In memoriam, Tatyana Samoilova, muza e kinemasë ruse
Saimir Kadiu
Tatyana Samoilova (4 maj 1934- 4 maj 2014), ishte “the Russian Audrey Hepburn!”, por me një melankoli më të thellë dhe një tragjizëm që buronte nga historia e vendit të saj.
Kinemaja ruse kujton aktoren e madhe në përvjetorin e saj të lindjes (4 maj 1934) dhe të vdekjes (4 maj 2014).
Samoilova, vajza e vetme e aktorit Yevgeny Samoilov dhe Zinaida Levin (me origjinë hebreje) lindi në San Petërburg më 4 maj 1934.
Tatyana Samoilova ishte stërmbesa e regjizorit më të madh rus të teatrit “Konstantin Stanislavsky”, (1863-1938).
Familja e saj lëvizi në Moskë ku Tatyana e vogël u rregjistrua në shkollën e njohur “Stanislavsky and Nemirovich-Danchenko Music Theatre” ku studjoi për balet.
Ishte vetë e madhja Maya Plisetskaya që i ofroi një mundësi në “Balshoi Teatër”, por ajo zgjodhi Institutin e Teatrit “Boris Schukin”.
Ndërsa ishte studente ajo debutoi në kinema me filmin “Meksikani” të regjizorit Vladimir Kaplunovskiy.
Padyshim Samoilova është aktorja më e madhe e kinemasë sovjetike, midis një grupi të shkëlqyer aktoresh si Lyudmila Gurchenko, Zhana Bolotova, Anastasia Vertinskaya, Isolde Izvickaya, Olga Aroseva, Elina Bystritskaya, Lyubova Orlova, Elena Solovey, Elena Shanina, Marina Ladynina, Olga Ostroumova, Nadezhda Vasilyevna Rumyantseva, Lyudmila Savelyeva, Natalia Varley, Irina Alferova, Ludmila Chursina, Ninel Myshkova, Ariadna Shengelaya, etj.
E njohur ndërkombëtarisht me rolin e Veronikës, në filmin e Mikhail Kalatozov “Shtegtojnë krillat”, një nga filmat më të suksesshëm të kohës që mori edhe “Palmën e Artë” në Festivalin e Kanës në vitin 1958.
Me rolin e Veronikës në “Shtegtojne krillat” (1957), Samoilova u bë simbol i dhimbjes dhe shpresës së një brezi të plagosur nga lufta. Shikimi i saj i thellë, lëvizjet e buta dhe intensiteti emocional e shndërruan në një figurë universale të dashurisë dhe humbjes. Filmi fitoi Palme d’Or në Cannes, duke e vendosur atë në panteonin e yjeve botërorë.
Në vitet ’60, ajo interpretoi role të tjera të fuqishme, si Anna Karenina në ekranizimin e Aleksandr Zarkhi (1967), ku shpalosi tragjedinë e një gruaje të ndarë mes pasionit dhe detyrës. Karriera e saj u ndërpre shpesh nga kufizimet e regjimit sovjetik, që i mohoi mundësinë të punonte në Hollywood, megjithëse Pablo Picasso e kishte parashikuar si një yll ndërkombëtar.
Artistikisht, Samoilova mishëronte një poetikë të brendshme: fytyra e saj ishte si një ekran ku pasqyroheshin dilemat e kohës, ndërsa zëri i saj i butë mbartte një melankoli të përjetshme. Ajo ishte një aktore që nuk luante thjesht personazhe, por i shndërronte në simbole të gjendjes njerëzore.
Gerard Philipe i dhuroi orën e tij dhe e ftoi të luante me të Ana Kareninën…
Erdhën oferta e para jo vetëm nga SHBA, (Los Angeles), por edhe nga produksione evropiane.
Me kthimin në atdhe ëndrrat për karrierë në Perendim u shuan. Qeveria sovjetike i kishte gati arsyet e ndalimit…
Tatyana Samoilova është ende studente…
Luan një film tjetër të madh në 1959 (“Letra që kurrë nuk u dërgua”) dhe në kulmin e famës humbet vendin e punës në Teatrin ‘Majakovski’ dhe mbetet e papunë për disa vjet!
Shfaqet përsëri në filmin e regjizorit italian Giuseppe De Santis “Sulm dhe tërheqje” për të ardhur pastaj në vitin 1967 tek roli i saj më i madh, ai i Anna Kareninës, në filmin e Aleksandr Zarkhi, ku luan krahas ish bashkëshortit Vasily Lanovoy ( i pari nga katër bashkeshortët e saj).
Nëse Lyudmila Gurchenko konsiderohej si një Judy Garland, nëse Anastasia Vertinskaya ishte Vivien Leigh e kinemase sovjetike, nëse Elina Bystritskaya – interpretuesja e paharruar e Aksinjes, krahasohej me Liz Taylor, nëse Ariadna Shengelaya – aktorja mbresëlënëse e Tatyana Larina ne filmin Evgeni Onegin,(1958), mbeti figura me aristokratike e kinemase sovjetike, nëse Lyubova Orlova ishte ishte një Marlene Dietrich ruse e viteve 30’, apo Lyudmila Savelyeva – aktorja emocionuese që sfidoi interpretimin e Audrey Hepburn në rolin e Natasha Rostovës në filmin epope “Lufta dhe Paqja” të Sergey Bondarchukut… Samoilova ishte gjithçka… më e talentuara, më njerëzorja, më e dashura dhe mbi të gjitha ishte shpirti rus i kinemasë sovjetike.
Në një festival të zhvilluar në Gjermaninë Lindore në vitet 60’, admiruesit e saj të shumtë i dhuruan një orë me dedikimin “më në fund shikuam në kinemanë sovjetike një fytyrë e jo nje maskë”…
Në vitin 1993 u nderua si Artiste e Popullit e Rusisë dhe në 2007 mori çmimin e jetës artistike në Festivalin e Filmit të Moskës.
Jeta private e Tatyana Samoilovës ishte e pasur me dashuri, por edhe e trazuar nga ndarjet. Ajo u martua katër herë, pati një djalë dhe jetoi mes lavdisë artistike dhe sfidave personale.
Tatyana Samoilova pati katër martesa, të gjitha të përfunduara me divorc:
1. Vasily Lanovoy (aktor i madh sovjetik) – martuar 1955, u divorcuan në 1958.
2. Valery Osipov (1959–1968) – nga kjo martesë lindi djali i saj, Alexey.
3. Eduard Mashkovitch (1968–1973).
4. Sol Shulman – martesa e fundit, gjithashtu e përfunduar me divorc.
Tatyana Samoilova ishte një muzë e kinemasë sovjetike, një aktore që shndërroi ekranin në poezi. Ajo mishëronte kontrastin mes brishtësisë femërore dhe forcës shpirtërore, duke e bërë çdo rol një reflektim të kohës së saj. Në fytyrën e saj, publiku shihte jo vetëm një personazh, por edhe një epokë të tërë. Trashëgimia e saj mbetet një testament i fuqisë së artit për të kapur dramën universale të dashurisë, humbjes dhe shpresës.
Tatyana Samoilova ishte ura që lidhi kinemanë ruse me botën, duke e bërë atë të kuptohej jo si propagandë, por si art i vërtetë.
Megjithë famën e madhe vdiq në varfëri të plotë në pervjetorin e 80-të lindjes, më 4 maj 2014.
Në ceremoninë e varrimit, Iosif Kobzon, këngëtar dhe deputet i parlamentit rus tha: “Tashmë është e turpshme të flasësh para trupit të saj të pajetë. Jeta e Samoilovës ështe një tregues se si janë trajtuar figura të tilla të kulturës ruse”.