Një mbrojtës europian kërkohet për të mbrojtur lidershipin shqiptar “fuqiplotë”
Luan Rama
Meqë protestat vazhdojnë gjithnjë e më shumë duket se sot lidershipi shqiptar Edi Rama kërkon një mbrojtës europian që t’u thotë shqiptarëve të revoltuar se ai është në të drejtën e tij. Që me fillimin e protestave, kryeministri i ka denigruar ata duke vënë në shërbim të një propagande të gjerë mediatike ku një pjesë e mirë e mediave mbahen në këmbë nga oligarkë e biznesmenë që nuk duan të prishet statukuoja aktuale pasi gjithçka do të cenojë pasuritë e tyre gjithnjë e më shumë të dyshimta. Protestuesit nuk meritojnë të tallen drejtpërdrejt nga kryeministri, edhe kur dhe ata të revoltuar nuk arrijnë ta përmbajnë fjalorin e tyre. Protestat vazhdojnë dhe toka duket se po i rrëshqet nën këmbë.
E kam parë Edi Ramën që në vitin 1993 kur erdhi urgjent i plagosur me hekura në kokë nga bandat e presidentit Berisha, duke iu referuar njëkohësisht Brehtin në kohërat e errta të Gjermanisë. Kam shkruar dhe e kam mbrojtur atë pasi ai përfaqësonte një njeri që u ngrit kundër arbitraritetit dhe dhunës ditatoriale. E kam mbështetur gjithashtu në kohën kur si kryetar bashkie i Tiranës, shkatërroi me një kurajo të jashtëzakonshme ndërtimet kaotike buzë Lanës, në një kohë kur Berisha ngriti një Komision Parlamentar për ta dënuar për veprimet e tij. Me këtë rast, në shtypin shqiptar, e konsiderova atë si baronin Hasusmann, prefektin e Parisit, i cili kishte pësuar të njëjtin reaksion nga klasa politike dhe intelektuale franceze e gjysmës së dytë të shekullit XIX, në kohën kur ai po transformonte fytyrën e Parisit dhe po krijonte një urbanistikë me të cilën Franca krenohet sot. E kam mbështetur gjithashtu në kohën që pushteti i Berishës perëndonte dhe kërkohej një rotacion politik drejt së majtës.
E kam mbështetur pa interesa dhe këtë ai e di fare mirë. Por sa më shumë koha kalonte pas mandatit të parë, nisi të mbytej “zëri ndryshe” brenda partisë së tij, nisi të shtohej korrupsioni dhe krijimi i një oligarkie të lidhur gjithnjë e më shumë me politikën në pushtet. Edhe Berisha donte të hynte në histori përmes forcës duke mos pranuar asnjëherë ta lërë drejtimin e partisë së tij, një parti që degjeneroi dhe nuk u rinovua për fat të keq. Edi Rama gjithashtu, dhe për habinë e shumë miqve të tij, nisi të pëlqente vetveten. Narcisizmi nisi ta pushtonte atë brenda tij, sikur Zoti edhe atij t’i kishte dhënë të njëjtin mision mesianik për të çuar Shqipërinë në një të ardhme madhështore. Dhe pikërisht këtu filloi rrënimi i personalitetit të tij. Pakënaqësitë u shtuan jo vetëm brenda Partisë dhe administratës shtetërore, por dhe korrupsioni i ministrave të tij u kthye në çështje të ditës. Duhet ta pranoj se optika e tij europianiste ishte ajo që duhej dhe për këtë duhet ta përgëzoj, por kjo nuk mjafton për një lidership modern të një vendi që kërkon transparencë, mbrojtje të interesave kombëtare, një jetë më të mirë. Si në planin kombëtar, por edhe me fqinjët nisën “non-sens”-et e tij politike në marrëdhëniet e Kosovën por dhe përuljen ndaj Greqisë duke mos kërkuar asnjëherë reciprocitet dhe duke mohuar në planin historik çështjen çame deri aty sa të thotë se nuk ka territore shqiptare në Greqi, ndërkohë që komuniteti minoritar grek gëzon gjithë të drejtat në Republikën tonë.
Nëse dikush do të proklamonte se s’kemi figura të tjera politike veç Edi Ramës gabohet rëndë. Kjo Shqipëri ka plot personalitete që mund ta drejtonin këtë vend paqësisht, në mënyre jo arbitrare dhe autoritare dhe unë do të thoja se qenia e tij si kryeministër tashmë ka mbaruar, pasi ndryshe do të ishte një shkak destabilizimi permanent.
E ardhmja e Shqipërisë është e përcaktuar tashmë. Europa i ka drejtuar Shqipërisë rrugën dhe përpjekjet që duhet të bëjë ende pa dhënë afate, pasi vetëm një Shqipëri e standardeve europiane mund të integrohet plotësisht në Europën e Bashkuar. Rrugë tjetër për Shqipërinë nuk ka. Një Parti Socialiste nën tutelë, gjithnjë me kundërshtarë që eliminohen brenda saj dhe anatemohen, një parti ku nuk lejohet një zë kundër, ndryshe nga ajo e kryeministrit-kryetar partie, është një problem i madh pasi kështu kjo parti nuk mund të jetë një parti progresiste kur mungon fryma demokratike dhe mendimit i lirë brenda saj. Do duhej një lidership i ri politik, një teknicien dhe administrator i shquar që nuk bën pjesë në partitë politike, i cili me mbështetjen dhe të mazhorancës socialiste të drejtonte vendin deri në zgjedhjet e ardhshme dhe ku populli të vazhdonte përzgjedhjen e tij në mënyrë të lirë e demokratike.
Emanuel Makron është sot një nga liderët më të shquar të Europës, i cili i ka mbështetur vendet e Ballkanit dhe veçanërisht Shqipërinë. Padyshim që këta qindra mijra protestues që dalin në rrugë do ta shqetësojnë atë. Ai do ta kuptojë zemërimin e popullit, do të kuptojë se Shqipëria nuk ka nevojë për kryeministra që diktojnë në mënyrë të vrazhdë dhe konfliktuale. E kam adhuruar që në fillimit e tij si president dhe e admiroj për atë çka ai bën në shërbim të popullit francez, por dhe në mbrojtjen e lirisë së popujve dhe paqes në Europë dhe në botë me një kurajo të jashtëzakonshme.
Ai nuk mendoj se do të bëhet avokat i shkaktarit të kësaj anarkie dhe zemërimi popullor. Jam i bindur se shqiptarët e revoltuar do ta dëgjojnë edhe fjalën e tij. Nuk është vetëm Edi Rama që punuar për integrimin drejt Europës së Bashkuar, por një ekip i madh negociatorësh në fusha të ndryshme për të arritur standartet e kërkuara. Pra afrimi i Shqipërisë drejt Europës së Bashkuar nuk është frut vetëm i një njeriu siç na shitet. Nuk ka pse të përvetësohen meritat e të tjerëve. “Un”-i është fillimi i krizës së çdo lidershipi.