Albspirit

Media/News/Publishing

Isuf Luzaj: Musine Kokalarit

(Heroinë dhe martire)

Shoqe ideali në errësirë furtune

Panoramë burbuqesh ngjyra e përfume

Krijesë e ngjashme me kopësht të SADIUT

Pjellore në vepra si Hafëz Shirarzhiu

Transforma shkretine në pemishte Parajse

Odiseja jote pa shembull të përngjashme

Hëm vashë, hëm muzë, hëm hero beteje

Çudite trimat e asaj kohe rrebeje

Jetë këngë e bukur dashurije

Hurma për hije, në shkreti Arabije

Përpjekjes: punën; atdheut flijim

Idesë dhëmbjes, dekallogut shëndetin

Murgeshë mesjetare frymëzimit të pastërt

J’a kalove gjatë e gjërë, Joana Darkës

Të të njihte do të ngrinte monument francezi

Me shpirt transformimi popujt i ndezi

Për atë ide q’u bëre therore ti

Testamentin tënd do ta gjëmojë deti

Si një zgjua bletësh në shpirt të poetit

Jetë ëndërrimesh, symfoni tingëllimesh

Të të njihte Bahku do kish mbushë pentagramin

Virtyte qiellore, jehona rënkimesh

Për padrejtësitë tmerr i tiranit

Jetë delikate Kristal Venetiku

Vjollcë nënë borë, nën rrezet të hënës

Nga ty mori shembull therorijë armiku

Sëmundja fatzezë s’ta preu teftikun

Të rrëmbeu vdekja veç me puthje të nënës

Ti deshe t’ja dhuroje luftës fuqinë tënde

Shërbëtore e kombit me shkrim e me mëndje

Jetë mrekullije si Luçija shenjtore

Nën aspektin modest të gjëravet foshnjore

Pakë të kuptuan në patë përleshje çëmëndje

Për ty s’mjafton një këngë trishtimi e zije

As kënga e dhemshur e një zemre pleqërije

Litani të një fakiri mërgimi

Ti shkrije borën kur i hidhje vështrimin

Sytë si dy zjarre perëndishë Mythiollogjije

Për ty do gjëmojë legjenda udhëtare

Mbi të dy ditët, mbi të shtatë malet

N’altarin e kombit ule kokën therore

Pa u kujdesur kanosjesh gjaksore

Jetën nga djepi kulturës kombëtare

J’a dorrëzove tiranisë në spitale

Erdhi e të mori Donika për dore

Do të të këndojnë brezat shqiptare

Heroinë e mendimit, heroinë luftëtare.

Një ditë do të skaliten statuja kujtimore

Ç’do kënd t’atdheut. Në shkolla fillore

Mësim i përjetshëm: Historisë Kombëtare

Që ti e udhëhoqe me thjeshtësi malësore

Jetën atdheut, shpirtin për altare

Të falet nderit ç’do zemër shqiptare

Që ndjen e ëndërron ndjenja IDEALI!

***

ISUF LUZAJ – “MUSINE KOKALARIT” – (DORESHKRIM)