Albspirit

Media/News/Publishing

Spiro Kote: Gjëra të vogla

Cikël poetik


Gjëra të vogla…

Unë jam një gjenerator i vogël,
ndez një llampë në errësirën time,
i jap një grimë drite,
sa të mos shuhet nata brenda meje.

Ti je një gjenerator i madh,
ndez një stinë,
lëviz motet e shpirtit
pa u ndalur.

Më jep një stinë—
një pranverë të vogël, nëse mundesh—
që të harroj dimrin tim,
që të harroj veten
për një çast drite.


Në dritën tënde

Në dritën tënde
vogëlsia ime nuk rri—
ajo digjet,
shndërrohet,
bëhet një qiell që s’e kam njohur kurrë.

Por digjet si flakëz
një shpërthim i shkurtër drite
që më lë duarëbosh.

Dhe mbetem
mes asaj që u ndez
dhe asaj që u fik,

pa lumturinë që më kaloi nëpër trup,
si një kujtesë
që errësohet ngadalë
pa zë.


Angështi e fjalës

U tha diçka,
u thanë fjalë pa sythe mrndimi,
si rroba të hedhura aty- këtu,
pa u gjetur vend në varëse,
a sirtarëve të thënies .
Ndroja …?!
Ah, ndroja – ndryshk mendimi ,
mbërtheu kyçet e fjalës
e zuri vend,
si brymë, ngricë,
në prag pranvere .
Pezull kërcisnin hapat e thatë.
Pezull mbeti ndjenja,
në angështinë e fjalës,
pa gjetur pistë,
ku të ulej .

Lermë të të dua

Lermë të të dua
me ngjyrën që merr fjala kur ndizet,
me ëmbëlsinë e mjaltit në buzë të heshtjes,
pa hije helmi në fyt,
pa dridhje pikëpyetjesh në sy.

Lermë të të dua
si avull që ngrihet nga thellësia ime
e bëhet frymë në gjoksin tënd,
si flakë që më djeg
deri në ajrin që marr.

Mos më kurse nga kjo djegie—
ajo është e vetmja dritë që njoh.

Poezi e bukur,
lermë të të dua
deri në humbje.


Edhe me krahë

Edhe me krahë prej ere
zogu nuk ngrihet,
kur zemra i rëndon në tokë
si një rrënjë që nuk duket.

Sepse pesha nuk është në trup,
por në atë që s’e lë të largohet.

Fluturimi lind
vetëm kur diçka këputet brenda,
kur zemra mëson të mos mbajë.

Dhe sapo ajo prek tokën,
qielli mbyllet pa zhurmë.

Krahët janë vetëm një mundësi—
ndërsa fluturimi:
një akt guximi.


Mjaftojnë

Mjaftojnë
Dy duar.
Dhjetë gishta:
Shqiptari
flamurin
e merr në frymë,
Në gjak—
kuqezi
brendon shqiponjën,
pastaj
në heshtje
end jetën.
në gjethe
mëndafshi…