Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Gurët biblikë shtegtojnë nëpër natën e errët të Çamërisë

—–

Si mund të vdesim kështu kaq larg pa gurët tanë?

—–

Ku shkojnë këta njerëz me xhepat plot gurë tek kalojnë me nxitim nëpër Çamëri dhe shpejt marrin udhët e botës? Shqiptarë të Amerikës, të Australisë, Europës, nga të gjithë kontinentët, shkojnë me xhepat e çantat me gurë duke udhëtuar përtej Greqisë e Shqipërisë. Ku vallë i çojnë këta gurë? Vallë janë gurë të çmuar, historikë, të shenjtë e me një forcë magjike? Përse vallë këta gurë, nga fshatrat e heshtura të Çamërisë, nga pragjet e trishta e gërmadhat që ende rënkojnë, nga oborret e varret?… Po, gurët shtegtojnë si në një shtegtim biblik të popujve të humbur që kërkojnë rikthimin. Një sy i përlotur përkulet mbi ta, një dorë që dridhet i prek ato, që i merr fshehurazi për ti çuar diku. Sepse gjyshërit e gjyshet çamë të cilët i mbijetuan masakrës e spastrimit etnik rezistojnë të vdesin pa patur pranë gurët e shtëpisë, pa gurët e varreve të etërve, gurët kur dikur fëmijë kanë lozur e këmbët kanë vrarë, gurët ku kanë hedhur valle, gurët që i shohin ende në ëndërr dhe thonë : Si mund të vdesim kështu kaq larg pa gurët tanë? Vdekja do më jetë e ëmbël veç me gurët tanë. Dhe të rinjtë, nipër e mbesa të tyre marrin udhët nga anë e anës dhe shkojnë në Greqi e ngjisin fshatrat e kodrinat në Çamëri ku fshehurazi nga “korofillakët” që i ndjekin, marrin ata gurë që çuditërisht kanë frymë, mbartin jetë, kujtime, mbartin ehot e këngëve e dasmave, vajet e ato netë tragjike që jetoi një popull i pafajshëm. Kështu gurët të ngjan se kanë një frymë të habitshme për gjithë atë brez 90 vjeçarësh, nëna e etër që nuk duan të vdesin pa prekur gurët e shtëpisë. Është vendlindja që iu mohua çamëve që 82 vjet më parë. Po, gurët shtetojnë sepse një Greqi që quhet REPUKBLIKË DEMOKRATIKE ua ndalon të kthehen që të vdesin atje, ta puthin atë prag e të mbyllin sytë në paqe të plotë.

Nënë Bejaze Iljazi, që jeton me vajzën në Itali dhe që ka ardhur në Paris tek djali i saj, e takova në një kafe të Montparnasse dhe më tregoi se si familjarët e saj kishin mundur të shkonin në Smartë, pranë Filatit, dhe të marrin disa gurë të shtëpisë. Dhe gurët ia sollën. Ajo është e lumtur dhe në paqe pret Zotin e saj kur ta thërrasë. Gurë për të vdekur me lumturinë e tokës, me aromën e gurëve.

Një tjetër çam e takova në Boston. Edhe atij kishin mundur ti dërgonin nga gurët e shtëpisë në Mazrek. Një djalosh nga Suedia kishte mundur tê shtegtonte me gurët e shtëpisë të stërgjyshit të tij.

Histori të tilla janë të ngjashme dhe vetëm emri i fshatrave ndryshon: Varfanj, Grikohor, Margëlliç, Paramithi, Shalës, Volo, Koskë… gurë që tashmë përbëjnë jo vetëm histori por dhe gjeografi, e pse jo, disa gurë të tillë mund të çohen dhe në pragjet e presidencës e Parlamentit grek që të klithin me heshtjen dhe vdekjen e tyre legjendare dhe tu kujtojnë se gurët e Çamërisë janë histori mijëvjeçare. Ç’histori e dhimbëshme dhe tragjike kur mendon se mijra çamë të këtij brezi qe ende jetojnë nëpër botë kërkojnë gurët e shtëpisë si të ishin gurë biblikë të një popullate të mohuar. Ç’turp i madh për qeveritarët grekë aq sa të mos pranojnë dhe funeralet e të vdekurve!

O Tokë e shenjtë! O Tokë martire e Çamërisë! Shteti fqinj s’më lë të vij tek ti! Atëherë pjella ime do të më sjellë këtu ku jam, dhe në fund të botës, që unë të të prek, të të puth e të çmallem me ty dhe pastaj të vdes! Kështu paqja do më puthë në ballë!

Gjithë kjo i ngjan një legjende edhe pse një histori reale, e vërtetë, e fillimit të shekullit XXI, histori që të parët tanë nuk e kishin imagjinuar, që bota e lirë e demokratike nuk mund ta pranojë, një histori që rinia greke sot nuk e di dhe që një ditë ajo do ta kuptojë marrëzinë e nacionalizmit tê politikanëve të dikurshëm të vendit të tij, që Evropa ende nuk e di realisht fatin e çamëve dhe ku bota nuk mund të arrijë të kuptojë se dhe gurët shtegtojnë dhe kapërcejnë shtete e kontinente. Gjithë kjo është diçka sa ireale aq dhe hyjnore që fëmijët e nesërm të Shqipërisë, të Greqisë e të botës nuk do ta arrijnë të kuptojnë këtë absurditet.

Gurët vazhdojnë të shtegtojnë dhe askush nuk mund ti ndalojë. Janë gurë të rrahur nga shiu e bora, njollosur me gjakun e të pafajshmëve, gurë të djegur nga dielli, gurë të bukur që shndrisin nën dritën e hënës me shpresë se nesër agimi do të sjellë një lajm të ri. Jo, ne nuk harrojmë, as ne, as çamët e nesërm që do të vijnë. Kombi shqiptar asnjëherë nuk e ka harruar historinë e tij!

Ah këta gurë biblikë që shtegtojnë nëpër natën e errët të Çamërisë…