Cikël poetik nga Fejzë Demiri
Për shpirtin tim asgjë tamam
Pi ujë të ndotur
Oksid karboni thith
Rropos murin e themeltë
Për shpirtin tim
asgjë tamam
E kaloj kohën marramenthi
Buzë xingonës.
Në zemër mbaj një gur
Një thes me gur mbaj mbi shpinë
Përplasem lumenjve, deteve, pyllit
Murmurimë e nëndheshme.
Kohë
Edhe kur nga mjerimi do të na pllakos dhimbja
Ne do të sfilitemi, në terratisje qielli
Do ta lëvizim gurin qindravjeçar
Përreth teje kohë nuk do të lëmë të mbin bar,
drizë, murishtë
Në drurin e murriztë do t’i gjakosim duart,
Vetëm ti të hapërosh tutje
Të mos jetosh me gjysmëfrymë
Në terr të natës do të zgjohemi.
Të mos lëmë as vrimë urithi të na gërmojë dheun
Me bollëk do të kemi
Bahçja edhe në dimër do lulojë
Dielli dritëdhënës do na zhdukë
Njëherë e përgjithmonë mugëtirën, mjegullnajën
Qielli nuk do të jetë më i errët dhe i mbuluar me re
Do të kemi dritë, dritësim e dritëjetë.
Më merr malli
Më merr malli për blirin erëkëndshëm
rreth shtëpisë
Qetas sodis bukuri, mallëngjim e kërshëri
vendlindjeje
Nemitem kur shoh zogjtë krahmprehtë
që fluturojnë me aq zhdërvjelltësi
Mahnitem nga kënga e tyre, nga zëri i hollë
Cicërimat e tyre sjellin gjallim, bleron livadhi
Aguliçet do na sjellin pranverën
Më merr malli për bukën e pjekur me miell drithi
Për mikpritjen shqiptare me bukë, kripë e zemër
Sa shumë e dua gjuhën e gjakut tim
Trimërinë, fisnikërinë e bujarinë shqiptare
Në gur mulliri e ruajtën fjalëshqipen, bujarinë,
besnikërinë e traditën.
Loti
Sa rrëpishëm pikon loti
Të zhytur thellë të bën si qenie
Edhe zemrës i vjen gjynah për lotin
Ashtu si lotit që i vjen për zemrën.
Qirinj për dritë
Sa qirinj janë ndezur
Për të larguar këtë terr
Ama nuk e kam ditur
që terri shuaka të gjithë qirinjtë.
Jeta
Si një taketuke cigareje
Para saj shkunden shpirtrat
Në gjumin e përjetshëm.
Porta e zemrës
Kurdo që e ndien veten të vetmuar
Mund të hapësh portën e zemrës sime
Aty ende ka vend për hyrjedaljet.
(Marrë nga libri poetik “REGËTIMA TË PADUKSHME KOHE” të Fejzë Demirit).