Cikël poetik nga Xheni Krypi

Zjarr
Kaq herë kam mbyllur brenda
shpirtit tim ndjenjat,
nga frika
se mos më braktisnin të tjerët.
Por brenda meje
zjarr i padukshëm ndizte,
letrën e mendimeve
e kthente në hi.
Tashmë jam larguar
nga vetja ime,
dhe digjem më thellë
se çdo letër që tretet
në flakët e vegimeve.
Të dashuruarit e tradhëtuar
Unë kisha një llampë me vaj,
ti dritën…
Kush e shiti fitilin?
Ndoshta nata vetë,
apo duart që premtuan,
e pastaj u shuan në terr.
Dashuria u dogj
pa shkëndijë,
pa zjarr,
veç hijeve që mbetën
si kujtime të lagura në mjegull.
Tani,
llampa ime fle e fikur,
e ti shëtit diku tjetër,
nën dritë të huaj.
Gjethet e kuintave
Një gjethe iu këput degës,
si balerinat e erës
vallëzuan mbi dritë e hije kuintash.
Mbrëmja me mëngjesin
psherëtijnë nga verdhësia;
në krahët e përshëndetjes u tret,
e në degë mbeti
vetmia.
Ku je?
Unë brenda teje —
një vend i ngushtë e i pafund,
një ishull me dritë që s’ka perëndim.
Ti nuk e ndjen pulsin:
A ecën me mua nata,
apo ndriçon botën time me hapat e tua?
Në çdo frymë, në çdo heshtje,
pyetja shtiret si hije —
je ti pranë zemrës sime,
apo thjesht rrjedh brenda botës sime?
Vetëm me shikime
U zhytëm në atë botë të heshtur,
Ti flisje nga sytë,
Unë heshtjen e mbaja në duar.
Me shikime u futëm
në një botë pa emër.
Ti flisje me dritën e syve,
unë me heshtjen time që dridhej.
Ti ecje, unë të prisja,
takimet na i lidhte
një puthje –
në ardhje e ikje.
Ti ecje drejt meje,
unë prita çdo hap,
takimet na i vuloste një puthje
– fillim e mbarim i një rruge.
Intimiteti i mesit
mbeti si fshehtësi e yjeve,
asnjë fjalë nuk guxoi
ta zbërthente.
Nga dalja e asaj bote
unë derdha lot,
ti qeshe lehtë,
si një jetim që qesh
për të fshehur boshësinë.
Mbi rërën e lagur
Tek ecnim mbi rërën e lagur,
shikimi tek ti më mbeti.
Të pyeta lehtë: “Sa më do”?
Ti sytë i ktheve nga deti…
Fjala humbi mes dallgëve blu,
si sekret që vetëm deti e di.
E unë mbeta me pyetjen pezull,
ndërsa zemra ime priste përgjigjen tënde aty.