Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Iris Halili: Pse mungesa e Liderit në revolta shumë herë është përparësi!

Në këto ditë historike për Shqipërinë, pyetja që bëhet nga të gjithë është: Ku është lideri apo cili është ai qoftë edhe në hije? Dashamirësit duan të shohin një lider në krye, pasi pa një të tillë mendojnë se rinia mund të hutohet, të humbasë orientimin dhe lëvizja mund të shuhet dalëngadalë. Skeptikët gjithashtu e kërkojnë liderin, pasi me një të tillë duket sikur revolta është më serioze, më pak dyshuese dhe rezultatet vijnë më shpejt.

Ata që shpresojnë dështimin e revoltës pyesin vazhdimisht për liderin, në mënyrë që të fillojnë të merren me analizat e karakterit apo të shkuarës së tij, gjë që do të hiqte vëmendjen nga kërkesat e revoltës.

Duhet pranuar se pyetjet se cili apo ku është lideri janë mëse të natyrshme. Aq me tëpër kur për kaq vite në tranzicion ne kemi patur liderë në krye të podiumeve, por nuk kemi patur një marshim të tillë popullor. Sot kemi protesta, por nuk kemi lider!

Çfarë po ndodh? Populli ynë ndër vite u ka folur liderve të tij në forma nga më të ndryshmet, por politikanët e tranzicionit largimin nga vendi apo indiferentizmin popullor e lexuan si favor për rritjen e pushtetit personal dhe jo si një uragan që një ditë do të vinte me këto përmasa. Që nga viti 1991, kur rinia përmbysi bustin e Enver Hoxhës, Shqipëria nuk kishte parë një shpirt të tillë qytetar dhe patriotik.

Ata që kanë dalë sot në shesh janë fëmijët e atyre që protestuan në vitin 1991 dhe më ngjan sikur këta bij dhe bija do të përfundojnë atë që ne nuk mundëm dot: Shqipërinë si gjithë Europa! Kjo gjeneratë po u thotë të gjithëve: “Ne nuk ikim nga Shqipëria, ndaj e duam atë ndryshe! Një Shqipëri të re”! Teorikisht lideri është i nevojshëm të jetë në krye apo drejtojë kur njerëzit nuk janë të orintuar apo informuar. Por kur shohim se protestuesit me rininë në krye i kanë të qarta kërkesat, prania e një lideri nuk do të sillte asgjë të re.

Duhet të kujtojmë se historia botërore njeh kaq shumë revolta apo revolucione popullore të cilat kanë lindur dhe janë zhvilluar shumë përpara se të dilnin liderët e tyre. Në fakt liderët më të sukseshëm nuk emërohen. Ata e marrin misionin e lidershipit krejt natyrshëm dhe pikërisht kur koha apo njerëzit i thërrasin. Kur mijëra e mijra të rinj, dhe jo vetëm, mblidhen në sheshe pa një figurë karizmatike në krye, do të thotë se revolta buron nga shpirti i shoqërisë shqiptare. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse mungesa e liderit në këtë revoltë duhet konsideruar më shumë si përparësi sesa si dobësi, pasi ajo kështu nuk duhet të identifikohet me një person.

Në fund të kësaj analize e pranojmë se mungesa e liderit nuk është problem në fazat e para të çdo revolte të fuqishme, apo deri sa ajo të ketë arritur fitoret e para. Në fazat e mëvonshme lideri është i domosdoshëm. Kjo pasi asnjë lëvizje nuk mund të mbijetojë pafundësisht pa një lidership përfaqësues dhe efektiv. Urojmë këtë herë të mos jetë i emëruar, as i blerë, as i shitur, as soroist dhe as komunist. Ndoshta më në fund do të kemi fatin që për herë të parë, pas shumë shekujsh, të realizojmë fjalët e heroit tonë kombëtar, Skënderbe i cili padyshim na ka dhënë edhe leksionin më të madh të lidershipit dhe patriotizmit shqiptar: “Lirinë nuk ua solla unë. Atë e gjeta mes jush”!/gazeta dielli