Agron Shabani: E bukura e dheut…
Fustani prej lëkurës së tigrit, i cili më tepër ngjante në pancir ose prazmore, se sa në veshje femre (gruaje), vazhdimisht sikur i tundej trupit, duke ia kruar dhe gudulisur lëkurën. Sandalet e thurura me gjithfarë ngjyrash dhe gurësh të çmuar me plot elegancë, sikur thenin gurët e kalldrëmit të qytetit në rrugën e shtruar veç nga dora e Zotit. Aromat e luleve dhe qiparisave në gufitje, e mbushnin me dëshirë dhe bujari të pa fshehur flladin e mbrëmjes së qytetit të minatorëve.
Asaj i duheshin disa minuta të vinte në zyrën e saj ne qendrën e qytetit, për te shkruar ose raportuar për gazetën e preferuar “B. S.” dhe gazeta të tjera.. Ishte kohë lufte…!
Në anën tjetër të rrugës toka i vinte e pjerrët dhe… prej nga aty dikund pari dukej si një kodër e vogël e mbuluar me tym dhe pluhur metalik. Ajo kishte vendosur të ndërronte fustanin si prazmore, prej lëkurës së tigrit me pantallona të qepura me stofra lufte që po ndodhte në atdheun dhe vendlindjen e saj. Ishte e vendosur deri në betejën e fundit. “O vdekje, o liri”, i thoshte vetit. E rinuar me cohë të luftës, ajo vazhdonte të ecte pa u ndalur deri ne fitore. Edhe sandalet e saj të pëlqyera i vazhdonin hapat bashkë me zonjën e bukur dhe hijerëndë. Rruga për në shtëpi i vinte e përpjetë. Në anën e djathtë dallonte një tufë lulesh të shtrira përtokë që mezi prisnin t´i çelnin sytë. Ndërkaq, hapësira jetësore, gjeografike dhe historike rreth saj, sikur rriteshin ose zgjeroheshin vazhdimisht në sytë e saj gacë. E përqafuar nga rrezet e diellit qe i shkëlqenin në uniformën dhe kapelën e saj kuq e zi, ajo vazhdonte rrugën… Nuk i trembej askujt.
Në qytet sikur nuk flinte më askush. E derdhur ose shtrirë mbi krevat, përtej trupit të saj valë, vazhdimisht i sikur i këputej “qiparisi i shpirtit”… Kishte kaluar muaj, javë dhe net të tëra pa dritë e pa hënë. Si papritur u kujtua së kishte harruar në dollap çantën me ngjyrë lufte, e cila tashmë brenda mbante diellin dhe hënën e mahisur atdhetare ose vendlindore. Kjo mbase, edhe e arsyetonte mungesën e saj të kohëpaskohshme në faqet e gazetave shqiptare në kohë lufte… Përderisa dielli i rrinte gjithnjë i pranishëm në sytë e saj gacë. Aty ishin edhe kujtimet e mbyllura në çantë. Lakmonte dyshekun kuq e zi për të fjetur sall një natë në kohë lufte. Ngjante në pirate si Teuta e llirisë, e cila thuhet se i çoi ose mbylli në dollap, edhe pengjet ose skllevërit e saj. Vazhdonte të shihte dhe navigonte kujdesshëm kudo përreth saj se ku ishin tretur ose përpirë aq misterëshëm e mira dhe e keqja. Në kërkimet ose gjurmimet e saj me sytë e ditënetëve të luftës, i dallonte hiroglifët, dokumentet dhe mbishkrimet e shkruara nga dora e fortë e Teutës që po qëndronin aty që nga koha e luftërave iliro-romake. Në to sikur thuhej: Këtu përzihen shpesh ujërat e njelmëta me ato të ëmbla dhe të kristalta. I pëlqente rruga e kthimit dhe mali i mbjellë me drunj ahu, bungu dhe qiparisi. Frika nga vdekja kishte mbetur e fjetur bashkë me kohën e egër te robërisë dhe tiranisë serbe e cila nuk ishte më aty si dikur. Ajo i vazhdonte hapat e saj prej sorkadheje drejt majave të gazetarisë shqiptare. Mbi i njërin krahë i mbante Zeusin dhe Aresin, ndërsa mbi krahun tjetër- Erosin dhe Prometheun. Të menduarit se liria ishte afër e joshte të ecte me vrap të madh kah drita, duke menduar se e kishte hënën në vend të dritave ose qirinjve. Prerazi kishte vendosur të kthehej bashkë me lirinë që e mbante të “burgosur “në çantën e saj ngjyrë gjaku që e kishte mbyllur në dollap. “Do e hapi sapo të vijë (vjen) liria e shumëpritur atdhetare ose vend lindore! Do i nxjerrë nga aty diellin dhe hënën dhe do flejë e qetë natën e parë të lirisë me aromë gjaku. Duke ecur dhe vazhduar rrugën ´via ignatia” e cila çon kah Venediku, Roma, Vjena, Zagrebi, Berlini, Parisi, Londra dhe Uashingtoni”, i thoshte shpesh vetes. Çante përpara me hapa sorkadheje si Teuta- rrugën për në dhomën e saj ku ishte dollapi i mbyllur me çantën e kujtimeve nga lufta… Nuk shkoi gjatë dhe i zbardhi dhe dritësoi një ditë kujtimet dhe shënimet e saj mbi luftën çlirimtare dhe heroike të UÇK-së… Nuk vonoi shumë dhe kapërceu edhe prangat, grilat ose zinxhirët e fundit të robërisë dhe tiranisë serbe, duke u futur në një kohë dhe botë tjetër ku zhbironin dhe frekuentonin dekoruese e ledhatuese rrezet e diellit. Ishte një ditë e re… Ag (agim) i ri… Rrezet ledhatonin altarin që rrinte në këndin intim i fshehur me perde te kuqe në anën e djathtë të dhomës së pritjes. Në altar, flinte ose pushonte një lutje, tash e sa kohë! Ishte dëshira për jetë dhe liri. Ngjante në zogj të shqiponjave me pamjen e ashpër si Teuta… I hapte krahët si shqiponja qe shpeshherë puçëshin dhe bëheshin bashkë me njëra tjetrën duke krijuar kështu një vëllazëri qiellore dhe nënqiellore të gdhendur, skalitur dhe stolisur në shkrimet ose kolumnat e saj gazeteske-publicistike. Futi mendjen, artin dhe dorën e stolisur me unaza dhe bylyzykë që i shkonin gjer te bërrylat e saj në kompjuter ose makinën e shkrimit… Kapi me rrembim të fortë çantën e saj ngjyrë gjaku, e cila mezi e njohu zonjën e vet pas luftës. Me ato duar të praruara dhe ata gishtërinjtë të stolisur, u shndërrua në simbol apo ikonë dhe princeshë të shekullit ose epokës moderne të gazetarisë kosovare. Çanta e saj nuk bëri zë. Sikur u pajtua me zonjën e bukur, tunduese, ekskluzive dhe ekzotike. Ishte e lodhur nga pesha e luftës dhe llahtarit të plojës serbe që po i mbante të fshehura brenda saj… Por, paksa sikur ishte hidhëruar në zonjën e saj, e cila e kishte harruar të mbyllur me robërinë e ngujuar brenda në të. Mbi supet e zhveshura nga vapa, i ranë ca pika loti dhe vese që kullonin nga mëngjesi i lindur mbi shtratin e madh. Sakaq, u drodh dhe u kujtua se duhej liruar diellin dhe hënën e mbyllur (ngujuar) në “çantën e kujtimeve” të luftës. Ndërkohë që thonë se i kujtohej shpesh shtrati kuq e zi dhe ditë netët e gjata me aromën e pyllit dhe qiparisave të bollshme atje. Ishte heroina e heshtur, por e bukur dhe ekzotike e kohës së përgjakur e cila së bashku me ardhjen e lirisë së shumëpritur atdhetare dhe vendlindore, u shndërrua në ikonë dhe instancë të lartë morale. Thonë se çdo kohë dhe çdo stinë i kanë heronjtë dhe heroinat e veta. E sidomos stina e lulëkuqeve të lirisë.