MEK kundërshton ish-oficerin e CIA-s: Deklaratat e John Kiriakou janë “gënjeshtra të pastra”
Si reagim ndaj deklaratave të ish-oficerit të CIA-s, John Kiriakou, të bëra gjatë një episodi të podcastit të Tucker Carlson mbi Organizatën Popullore Muxhahedine të Iranit (MEK), fragmente të së cilës u publikuan edhe nga mediat në Shqipëri, vetë organizata ka dërguar një reagim zyrtar ku kundërshton pretendimet e ngritura prej tij.
Në reagimin e saj, MEK i cilëson deklaratat e Kiriakou si “gënjeshtra të pastra” dhe “përsëritje të narrativave të regjimit iranian”, duke pretenduar se ato nuk kanë “asnjë bazë dokumentare apo faktike”.
Organizata kundërshton pretendimin se ka operuar nga Iraku gjatë viteve ’70 apo se ka qenë përgjegjëse për sulmet ndaj objektivave amerikane në Iran. Sipas reagimit, MEK ishte aktive brenda Iranit në atë periudhë dhe u zhvendos në Irak vetëm në vitin 1986, ku krijoi Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare.
MEK kundërshton gjithashtu deklaratat mbi historinë e drejtimit të organizatës dhe pretendimet lidhur me Maryam Rajavi, duke i quajtur “trillime në stil hollywoodian” dhe pjesë të një fushate të gjatë diskreditimi nga regjimi iranian.
Në reagim hidhen poshtë edhe pretendimet se organizata është hequr nga listat e terrorizmit përmes lobimit financiar. Sipas MEK-ut, heqja nga listat në SHBA, Europë dhe Britani erdhi pas proceseve gjyqësore dhe vendimeve të gjykatave, të cilat konkluduan se përcaktimi si organizatë terroriste nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore.
Në fund, organizata kërkon publikimin e reagimit të saj në emër të “së drejtës së përgjigjes”, duke argumentuar se publiku duhet të ketë mundësi të njihet edhe me versionin e saj të ngjarjeve.
Reagimi i MEK
Së pari, pretendimi se MEK krijoi baza në Irak në vitet 1970 dhe kreu operacione terroriste prej andej është plotësisht i rremë. Në atë periudhë, MEK ishte aktiv brenda Iranit dhe udhëheqja e tij ndodhej kryesisht në burgjet e Shahut. Në fillim të luftës Iran-Irak në shtator 1980, anëtarët e MEK-ut mbrojtën territorin iranian kundër pushtimeve irakiane. Organizata u zhvendos në Irak vetëm në vitin 1986, ku formoi Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe parimet e njohura të luftërave çlirimtare, duke përfshirë Konventat e Gjenevës.
Së dyti, pretendimi se Sadam Huseini e dëboi MEK-un nga Iraku është i pasaktë. Pas rënies së ish-qeverisë irakiane, ata ishin nën rrethim dhe sulme kriminale nga forcat përfaqësuese (proksi) të regjimit iranian për vite me radhë në Kampin Ashraf dhe më pas në Kampin Liberty. Një numër i madh i muxhahedinëve u vranë dhe u plagosën nga breshëritë e raketave dhe sulmet e ndryshme nga regjimi iranian dhe agjentët e tij në Irak. Në fakt, anëtarët e MEK-ut mbetën në Irak deri në vitin 2016 – më shumë se një dekadë pas rënies së qeverisë së Sadam Huseinit – dhe më pas u transferuan në vendet evropiane, përfshirë Shqipërinë, përmes një përpjekjeje të koordinuar me pjesëmarrjen e OKB-së, SHBA-së dhe BE-së.
Së treti, pretendohet në mënyrë të rreme se MEK u themelua në vitet 1960 nga një çift i martuar. Në fakt, organizata u themelua në vitin 1964 nga tre të diplomuar në universitet: Mohammad Hanifnejad, Saeed Mohsen dhe Ali-Asghar Badizadegan. Vlen të theksohet se individët e prezantuar në artikull si themelues ishin vetëm 12 dhe 17 vjeç në atë kohë, gjë që në vetvete tregon pavlefshmërinë e plotë të këtij pretendimi.
Së katërti, atribuimi i serisë së vrasjeve të amerikanëve në Iran ndaj MEK-ut është një tjetër pretendim i përsëritur i regjimit iranian. Hetimet nga zyrtarët amerikanë dhe rishikimet e Departamentit të Shtetit kanë sqaruar se këto veprime u kryen nga një grup marksist i shkëputur, i cili më vonë ndryshoi identitetin e tij dhe nuk kishte asnjë lidhje me organizatën autentike të MEK-ut. E njëjta çështje u shqyrtua plotësisht nga ana ligjore edhe gjatë procesit të heqjes së emrit të organizatës nga listat e terrorizmit.
Së pesti, pretendimi se MEK u hoq nga listat e terrorizmit përmes lobimit financiar është plotësisht i pabazë. Heqja e organizatës nga këto lista u bë pas veprimeve të gjera ligjore në gjykatat e SHBA-së, Evropës dhe Britanisë së Madhe; në fund, gjykatat vendosën se ky përcaktim nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore dhe urdhëruan heqjen e tij. Në mënyrë të ngjashme, pretendimi se MEK merr fonde nga qeveritë e huaja është publikuar vazhdimisht nga regjimi iranian pa asnjë provë të besueshme. E vetmja pikë e saktë e përmendur në artikull është se iranianët jashtë vendit e mbështesin vullnetarisht këtë lëvizje financiarisht. Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, si një lëvizje e pavarur, është mbështetur vetëm në burimet njerëzore dhe financiare të mbështetësve të saj dhe popullit iranian brenda dhe jashtë vendit për më shumë se gjysmë shekulli. Pavarësia financiare garanton pavarësinë politike të kësaj lëvizjeje. Nuk ka asnjë dokument që tregon marrjen e ndihmës qeveritare nga kjo organizatë dhe të gjitha aktivitetet e saj financohen përmes donacioneve publike (Telethons), transparenca e të cilave është vërtetuar shumë herë.
Së gjashti, thashethemet rreth udhëheqjes së rezistencës dhe spastrimeve të brendshme organizative, të cilat origjinojnë nga regjimi diktatorial që sundon Iranin — një regjim që e ka përsëritur saktësisht këtë taktikë qindra herë gjatë 47 viteve të kaluara me skenarë të ndryshëm — janë krejtësisht të pabazuara. Këto trillime në stil hollywoodian që po qarkullojnë janë tërësisht gënjeshtra dhe tërësisht pa vlerë.