Kryebashkiakja e Roskovecit Majlinda Bufi, takim zyrtar me homologun e Lefkadas, Xenofon Verginis
Sokol Guga


Një vizitë jo vetëm zyrtare, por një takim mes fqinjësh, miqsh dhe institucionesh që ndajnë të njëjtin vullnet për të ndërtuar ura bashkëpunimi.
Me ftesë të Kryetarit të Bashkisë së Lefkadës, Dr. Xenofon Verginis, u zhvillua një vizitë dhe takim institucional në ambientet e Bashkisë së Lefkadës, me fokus forcimin e marrëdhënieve mes dy komuniteteve dhe krijimin e një partneriteti afatgjatë.
Në qendër të diskutimeve ishte procesi i binjakëzimit mes dy bashkive, si një hap konkret drejt institucionalizimit të bashkëpunimit dhe afrimit të mëtejshëm mes qytetarëve.
Gjithashtu, palët diskutuan mbi krijimin e grupeve të përbashkëta teknike, të përbëra nga stafet e të dy bashkive, të cilat do të punojnë për identifikimin e mundësive të reja të bashkëpunimit, shkëmbimin e eksperiencave dhe aplikimin në projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Një tjetër pikë e rëndësishme ishte ndërtimi i një partneriteti të qëndrueshëm për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe krijimin e modeleve pozitive të bashkëpunimit në Ballkan dhe rajon, duke qenë se të dy qytetet janë pjesë e platformës B40 Balkan Cities Network.
Vizita në Lefkadë u pasurua edhe me pjesëmarrjen në Edicionin e 64-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar, një aktivitet me traditë që solli një tjetër eksperiencë mbresëlënëse dhe dëshmoi fuqinë që kanë kultura, folklori dhe traditat në afrimin e popujve.
Takimi në Lefkadë shënon një hap të rëndësishëm drejt një bashkëpunimi të ri institucional, kulturor dhe ndërqytetar.
Ky është vetëm fillimi i një rruge të përbashkët, ku fqinjësia, miqësia dhe vullneti i mirë për bashkëpunim do të jenë prioritet.