten, shërbeu në Korpusin e Ushtrisë Mbretërore Mjekësore. Ai, dhe shumë nga kolegët e tij, kanë punuar në spitalet e fushëbetejave në Frontin Perëndimor në Francë.
Dr. Rajti, sëbashku me Flemingun ngritën një laborator dhe një qendër shkencore në Bulonjë të Francës.
Për Flemingun fushëbeteja ishte një përvojë e jashtëzakonëshme jetësore por, dhe, mjekësore në trajtimin e plagëve të hapura dhe të infektuara, gangrenat, frakturat, etj, duke menduar se, shumë nga vdekjet e ushtarëve qenë shkaktuar nga plagët e infektuara.
***
Në vitin 1915, Flemingu, mori leje gjatë kohës së luftës dhe u martua me Sara Marion, lindur në Irlandë (Sara ishte binjake me motrën e saj Elizabeta).
Sara, ( të gjithë e thërrisnin Sarina) ishte kryeinfermiere.
Sara kishte një klinikë private në qendër të Londrës.
Kur Flemingu u kthye në Bulonjë – Francë, ai u fliste shokëve të tij të laboratorit për “gruan” e tij, por shokët nuk e besonin, kujtonin se tallej. Shokët, që të bindeshin, i kërkuan Flemingut fotografinë e gruas…
Flemingu, sa i guximshëm ishte në sport, në fushëbeteja të luftës, në diskutime shkencore me kolegët dhe, para mikroskopit me kolonitë e mikrobeve, po aq i turpshëm ishte në marrëdhënie me femrat, nuk guxonte që t’u shprehte ndjenjat e veta.
Kur Flemingu u njoh me Sarën, Sarës iu desh t’i jepte zemrën atij, sepse Flemingu tregohej shumë i turpshëm.
Shumë vite më vonë, kur Sara ishte e sëmurë rëndë në shtrat, në prag të vdekjes, një shoqe i thotë:
– Jo, jo, ju nuk mund të vdisni… Ç’do të ndodhë me burrin tuaj pa ty?
Sara ju përgjigj:
– Asgjë. Ai do të martohet edhe një herë, por, gruas së tij të ardhme do t’i duhet ta bëjë vetë propozimin.
Sara, një bjonde fytyrëbardhë e faqekuqe, me sy të kaltër dhe me një fytyrë të qeshur, kishte një gjallëri të jashtëzakonshme, me shpirtmirësi, e gëzuar me jetën bashkëshortore me Flemingun.
Tek Flemingu ajo dallonte njeriun e thjeshtë me karakter dhe gjenialitetin e fshehur brenda tij. Ajo e respektonte, e dëgjonte me vëmendje dhe dëshironte gjithmonë ta ndihmonte në punën e tij shkencore. Për këtë gjë, ajo shiti klinikën e saj private dhe ia mbushi mëndjen Flemingut që t’i linte vizitat mjekësore me të sëmurët dhe të merrej vetëm me punë shkencore në laborator.
Me një pjesë të parave nga shitja e klinikës së saj, ata blenë një shtëpi të vogël, të vjetër në fshat me një peisazh të mrekullueshëm, me lumin që rridhte anash, ku Flemingu notonte dhe peshkonte. Në kopështin e shtëpisë mbollën pemë, perime, lule dhe, në anë të kopshtit Flemingu ngriti një barankë, që e kishte si një laborator të vogël për punët e tij.
Në vitin 1924 Sara lindi një djalë, që i vunë emrin Robert. Fëmija i tyre i vetëm, Robert Fleming (1924–2015) vazhdoi shkollën mjekësore Sent-Meri dhe u bë mjek i përgjithshëm.
Në vitin 1918, pas luftës, Flemingu u kthye në Spitalin Sent-Meri.
Sara, Flemingun (Aleku, e thërriste ajo shkurtimisht) e shikonte shumë rrallë, pasi, ai të gjitha mbrëmjet i kalonte në laborator. Ajo, duke njohur gjenialitetin e Flemingut në thellësi, asnjëherë nuk e mërziste atë, apo t’i ankohej për mungesat e tij në familje, përkundrazi, me fytyrën e saj të qeshur e inkurajonte për punë të suksesshme shkencore.
Flemingu bashkohej me Sarën dhe me djalin në fshat ditën e shtunë dhe të diel.
Familjarisht krijonin një atmosferë të gëzueshme, duke organizuar shpesh festa me shokë e miq dhe festa për djalin me fëmijët e fshatit.
Ditët e tjera të javës Flemingu i kalonte ditë e natë në laborator para mikroskopit me lamat e gjakut të pacientëve dhe me pjatat e petrit të mbjella për mikrobe.
Në vitin 1921 Dr. Rajti e emëroi Flemingun ndihmës të tij.
Emërimi i tij solli xhelozi dhe mërzitje tek kolegët më të vjetër në laborator, jo për Flemingun, sesa, ata e kishin me shefin e tyre Dr. Rajtin. Në këtë familje shkencëtarësh, dikur, aq të bashkuar dhe miqësor, pasionet njerëzore sollën përçarje. Flemingu, me heshtjen e tij dashamirëse, përpiqej të pajtonte grupet armiqësore pa shkaktuar pakënaqësi tek Dr. Rajti dhe, pa prekur kolegët.
***
Flemingu në punën e tij kërkimore-shkencore, gjeniun dhe idhullin shkencor kishte Luis Pastër. Flemingu, kur ishte në Paris, kryente gjithmonë pelegrinazhe në të gjitha vëndet ku ishte i gjallë Pastëri, sidomos, në Institutin Pastër qëndronte gjatë…Flemingu, gjithmonë sillte në mëndje se si Pastëri, në vitin 1877, vuri re një lloj myku të kulturave të tij, që zhdukte bacilin e plasjes:
“Pastër vrojtonte fenomenet dhe kuptonte se, çfarë rëndësie kishin. Çdo eksperiment i Pastërit ishte i sigurt dhe vlente sa 100 eksperimente”.
Flemingu në punën kërkimore-shkencore ishte tepër i pasionuar dhe i përqëndruar tek kulturat që hulumtonte, këmbëngulës, vrojtues me shumë durim për gjithçka që, i dukesh e çuditshme, ose e jashtzakonshme. Dhe, Flemingu parandjente se, ndonjë farë peniciline do të mund të përdorej në të ardhmen në luftën kundër sëmundjeve infektive.
Flemingu kishte rendiment të lartë në punë: atë proces laboratorik, që, të tjerët e bënin për 12-16 orë, Flemingu e realizonte për 4 orë me produktivitet të lartë. Laboratori, ku punonte Flemingu ishte i ngushtë, i errët. Në pamje të jashtme dukej ambient i çrregullt me kultura bakteriesh të mbjella në pjatat e petrit.
Flemingu i ruante pjatat dhe epruvetat nga dy-tri javë, para se t’i zhdukte, i studionte me vëmendje dhe i kontrollonte mos kishte ndodhur në to ndonjë fenomen interesant, i papritur. Ai thoshte:
– Nga një gjë e çuditshme mund të dalë diçka shumë interesante.
Historia e mëvonshme tregoi se Flemingu kishte të drejtë me metodën e tij të punës në laborator. Flemingu kishte aftësinë vrojtuese të një natyralisti të vërtetë dhe një aftësi të madhe përgjithësimi shkencor, që e lejonte të nxirrte konkluzione në bazë të fenomeve të vrojtuara. Këto cilësi janë karakteristike vetëm për një njeri që ka talent për punë shkencore.
Flemingu, me eksperimentet e shumta “in vitro” e “in vivo” në pjatat e petrit, në epruveta, me eksperimentet në minj dhe në lepuj, vrojtoi një fenomen interesant, të çuditshëm dhe emocionues.
Gjithçka nga sekrecionet, apo nga indet e trupit të njeriut si: mukusi i hundës, pikat e lotit, sekrecionet nga hapsira e gojës, qumështi i grave, thonjtë, flokët, kishin aftësi të shkrinin dhe të vrisnin me efikasitetin më të madh bakteriet jo patogjene, por dhe disa patogjene.
Deri më tani, Flemingu ngelesh në hipotezën e tij për fenomenin e çuditshëm, që kishte vrojtuar.
Pas shumë eksperimentesh me këmbëngulje dhe me besim në vetvete. Flemingu vërtetoi se, sekrecionet e trupit të njeriut kishin vetitë e enzimave (fermenteve natyrore), që kishin veti baktericide për mbrojtjen delikate të trupit të njeriut; sikur luanin rolin e një antiseptiku të dorës së parë në mbrojtje të qelizës së trupit të njeriut nga hyrja e mikrobeve nga jashtë.
Si duhej quajtur lënda e gjetur nga Flemingu?
Në vitin 1922, fenomeni i çuditshëm u shqyrtua me ekipin në laborator, në “Bibliotekë”, në orën e çajit. Dr. Rajti “Plaku”, i dashuruar pas formimit të fjalëve me rrënjë greke, e pagëzoi “Lizozimë”.
Flemingu bëri një zbulim shumë të madh për kohën, por, ai, me thjeshtësinë dhe modestinë e tij karakteristike, kurrë nuk e përdorte fjalën “zbulim”, sepse i dukesh fjalë e madhe para zbulimeve të bëra nga “Tempujt” e mjekësisë deri më tani.
Ai gjithmonë thoshte: “Vrojtimet e mia”.
***
Penicilina
“Kur u zgjova, vetëm pas agimit më 28 shtator 1928, unë nuk isha i sigurt se do të revolucionarizoja botën mjekësore, duke zbuluar antibiotikun e parë në botë, apo bakter vrasës”.
Deri në vitin 1927, Flemingu ishte i njohur në rrethet shkencore si një studiues brilant me punën e tij të mëparshme me Lizozimën dhe me shtamet e staphylokokut.
Në vitin 1928. u zgjodh Profesor i Bakteriologjisë në Universitetin e Londrës.
Më 3 shtator 1928, Flemingu, pasi kaloi pushimet në fshat me familjen në muajin gusht, me zi priste që të kthehej në laborator. Ai parandjente se, diçka interesante do të gjente në pjatat e petrit! Para se të nisej për pushime, ai inokuloi stafilokokët në pjata kulture dhe i la ato në një stol, në një cep të laboratorit të tij.
Flemingu, si gjithmonë me syrin e vrojtuesit, duke vrojtuar me kujdes pjatat e shumta në tavolinën e çrregulltë, vuri re diçka interesante: një kulturë ishte e kontaminuar me një kërpudhë dhe, se si kolonitë e stafilokokëve, që rrethonin kërpudhën, ishin shkatërruar ndërsa, kolonitë e tjera të stafilokokëve më larg ishin normale.
Flemingu, disa spore të kërpudhës i mbolli në një pjatë me agar dhe i la ato të rriten për katër-pesë ditë në temperaturën e dhomës. Flemingu priste me padurim se, çfarë do të ndodhte me to?
Pas pak kohe u shfaq një myk.
Flemingu e mbolli po atë agar me bakterie të ndryshme. Myku ishte vdekjeprurës për streptokokët, stafilokokët, për bakteriet e difterisë, por, mbi bakterin e tifos nuk vepronte.
Flemingu u thellua më tej në studimin shkencor të mykut. Ai e rriti lëndën e nxjerr nga myku në një enë të madhe me bujon.
Sipërfaqja e lëngut u mbulua me një shtresë të trashë si pambuk.
Flemingu e vazhdoi më tej studimin me pikpyetje të shumta në mëndjen e tij: – Në se, ky lëng, ka vetitë baktericide të mykut?
Flemingut, zbulimi i mykut i dukej shumë interesant. Ndërsa lizozima, e zbuluar prej tij, kishte efekt kryesisht kundër mikrobeve të padëmshme.
Myku nxirrte një lëndë “notatum Penicillium”, që ndërpriste rritjen e mikrobeve patogjene të disa sëmundjeve nga më të rrezikshmet e kohës.
Ky “lëng myk”, i quajtur substancë, liroi Penicilinë më 7 mars të vitit 1929.
Flemingu ishte i bindur se kishte bërë një zbulim me rëndësi për shëndetin e njerëzimit. Tani, ai ëndërronte që, këtë lëndë aktive, ta nxirrte të pastër.
Por, ai mendonte se, këtë proces nuk mund ta bënte ai vet. Këtë proces mund ta bënin vetëm kimistët profesionistë dhe me prirje shkencëtari dhe, jo mjekë.
Flemingu publikoi zbulimin e tij në vitin 1929, në British Journal of Experimental të Patologjisë.
Flemingu, gjatë kësaj kohe, përgatiti artikuj në revista shkencore, kumtesa për “Penicilinën” në konferenca dhe në kongrese por, ai pritej ftohtë nga auditori, pa entusiazëm. Kjo gjë e mërziste shumë, pasi, në vetveten e tij kishte bindje të plotë për dobinë e kësaj lënde.
Flemingu me durim vazhdonte me mjekët e spitalit Sent –Meri, eksperimentet për përdorimin lokal të Penicilinës në plagët e infektuara në kirurgji dhe në gjinekologji.
Pas vitit 1931, për Flemingun gjithçka ndryshoi në jetën profesionale.
U inagurua godina e re në spitalin Sent-Meri: Instituti i Kërkimeve Shkencore të Patologjisë dhe Shkolla Mjekësore. Tani Flemingu punonte në laboratorin e ri në kushte moderne, por, tavolina e tij e punës dukej si më pare, e “çrregullt”.
Endrra e Flemingut për hobet e tij ndaj sportit, u realizua. Në spitalin Sent – Meri sporti vlerësohej shumë. Në spital u krijuan pesë ekipe për futboll regbi, të cilat u dalluan duke fituar disa herë kupën e spitaleve. Ndërtesa e re e Shkollës mjekësore kishte edhe pishinë. Sent-Meri fitoi kupën e spitaleve në not dhe në vaterpolo. Po, kështu, klubi i qitësve ishte në lartësinë e duhur. Bëheshin gara midis studentëve dhe pedagogëve. Flemingu dilte fitues për skuadrën e pedagogëve.
Flemingu përpiqej me këmbëngulje, vit pas viti, për të gjetur një kimist, që do të arrinte të prodhonte Penicilinë të pastër.
Shkencëtarëve kimistë në Angli, Francë, Flemingu u ofronte lëndën e parë “Penicilinium”, i inkurajonte ata pa asnjë lloj interesi vetjak, vetëm, të nxirrnin Penicilinën aktive të pastër në të mirë të njerëzimit!
Kudo ku shkonte, Flemingu mbante në xhep xhama (lama) me mykun e Penicilinumit, si një gjë të çmuar dhe, ja u tregonte të tjerëve me urtësi, sikur, kërkonte ndihmë për nxjerrjen e penicilinës së pastër.
Në një darkë, në tavolinë, pranë kishte një zonjë.
Flemingu nxjerr nga xhepi xhamin me mykun e penicilinës dhe i drejtohet zonjës:
– E shikon këtë? Këtu është e ardhmja e shëndetit të njerëzimit.
Zonja e pa në sy Flemingun, dhe, e habitur i thotë:
– Ky është vetëm një xham i pistë…!
Në gusht të vitit 1939 Flemingu me Sarën shkuan në Nju-Jork, të ftuar në Kongresin e III-të Ndërkombëtar të Mikrobiologjisë. Flemingu ishte i lumtur kur mori vesh aty se, puna e tij, e kryer me aq kujdes në spitalin e vogël Sent-Meri ishte bërë e njohur përtej oqeanit dhe u kishte ngjallur interes shkencëtarëve.
Mbrëmjet i kalonin me shkencëtarët amerikanë në sallonin e duhanit me gotën e birrës përpara. Bisedat rrotulloheshin rreth punës shkencore, për luftën (lufta e dytë botërore), për plagosjet, për infeksionet.
***
Dr. Flori, profesor në universitetin e Oksfordit, nëpërmjet literaturës u njoh me punën e Flemingut mbi Lizozimën. Lizozima ju duk temë interesante për studim të mëtejshëm.
Dr. Çejni, që drejtonte sektorin e Biokimisë në universitetin e Oksfordit, ju duk mjaft interesante kumtesa e Flemingut për penicilinën, që ishte mbajtur në vitin 1929. Dr. Çejni, nga Flemingu mësoi se “ekziston një lëndë, që ka cilësi antibakteriale,shumë premtuese”.
Në vitin 1939 Çejni e filloi studimin e Penicilinës. U ngrit grupi i punës së Oksfordit me shkencëtarë të rinj: Dr. Florin, Dr. Çejni dhe bashkëpunëtorë të tjerë shkencorë.
Shkencëtarët e Oksfordit, pas një pune të gjatë këmbëngulëse me eksperimente të shumta, më në fund arritën të veçonin në formë të koncentruar, të qëndrueshme dhe, pjesërisht të pastruar lëndën e mrekullueshme, që kishte cilësi të habitshme: vriste mikrobet pa dëmtuar qelizat e organizmit.
Erdhi çasti i provës vendimtare në vitin 1940 me tri grupe minjsh të infektuar. Flori, Çejni dhe bashkëpunëtorët e tjerë flinin në laborator dhe çdo tre orë zgjoheshin nga zilja e sahatit.
Pas 16 orëve ngjau çudia: minjtë e pa mjekuar ngordhën, kurse minjtë e mjekuar shpëtuan.
Për Flemingun, njoftimi i parë i grupit të Oksfordit nga Dr. Flori dhe Dr. Çejni të botuar në ‘LANCET”, ishte e papritura më e gëzueshme në jetën e vet.
Më në fund, pas 10 vjetë pritje, ëndërra e Flemingut u bë realitet!
Flemingu nuk i njihte dhe, nuk qe takuar asnjëherë më parë me Florin dhe Çejnin. Flemingu shkoi në Oksford që të takohej me Florin dhe me Çejnin.
Çejni u çudit shumë kur dëgjoi se Flemingu po vinte, ai tha:
– O Zot! Mendova se kishte vdekur.
Flemingu me mirësinë e tij i tha Çejnit:
– Ju arritët të përpunoni lëndën time. Ja, me të tillë shkencëtarë – kimistë ëndërroja të punoja në vitin 1929.-
Në vitin 1941 penicilina u injektua tek të sëmurët me një përmirësim të menjëhershëm të gjëndjes shëndetësore. Dr. Flori, i entusiazmuar nga suksesi i penicilinës, interesohej pranë qeverisë britanike për prodhimin industrial të ilaçit çudibërës. Por, përgjigja ishte negative. Ishte koha e Luftës së Dytë Botërore.
Shkencëtarët e Oksfordit shkuan pothuajse, në të gjitha ndërmarrjet e mëdha kimike në Angli, Spanjë, Francë dhe në SHBA, por, merrnin përgjigje pezmatuese.
Drejtuesit e ndërmarrjeve kimike dhe farmaceutike gjykonin se, nuk kishin fitim. Në SHBA shkencëtarët e Oksfordit me dr. Florin në krye u kërkonin bizesmenëve amerikanë, vetëm që, të organizohej prodhimi i penicilinës për të mirën e njerëzimit. Ata nuk kërkonin që, të ruanin patentën për zbulimin e tyre, por, vetëm t’u jepej mundësia financiare për vazhdimin e studimeve të tyre klinike.
Gjatë viteve 1940-1942 për Aleksandër Flemingun pothuajse nuk flitej. Punimet e tij shkencore qenë harruar. Shkencëtarët botonin njoftime mbi zbulime që, ata i quanin me sinqeritet si të tyret, ndërsa këto fakte shkencore ishin përshkruar më përpara nga Flemingu.
Gazeta “Tajms”, si kryeartikull “Penicilinium” fliste për shpresat e mëdha që kishte ngjallur Penicilina, e cila ishte 100 herë më e fuqishme se sulfamidet, por, fatkeqësisht, në kryeartikull nuk përmëndej as emri i Flemingut si zbuluesi i parë i saj dhe, as grupi i shkencëtarëve të Oksfordit, që nxorrën Penicilinën e pastër aktive.
Dr. Rajti “Plaku”, i indinjuar nga kryeartikulli, i dërgon një letër “Tajms”: -Sër, në kryartikullin tuaj të djeshëm për penicilinën, ju nuk ia dhatë degën e palmës atij që i takon, atij që bëri këtë zbulim, që punon në laboratorin tonë të kërkimeve shkencore, profesor Aleksandër Fleming “Palmam qui meruit ferat”.
Aleksandër Fleming e zbuloi i pari penicilinën dhe i pari, që parashikoi se,kjo lëndë mund të gjejë përdorim të gjerë në mjekësi.
Letra e Dr. Rajtit drejtuar “Tajms” pati ndikim tepër pozitiv në shtypin e kohës dhe në rrethet shkencore mbi të vërtetën shkencore të zbulimit të Penicilinës.
Flemingu i heshtur u bë favorit i gazetarëve dhe publikut. U mbyt nga lumi i letrave, telefonata pafund, intervista, ftesa nga gazetarë dhe njerëz të shquar nga të gjitha vendet e botës.
Flemingu modest dhe origjinal, bashkëbiseduesve gjithmonë u kujtonte meritat e Dr. Florit dhe Dr. Çejnit në këtë sukses të jashtzakonshëm.
Në gusht të vitit 1942, Flemingu provoi vet aplikimin e Penicilinës tek një i afërm i tij, i shtruar në Sent-Meri në gjëndje të rëndë me mening.
I kërkoi Dr. Florit në Oksford, që t’i dërgonte pak penicilinë të pastër. Dr. Flori, bujar, i dërgoi penicilinë të pastër , por me kusht, që ky rast të futej në numrin e vrojtimeve të grupit të Oksfordit.
Pas aplikimit të Penicilinës, i sëmuri doli nga gjëndja e rëndë. Në ambientet e spitalit Sent-Meri ndjehej triumfi i Flemingut në shkencë. Më 25 shtator 1942 u organizua një mbledhje në Portlend Haus, ku morrën pjesë: Flemingu, grupi i shkencëtarëve të Oksfordit dhe përfaqësues nga ndërmarrjet kimike dhe farmaceutike, ku do të përcaktoheshin standardet e prodhimit të Penicilinës dhe të preparateve të Penicilinës: aplikim lokal me pomada, tableta dhe inxheksion i.m dhe i.v.
Në treg kishin dalë kremëra të ndryshëm me penicilinë, pika për sy, tableta dhe kremra kozmetike. Uzinat perfeksionuan teknologjinë e prodhimit të penicilinës dhe prodhimin e saj në sasi të madhe, që u vu në dispozicion të të plagosurve në luftë dhe të shruarve në spital.
Në vitin 1943 Flemingu u zgjodh anëtar i Shoqërisë Mbretërore, shoqëria më e vjetër dhe më e nderuar e Britanisë së Madhe, e themeluar në vitin 1660.
Njutoni kishte qenë president i shoqërisë për disa vite. Dr. Rajti ishte anëtar i kësaj shoqërie. Për shkencëtarin, që bëhej anëtar i kësaj shoqërie, do të thoshte, që anëtari të bëhej i denjë për nderin më të madh, që mund t’i bënin kolegët.
Me këtë rast miqtë e Flemingut në spitalin Sent-Meri, profesorët dhe kolegët me në krye shefin Dr. Rajtin, i organizuan një ceremoni, duke i dhuruar një pjatë të argjentë. Në shenjë falenderimi dhe mirënjohje, Flemingu tha:
– Në jetën time kam pasur disa gëzime të vogla që më kanëe gëzuar, por duhet të pranoj ndershmërisht se, sot është dita më e shënuar e jetës sime, sepse ju, mësuesi im, i respektuar (Dr. Rajti), ju, shokët dhe studentët e mi jeni mbledhur këtu që të më nderoni.
Autoritet qeveritare lejuan përdorimin e Penicilinës për mjekimin e popullsisë civile. Pjesa teatrale e Bernard Shout “ Dilema e mjekut” u bë realitet.
Publiciteti i firmave farmaceutike dhe i reklamave në gazeta, që e paraqesnin penicilinën si ilaç magjik për të gjitha sëmundjet, Flemingun e shqetësonin:
– Unë kurrë nuk kam thënë se, Penicilina mund të shërojë çdo sëmundje. Këtë e
kanë thënë gazetat… Ajo ka efekt të çuditshëm vetëm për disa sëmundje, ndërsa, për disa sëmundje është krejt e paefektshme.
Më 25 tetor 1945, Flemingu mori një telegram, me anë të të cilit i njoftohej se, atij, Florit dhe Çejnit u ishte dhënë çmimi NOBEL në mjekësi.
Në vitin 1945 Flemingu erdhi në Francë, i ftuar nga qeveria franceze. Me një pritje solemne në Akademinë Mjekësore, ai ndjeu vlerësim të jashtzakonshëm.
Prof. Robert Debre (“babai” i pediatrisë moderne franceze) kujton: “Te Flemingu të habiste kujdesi i madh në dhënien e gjykimeve, ai donte të mbështetej gjithmonë në fakte…”.
Pritje solemene Flemingut iu organizuan në Itali, Danimarkë dhe Norvegji. Flemingu ngeli njeri i thjeshtë dhe i sjellshëm dhe pas lavdisë. Kur vinin vizitorë të huaj në Institut për ta uruar, ata habiteshin:
– Si? Ky është Flemingu i lavdishëm? Flemingu ishte i lumtur që mundi ta kalonte provimin më të vështirë të jetës së tij- Lavdinë, midis periudhës së jetës nga laboratori dhe spitali i vogël Sent-Meri deri tek akademitë dhe shoqëritë shkencore botërore… Flemingu ishte mishërimi i njeriut të pastër, të ndershëm dhe të sinqertë, pa asgjë artificiale.
Mbrëmjet i kalonte tek klubi i Çelsit. Pinte një gotë birrë dhe kënaqej me bisedat me artistët. Klubi i piktorëve në Çelsi ishte vetëm për njerëzit e artit.
Në klub hynin dhe disa anëtarë nderi, midis të cilëve ishte dhe Flemingu. Flemingut iu lutën që të pikturonte një tablo, në mënyrë që të përligjej pranimi i tij në klubin e artistëve. Flemingu, në fshat, me penela, me ngjyrat dhe kanavacën, pikturoi një lopë nga ferma e tij. Por, piktura nuk i ngjante fare lopës…
Miqtë e tij artistë, pasi panë pikturën, i thanë Flemingut:
– Faleminderit! Kjo është një mrekulli, tamam, këtë deshëm.
Piktorët hapën një ekspozitë, ku ishte dhe piktura e lopës së Flemingut.
Pranë pikturës, Flemingu dëgjon dy zonja të moshuara në moshë, që flisnin me njera tjetrën, duke parë pikturën e lopës:
– Më duket se është lopë, por nuk e dalloj dot mirë se, çfarë është…?
E moshuara tjetër i thotë:
– Ky, art i ri, me sa duket ka ndonjë kuptim, por, unë nuk mund ta kap se, çfarë kuptimi ka?
Flemingu e ndjeu veten ngushtë. Në sallën e ekspozitës pa një shokun e tij dhe i thotë:
– Të lutem, bleje tablon e pikturës sime dhe, lekët e saj do të t’i jap unë.
Kështu u bë. Në klubin e artistëve u mor vesh ky humor…
Flemingu u zgjodh anëtar i klubit për gjithë jetën. Ai i mjekonte falas anëtarët e klubit, ose, i ndihmonte kur kishin probleme, që të shtroheshin në spitalin Sent-Meri.
Flemingu, kënaqësinë e vërtetë “bio” e ndjente kur ishte në familje. Sara, me gjithë lavdinë e Flemingut, mbeti po aq e thjeshtë dhe besnike ndaj shokëve dhe miqve të vjetër të Flemingut.
***
Më 1 tetor 1946 në spitalin Sent-Meri, në kabinetin e Flemingut u paraqit për specializim në fushën e bakteriologjisë mjekja e re greke Amalia Kucuris- Vureka.
Amalia në fillim u gjend e ndrojtur para emrave të mëdhenj të shkencës si Dr. Rajti dhe Flemingu “Nobelist”. Dr. Rajti i përgjante me portetet parahistorike greke, kurse Flemingu “Nobelist” me hije të rëndë, fliste pak, me zë të ulët, pa i hapur buzët, duke mbajtur cigaren në anë të gojës.
Në vitin 1947 Dr. Rajti vdiq, mësuesi i jashtzakonshëm i Flemingut.
Flemingu ishte profesor i bakteriologjisë dhe u emërua drejtor i Institutit. Ngarkesa në punë iu shtua. Ai, krahas punës shkencore në laborator, duhej të qëndronte në zyrë dhe të merrej me anën administrative të Institutit.
Fal tipit të tij serioz, të ndershëm dhe të qetë, në mes kolegësh kishte harmoni dhe bashkëpunim në punë. Shpesh organizonin festa dëfrimi dhe sportive. Profesori, gjithmonë ishte i prirur për t’i ndihmuar, i inkurajonte dhe gëzohej me sukseset e tyre në punën shkencore.
Kënaqësinë e kishte kur dilte nga zyra dhe zbriste shkallët për në laborator.
Gjithmonë kolegët i pyeste:
– Vrojtuat ndonjë gjë interesante në mikroskop?
E shprehte gëzimin në fytyrë, kur i thoshin: – Po.
Kur kolegët donin të botonin ndonjë artikull shkencor në revista, profesori u thoshte që, emrin e tij ta vendosnin pas emrit të tyre se, po ta vendosnin të parin, redaksia e revistës mund të linte vetëm emrin e tij dhe emrat e tjerë nuk i vendoste, duke i zëvendësuar me etj.
Interes të veçantë tregonte profesori për ecurinë shkencore të Amalisë, specializantes greke. Ai gëzohej në heshtje, pa e shprehur, për ecurinë shkencore të saj dhe, që, ajo, gëzonte respektin e kolegëve, si e vetmja femër mjeke, që punonte në laborator.
Amalia, me mirësjelljen e saj, u bë mysafire e shpeshtë në shtëpinë e Flemingëve, në Çelsi. Sara e pëlqente Amalinë për sjelljen, e papërtuar, vishesh thjeshtë dhe pastër. Në punët e shtëpisë e ndihmonte Sarën, veçanërisht në darkat që shtronin për miqtë. Në tregun e fshatarëve dilnin sëbashku dhe kujdesoheshin që, të blenin ato gjëra, që i pëlqenin Alekut.
Nganjëherë, Amalia shërbente si përkthyese në mes të Flemingëve dhe mysafirëve të shumtë të huaj. Amalia fliste tri gjuhë dhe Flemingut kjo i dukej e jashtëzakonshme, por, krenohej për specializanten e tij.
Një ditë në shtëpinë e Flemingëve në Çelsi kishte ardhur një gazetar i huaj për të intervistuar Aleksandrin. Amalia shërbente si përkthyese. Në fund të intervistës, gazetari i kërkoi një fotografi Aleksandrit për gazetën.
Amalia përfitoi nga momenti dhe, ju lut profesorit që t’i jepte dhe asaj një fotografi. Aleksandri bëri sikur nuk e dëgjoi. Sara, bujare në shpirt, i thotë Aleksandrit:
– Alek, jepi dhe doktoreshë Amalisë një fotografi.
Amalia e falenderoj profesorin me përulësi për fotografinë.
***
Në vitin 1948 Flemingu u nis përsëri për në SHBA, ku ishte ftuar për leksione me studentët: fjalime të thjeshta dhe bindëse për auditorin.
Në SHBA ndjeu gëzim dhe zemërim.Vuri re se, familja e antibiotikëve rritej gjithnjë e më shumë bazuar tek prodhimi primar i Penicilinës.
Kur Fleming mësoi për patentimin e metodës së prodhimit të penicilinës në Shtetet e Bashkuara nga Robert D. Coghill dhe Andrew J. Moyer në vitin 1944, ai u tërbua nga zemërimi dhe komentoi:
– E gjeta penicilinë dhe e kam dhënë falas për të mirën e njerëzimit. Pse duhet të bëhet një monopol fitimprurës i prodhuesve në një vend tjetër?
Flemingu, kur u kthye në Londër e gjeti të shoqen, Sarën në gjëndje të rëndë shëndetësore. Flemingu ishte shumë i dëshpëruar që, nuk mund ta ndihmonte dot shoqen e tij të jetës për gjatë 34 vjetëve në familje dhe në shkencën e zbulimit të Penicilinës. Flemingu ishte i ndërgjegjshëm për disfatën me njeriun më të ngushtë të jetës:
– Më e tmerrshmja është se Penicilina nuk mund t’i ndihmojë asaj, nuk ka vlerë për Sarën!
Sara vdiq në nëntor të vitit 1948.
Flemingu, në moshën 67 vjeçare, mbeti krejt vetëm, dukej si një plak i mjerë, me ato duar që i dridheshin. Roberti, djali i tij ishte bërë mjek.
Në laborator qëndronte më gjatë dhe mbrëmjet i kalonte në klubin e Çelsit të artistëve, duke luajtur bilardo dhe me gotën e birrës.
Tani, e vetmja gjë që, i jepte zemër Flemingut dhe, që e mbante aktiv, ishte puna në laborator dhe në Institut. Vajtja e Dr. Amalisë në laborator i shtonte energjitë për punë të mëtejshme shkencore.
Prof. Flemingu e ftonte nganjëherë doktoreshën e re greke që ta shoqëronte në ndonjë mbrëmje në akademi, apo, në ndonjë ceremoni solemne.
Amalia e nderonte me mirësjelljen dhe kulturën e saj.
Flemingu, pasi qe kthyer nga një udhëtim, për herë të parë e ftoi Amalinë të kalonte të shtunën dhe të dielën në shtëpinë e tij në fshat.
Amalia u njoh me të papriturat e punës së Flemingut në fshat: punishten e kishte kthyer në laborator të mobiluar me dollape dhe rafte të vjetër, në tavolinë kishte aparate të shtrenjta si dhuratë, si dhe, aparaturat e bëra vet, blloqe shënimesh, kallama peshkimi, galloshe dhe çizme për të ecur në livadh gjatë punës në fermë.
Në fund të kopshtit kishte ngritur një punishte, ku, në ditët me shi bënte punë të ndryshme me sharra elektrike dhe me vegla të tjera pune.
Amalisë i pëlqeu shtëpia e qetë dhe e rehatshme, natyra, lulet, pemët dhe riviera e lumit.
Më në fund Amalia e mbaroi periudhën e specializimit dhe u kthye në Athinë, ku u caktua drejtuese e laboratorit në spitalin e Athinës.
Pas largimit të specializantes së vet greke, Flemingu dukej si i hutuar.
Nga Athina, Amalia i dërgoi një letër prof. Flemingut, ku i shkruan për emërimin e saj si drejtuese laboratori në spitalin e Athinës, duke e falenderuar profesorin e saj.
Flemingu e lexoi letrën e Amalisë dhe me kujtimet më të mira i dërgoi letër, ku, e uroi për emërimin e saj në laborator dhe, mëtej i shkruan:
– Dhe, këtu, karrigen e ke bosh në laborator…!
Flemingu u caktua anëtar i një komisoni të UNESKOS, që merrej me organizimin e konferencave mjekësore ndërkombëtare.
Gjatë kësaj kohe, duke punuar në Sent-Meri e njftojnë se, nga një grup i gjërë studentësh Aleksandër Flemingu u zgjodh rektor i Universitetit të Edinburgut në Skoci (posti i rektorit ishte post nderi, pa u shkëputur nga puna e tij shkencore në laboratorin Sent-Meri).
Flemingu u kënaq shumë që, e zgjodhën me shumicën dërmuese të votave si rektor. Në fjalën e tij në auditorin e universitetit të Edinburgut thotë:
– Në studimin e çdo problemi, hapat e parë shkencëtari i bën vetëm. Ndërsa, përpunimi i mëtejshëm kryhet bashkë me të tjerët.
N.q.s. në spitalin Sent –Meri me Flemingun do të kishte punuar dhe një grup kimistësh, penicilina e pastër do të ishte nxjerrë shumë vjetë më parë, sesa, kur arriti ta bënte grupi i shkencëtarëve nga Oksfordi.
Në tetor 1952 në Athinë u organizua një konferencë ku, do të merrte pjesë dhe Flemingu. U nis për në Athinë me dëshirë. Në aeroport u prit nga Amalia me një buqetë të bukur me lule dhe me miqtë e saj. Universiteti i Athinës ngarkoi Dr. Amalinë që, të organizonte gjithçka me rastin e vajtjes së Flemingut: takimet, leksionet, mbledhjet, vizitat, eskursionet.
Amalia ishte e lumtur që, mund t’i shërbente si shoqëruese dhe si përkthyese Flemingut. Flemingu, me shpirtin e tij, sa sportiv e, po aq dhe artistik, i shijonte vëndet e bukura me histori hyjnore në Athinë, vizitat në ishullin Rodos dhe këngët e bukura nën tingujt e orkestrës me buzukun e famshëm grek.
Amalia, dëgjonte me këshëri bisedat e Flemingut me kolegët dhe, si grua e zgjuar, ishte mjaft komplementare për tipin e Flemingut me të tjerët. Flemingu ishte mjaft i shoqërueshëm dhe i këndshëm kur takonte bashkëbisedues, që kishin interesa të përbashkëta për shkencën. Nuk reagonte kur bisedat ishin pa kuptim dhe me fjalë të pista.
Greqia, që në mëngjesin e parë, e magjepsi Flemingun:
– Kur u zgjova dhe hodha sytë nga dritarja e dhomës, përpara meje ngrihej Akropoli madhështor… diçka e paharrueshme.
Greqia ushtroi tek ai një forcë të madhe tërheqëse, fal dhe njohurive të tij për mitologjinë greke, por, dhe nga tregimet që, Amalia i kishte treguar më parë për bukuritë e Greqisë, apo, nga vargjet e recituara me pasion nga Dr. Rajti.
Flemingu ndjeu një ngrohtësi dhe një mikpritje të përzemërt në Greqi, të cilën nuk e kishte ndjerë gjatë gjithë udhëtimeve të tij në botë.
Në Athinë u zgjodh anëtar i Akademisë së Athinës dhe, i organizuan një ceremoni solemne: ju dha qytetar nderi i Athinës.
Në Greqi e mbuluan me nderime. Në këtë vizitë të mrekullueshme disa ditore Flemingu e ndjeu, e çmoi dhe e vlerësoi shumë kujdesin e veçantë të Dr. Amalisë.
Natën e fundit, Flemingu dhe Amalia hëngrën darkën bashkë për të fundit herë.
Në darkën e fundit, Flemingu i ndrojtur dhe i turpshëm, me zë të ulët, ju drejtua Amalisë:
– Ju pyeta nëse, pranoni të martoheni me mua…?
Ajo e vështroi i habitur profesorin dhe nuk i besonte veshëve. Në moment, ju përgjigj, duke vendosur dorën e saj me butësi mbi dorën e profesorit: – Po.
Më 9 prill 1953 u bë martesa në Bashkinë e Çelsit. Miqtë e Flemingut e aprovuan martesën e tij me doktoreshën Amalia Kucuris-Vureka, e cila kishte karakter të fortë, sinqeriteti dhe shpirtmirësie, me mjaft mend dhe njohuri.
Udhëtimet e Flemingut, tani, sëbashku me Amalinë, vazhdonin me sukses si në Kubë, Nju-Jork, Francë, Greqi. Gjatë udhëtimeve jashtë vendit, Amalia, që rrinte gjithë kohën pranë tij, vuri re se, jashtë Anglisë, Flemingu ishte më pak i turpshëm se zakonisht, më i lirshëm në diskutime me kolegët…
***
Në janar të vitit 1955 Flemingu u largua nga posti i drejtuesit të Institutit, por vazhdoi punën, si zakonisht për ditë në laboratorin Sent-Meri. Tani, artikujt flisnin për një punë të përbashkët të nënshkruar nga Aleksandër e Amalia Fleming.
Të premten, në mëngjesin e datës 11 mars 1955, Flemingu, duke dalë nga banja në shtëpi, kishte shtrëngime në gjoks, u zbeh në fytyrë dhe, befas, ra në tokë me fytyrë përpara. Amalia e tronditur kërkoi menjëherë ndihmën mjekësore, por Flemingu refuzoi me këmbëngulje.
Aleksandër Flemingu, më 11 mars 1955 vdiq papritur, nga një atak në zemër, pa asnjë ndihmë mjekësore! Aleksandër Flemingu vdiq në moshën 74 vjeçare, ashtu si jetoi: me modesti, me trimëri dhe në heshtje.
Aleksandër Flemingun e varrosën në katedralen e Shën-Pavlit me një ceremoni madhështore.
Dr. Amalia Kucuris-Vureka vdiq në vitin 1986.
Pas vdekjes, emri i Aleksandër Fleming zuri vend nderi në mbarë botën: në institucione shkencore, në rrugë, apo, aty ku Flemingu kishte shkelur.
Laboratori në Spitalin St Mary, ku Flemingu zbuloi penicilinën, është Muzeu Fleming . Në Londër, sheshe dhe rrugë mbajnë emrin e Aleksandër Fleming.
Në Athinë , një shesh i vogël në qendër të qytetit dhe numër rrugësh mbajnë emrin e Flemingut dhe bustin e tij, ose të gruas së tij të dytë greke, Amalias.
Epilogu
Aleksandër Flemingu bëri përmbysje në mjekësinë botërore moderne në mesin e shekullit të XX-të , duke u renditur ndër tempujt e mjekësisë botërore.
Zbulimi i Flemingut për Penicilinën, kishte krijuar një industri të madhe farmaceutike, duke prezantuar epokën e antibiotikëve të dobishëm, që kanë shpëtuar dhe, ende, po shpëtojnë miliona njerëz në mbarë botën.
Kompanitë e mëdha farmaceutike lulëzuan me fitime kolosale…
Aleksandër Flemingu, nga viti 1921 deri në vdekjen e tij në vitin 1955, zotëronte vetëm një shtëpi fshati të quajtur “The Dhoon” në Barton Mills, Suffolk!!
Referenca
Mbështetur, kryesisht, tek libri “ Alexandre Fleming” shkruar nga André Maurois, shkrimtar francez (1885 – 1967).