Afrim Krasniqi: Shqipëria meriton respekt, meriton të shpëtohet
Kryeministri i nisi ditën e 24 të protestës kundër tij, duke shkruar një mesazh të gjatë lutës për një protestues, të pranojë ofertat dhe miqësinë e tij. Pas një orë ndau një shkresë sekrete që jep informacion për katër ushtarakët shqiptarë të përfshirë në trajnimet në luftën e Kosovës 1999, me synimin për të denigruar një emër të pestë aty që është në protestë. Pastaj ndau një intervistë dhënë medias së huaj ku fyen e kërcënon protestuesit. Pastaj ndan status kundër një figure fetare në protestë, duke tentuar të krijojë konflikt midis tij, besimeve fetare dhe një prej iniciuesve të protestës. Pastaj urdhëroi ministrat të ndajnë “lajmin” se protestuesit janë duke u drejtuar nga Irani. Pastaj… jemi ende në gjysmën e ditës, me siguri do të krijojë lajme të reja.
Kryeministri po përpiqet të bëj lajm. Me çdo kusht me çdo çmim. Jo për 5 kërkesat e protestës, jo për revoltën masive qytetare, por për të tërhequr vëmendjen nga to, për të shpikur debate paralele, për të zhvendosur fokusin dhe për të nxitur përçarje. Jo vetëm politike, jo vetëm fetare, por edhe kombëtare. Siç bëri dje dhe vijon edhe sot me Kosovën.
Sikur kryeministri të harxhonte 10% të kohës që po merr të krijojë alibi, dezinformim, fushatë denigrimi dhe përçarje, për të lexuar 5 kërkesat, për tu konsultuar me qeverinë dhe për të pasur një përgjigje zyrtare, – gjë që e bën çdo kryeministër normal në një vend normal, – gjërat do të ishin ndryshe. Por ai e di se nuk ka dhe nuk mund të ketë përgjigje. Shteti privat i tij duhet të mbetet i paprekshëm. Sistemi klientelist dhe oligark duhet të mbetet i paprekur. Llogaridhënie duhet refuzuar, transparenca është term i huaj për të, në konceptin e tij reforma është fjalë që i përket shekullit të kaluar dhe institucionet janë instrumente shërbimi.
Sugjerimi për protestuesit dhe qytetarët, median dhe “popullin” e rrjeteve sociale? Injorojeni dhe fokusohuni vetëm te 5 kërkesat. As më shumë, as më pak. Ky model dhe establishmenti mbështetës përbëjnë tashmë një pengesë serioze dhe kërcënim për demokracinë dhe shtetin e së drejtës, për shtetin dhe shoqërinë.
Shqipëria e pas 30 majit nuk mund të jetë më Shqipëria e policisë private politike/oligarkike që rrëmben dhunshëm përpara kamerave televizive një qytetar që po protestonte për të drejtat kushtetuese, as Shqipëria e atij trafikantit që bashkoi atë dhe “homologun” e tij në Gërdec, dhe as Shqipëria e modelit të kryeministrit që keqpërdor postin, zyrën, shtetin, shërbimet sekrete, tatimet, doganat, shkollat, spitalet, administratën, patronazhistët, etj, për të denigruar çdo qytetar që mendon ndryshe nga ai. Ajo Shqipëri i përket të kaluarës, bashkë me atë/ata dhe sistemi i tyre abuziv.