Jani Malo: NGA DARVINI TE RAMA
Charles Darwinit iu desh të bredhë oqeanet me anijen Beagle, të mbledhë fosile, të vëzhgojë breshka e zogj ekzotikë dhe pastaj harxhoi vite për të shkruar ‘Mbi origjinën e specieve’. Edi Ramës i mjaftuan tri javë protestë për të pasuruar faunën politike shqiptare me flamingo, sorra, korba dhe krijesa të tjera që presin të regjistrohen në katalog. Për këtë u mjaftua të lerë mënjanë breshkat e tij, të injorojë Edenin ekzotik dhe të zgjedhë logorenë gjuhësore për studimin e tij shkencor mbi biodiversitetin shqiptar. Në mungesë të regjistrimit të popullsisë, vendosi të bëjë regjistrimin e faunës.
Në fillim ishte vetëm Bufi i Kënetës. Një specie politike që jetonte në moçalet e kundërshtarëve dhe ulërinte natën për të trembur elektoratin. Pastaj erdhën flamengot, një shpend elegant, me këmbë të gjata dhe sqep të lakuar. Kryeministri i vështroi me dashamirësinë e një zoologu që sheh një specie të rrallë, por shumë shpejt zbuloi se rreth tyre fluturonin sorrat, që u futën nën puplat e flamingove, duke dëshmuar për herë të parë në historinë e biologjisë se një sorrë mund të maskohet si flamingo pa iu ndryshuar ADN-ja.
Ajo që e zgjoi këtë vullnet zoologjik qe padyshim Revolucioni i Flamingove. Çfarë mutacioni i frikshëm gjenetik, mendoi kryeministri kur e dëgjoi për herë të parë. Dinosaurëve të vjetër u kanë ngjitur krahë rozë dhe qafa të gjata për t’i paraqitur si shpendë elegantë e perëndimorë. Por unë ua njoh anatominë. Sikur të qëndrojnë mbi një këmbë deri në ditën e 100-të ai që do e pësojë është stomaku i tyre dhe ai që do fitojë jam unë dhe durimi im.
Nëse protesta do të vazhdojë edhe ca ditë, nuk do të ishte çudi që në shesh të identifikojë iriqë deti, balena e foka, apo edhe peshkaqenë me habitat në Lanë.
Shkenca ende nuk ka dhënë shpjegim pse kafshët u zhvendosën papritur nga savana e pyjet, nga deti e këneta e gjetën strehim në gojën e Ramës. Zoologët dyshojnë për një mutacion gjuhësor, ndërsa gjuhëtarët ia lënë fajin metaforës.
Ky zell i Edi Ramës për zoologjinë gojore zgjoi nga letargjia edhe një profesor të njohur të gjuhësisë. Kur dëgjoi për klasën Llapaqorrave (ata që flasin pa parë realitetin makroekonomik) e deri tek të Qorrallapave (krijesa që shohin botën vetëm përmes thuprave të avllisë opozitare), ai vetë mbeti pa frymë, por arriti në përfundimin se kontributi dhe talenti i këtij njeriu do e linte edhe shkencën pa frymë. Mori guximin dhe i shkroi Edi Ramës:
” -Lëre politikën. Madje hiq dorë edhe nga piktura. Ti duhet të mbrosh urgjentisht një doktoraturë për llojshmërinë e kafshëve dhe gjuhën e tyre. Ky është profesioni yt për kohën kur të mos jesh më në atë zyrë. Unë do t’i propozoj Akademisë për ty një “Doctor Honoris Causa në Zoologji Gjuhësore”.
Ti je zoologu i parë në botë që nuk hyn në pyll për të kërkuar kafshët. Ke Facebook-un. Madje edhe po dole ose para deputetëve të tu, ato të shfaqen vetë. Çdo status i yti është një safari gjuhësor, ku herë kap një buf, herë tremb një tufë sorrash dhe, kur lodhesh nga të gjitha këto, u drejtohesh flamingove me dashurinë e një rojtari kopshti zoologjik që ka humbur çelësat e kafazit.
Megjithatë, në studimin tënd ka një padrejtësi të madhe. Ke një harresë…”.
Kryeministri ndërpreu leximin e letrës. U drithërua.
Ra në mendime të thella. Ç’të qe kjo harresë?
Ndërkohë një mushkonjë, pa u vënë re, duke shmangur me mjeshtëri rojat, dronët, kamerat dhe këshilltarët, arriti të depërtojë në zyrën e tij. Me një guxim të paparë, i fishkëlleu në vesh:
-Po unë pse nuk jam pjesë e studimit tënd?
Shkencëtari i madh u vrenjt në fytyrë.
Ndonjëherë, në shkencë, gjërat prishen “për pesë pare spec”. Jorgani i pushtetit mund të digjet edhe për një mushkonjë. Pushteti mund të ketë roje me gardistë edhe për algoritmet, por nuk ka shpikur ende doganë për insektet. Mund t’i rrethosh flamingot, mund t’i mbyllësh gojën bufit të kënetës dhe mund t’i lesh pa fjalë llapaqorrat e qorrollapat, por ja që një mushkonjë e vetme, pa asnjë gradë shkencore, kërkon edhe ajo vëmendjen tënde.
Ngriti dorën ta godiste. Jo për ta vrarë. Për ta larguar andej nga erdhi, sepse një laborator nuk përdor dhunë, por përbuzje akademike.
Por nuk e shmangu dot pickimin. Jo në hundë. Jo në vesh.
Në vendin e vetëm ku edhe pushteti detyrohet të kruhet me dy duar.