REVOLUCIONI QYTETAR I QERSHORIT 2026 NË TIRANË, “MADE IN ALBANIA”- NJË LLOJ MAJI FRANCEZ I VITIT 1968
Skënder Sherifi
Të nderuar miq dhe mikesha, të dashur bashkatdhetarë, pavarësisht kush jeni, nga vini, me kënd jeni, çka besoni apo çka nuk besoni?
Është e drejta dhe liria e juaj e shenjtë, por së pari, pasi e ndajmë të njëjtën origjinë, të njëjtat gëzime dhe idhnime kombëtare, parimisht, pa ju njohur fare, unë personalisht, ju pranoj siç jini, ju respektoj dhe ju dua! Prandaj, më falni nëse rastësisht gaboj dhe më lejoni ta përfundoj jetën time në anarshinë utopike dhe poetike, në frymën e humanizmit autentik dhe lirisë së lirë…
Me ju thënë të drejtën, nëse jam krejt i sinqertë me juve, më keni befasuar pozitivisht, më keni lumturuar, më keni dhënë shpresë që diçka interesante mund të ndodhin së shpejti brenda një kohe relativisht të pranueshme në këtë vend, deri sot mjaft i nëmur dhe i mallkuar, e jo vetëm nga të huajt, nga armiqtë tanë historikë shekullorë, nga fati i vendimeve të padrejta ndërkombëtare, por edhe nga vetë ne shqiptarët, auto-armiq të vetvetes, me dije apo pa dije.
Nuk po ua numëroj faktet historike dhe politike, të cilat e vërtetojnë këtë konstatim të trishtë!
Kam menduar shumë kohë, që përkundër francezëve për shembull, të cilët e kanë në ADN-në e tyre atë genin apo trashëgiminë e revolucionit, e mos pajtimit me vendimet qeveritare dhe rrugën si teatër të shprehjes politike… dhe bravo u qoftë, po e shfrytëzoj rastin për t’iu falënderuar përzemërsisht që më keni kundërshtuar gjatë kësaj vere të nxehtë të vitit 2026, por që ne nëse jeni dakort me mua, kemi qenë gjatë disa dekadave, një popull pasiv, servil dhe i nënshtruar, para çdo pushteti i pseudo të djathtës, të majtës apo të qendrës, ngaqë tek shoqëria e jonë, deri dje nën hije, nën injoranca dhe propaganda të llojllojshme, dihet që termat politikë janë krejt fiktivë dhe nuk përmbajnë asnjë sens preçiz, përpos atij që ua japim vetë ne për qejfin tonë. Dhe përpos asaj, nuk e kemi akoma të zhvilluar atë ndërgjegjen qytetare dhe kombëtare, atë sensin e drejtësisë, e të mirës kolektive, e përgjegjësisë individuale, por e meritojmë si çdo popull, një demokraci të vërtetë dhe të zgjeruar, ku qytetari merr pjesë përmes referendumeve, në vendimet apo projektet kryesore për të mirën e të gjithëve, ose të shumicës dhe aq më tepër në këtë kontinent të vjetër dhe të civilizuar evropian, i cili ka qenë shembull apo referencë në disa fusha, për gjithë planetin njerëzor tokësor, duke e ditur që Shqipëria do hyn brenda samiljes së BE-së, nga viti 2030, vetëm për arsye gjeopolitike.
Edhe një herë, po e përseris, bravo u qoftë që dolët nga indiferenca, egoizmi, nihilizmi, gjumi dhe narkoza e përgjithshme, e cila e pat kapluar dhe rënduar këtë vend. Ua heq kapelën vëllezër e motra dhe ju përqafoj! Sepse, na keni dhënë të gjithëve një leksion qytetarie dhe demokracie!
Kur i sheh me mijëra persona që po dalin tash një muaj përditë nëpër rrugët e Tiranës, për të protestuar kundër 100 padrejtësive të llojllojshme, duke u nisur natyrisht me mbrojtjen e ambientit, të lagunave, të zonave ultra delikate të rrezikuara, për ekuilibrin global të ekosistemeve natyrore, për mbijetesën e kafshëve, të flamingove, të shpendëve dhe kundër projekteve megalomane të oligarkëve amerikano-arabë (Kushneri, Ivanka, Emiratet dhe fondet e Gjirit Persik) me të gjitha pasojat që mund të shkaktojnë mbi natyrën shqiptare, së pari, dhe mbi kualitetin e jetës së njeriut së dyti Mjafton për t’i konsultuar raportet e specialistëve të kësaj fushe ! Dhe natyrisht kanë vepruar shumë mirë grupet dhe organizatat ekologjike, të cilat na kanë sensibilizuar mbi këto probleme krejt konkrete. Pos asaj, shqiptari e fiton idenë, që pa e pyetur askush për atë punë, po ju jipet një pjesë e detit tonë miliarderëve të huaj, për të bërë ata çka të dojnë pastaj në vendin tonë, për t’u rrezitur dhe kënaqur mes tyre në rezerva miliarderësh, me golfe, pishina, hotele luksi, marina dhe jahte, por duke e ekskluduar de fakto 90 përqind të popullit shqiptar, i cili nuk i ka as 5 përqind të atyre standardeve. Pa folur fare për shkatërrimin total të natyrës, për betonizimin global të zonave, kështu që indirekt kjo punë tingëllon tek shqiptari, si një farë kolonizimi i detit tonë nga të huajt…
Për shembull, a mundet me shkuar Elon Muski me 1.000 miliardë dollarë, për ta blerë në Francë gadishullin, mrekulli e UNESKO-s, “Le Mont Saint-Michel” ose krejt Lagunat e Kamargës në Jug, për ta kthyer atë zonë në Malibu dhe Kaliforni? Në asnjë mënyrë, pa dalur gjithë Franca në protesta masive, porse as vetë shteti nuk e lejon! E pra, çuditërisht Mali i Zi, si pronare i vendit, ja ka besuar administrimin e gadishullit të Sveti Stefanit, një perlë e Adriatikut, ku shkonin Yjet e Hollivudit në kohën e Titos, një oligarku grek Petros Stathis me kontratë deri në 2042 dhe ky pastaj ia ka dhënë gjithë hotelerinë e luksit një oligarku rus, Vladislav Doronin. Kështu, që në praktikë, pa paguar 1000 euro natën, sot për sot, nuk ke fare akses në atë gadishull, pothuajse komplet i privatizuar. A është diçka normale? Për mua, jo, bile është skandaloze në parim! E pra, e njëjta gjë do na ndodhë edhe me ne me projektet e Sazanit dhe të Zvernecit. Është evidente, apo jo?
Mirëpo, pastaj mbi gjithë ato problematika të natyrës ekologjike, të cilat janë reale dhe krejt të drejta në thelb, mbi abuzimet dhe kalkulimet e llojllojshme për ta shfrytëzuar pamëshirësisht dhe egërsisht dy detet tona shqiptarë, vijnë dhe shtohen spontanisht plot probleme të tjera, po aq urgjente, katastrofike, të cilat nuk presin, ngaqë lidhen me mizerjen sociale dhe me mbijetesën e vështirë të një mase të madhe të popullit tonë. I ke pensionistët në prag të vetvrasjës, me nga 100 apo 150 euro pension mujor. I ke punëtorët, zanatet e vogla, policët e rrugëve, taksistët, infermierët, shitësat e dyqaneve dhe pazareve, minatorët, metalurgët, mësueset, profesorët e gjimnazit, plot profesione me nga 500 deri në 700 euro rrogë mujore, kur dihet standardi i çmimeve në Tiranë. E ke problemin e Rinisë, e cila po e braktisë vendin, ngaqë nuk po sheh asnjë ardhmëri në vendlindje. Pa folur për çmimet e shkollimit e të strehimit në konvikte studentore, çmimi i mencës për ushqim… të gjitha këto e kanë një kosto! Pastaj, mbi të gjitha këto, do shtohen edhe abuzimet, korrupsioni i gjeneralizuar, nepotizmi, arbitrarizmi, destabilizimi në punë në të gjitha administratat publike ngaqë çdo parti e cila fiton pushtetin, do i pushojë automatikisht ata që ishin nëpër ato poste, për të vendosur këta të tjerët të ardhur nga klani i tyre. Kështu, që në Shqipëri, nuk mund të flitet fare për merita, për talent, për zotësi, për drejtësi, për diploma, pasi në praktikë fiton arbitrarizmi, lidhja, miqësia, apo korrupsioni. Bile kulmi i ironisë tragjike është siç thotë fjala popullore: “këtu tek ne, nëse je i ndershëm, i sinqertë, etik me plot moral dhe parime, i drejtë dhe pa hile, je i mbarruar dhe ke marrur fund! Ke ngelur me të shkelur ose me t’i dhënë 5 lekë për sevapë”!
Fatkëqësisht është një e vërtetë më se reale, për të ardhur keq. Porse, nënteksti i saj të thotë kështu: “shiko, nëse do me u gjindur dhe me mbijetuar normalisht, duhet pak me dredhur dhe me çdredhur se nuk shkon me drejtësi, a more vesh? Duhet pak dallavere dhe hile për të mbijetuar, okay”?
Kështu që ideja e korrupsionit është e asimiluar nga të gjithë dhe dikur shndërrohet në normë, në një natyrë të dytë dhe është vështirë më vonë, për ta luftuar. Atëherë mbi të gjitha këto, mund të theksohet edhe fakti që të gjitha qeveritë, pa asnjë përjashtim kanë vjedhur me miliona, kanë abuzuar me popullin dhe me vendin e tyre. Mjafton për ta parë listën e dosjeve të SPAK-ut, të gjithë ata që janë hetuar, thirrur, ndjekur, apo arrestuar! Shikojeni, vetëm gjatë qeverisjës së Edi Ramës, numri i ministrave, drejtorëve, kryetarë të bashkive na dalin të implikuar në skandale financiare dhe të hetuar apo jo ende nga gjykatat? A është normale? Jo! Nuk po shkoj larg, por po bazohem në këto 12 vitet e fundit… A mund ta imagjinoni, pavarërsisht që ka edhe këtu në Belgjikë dhe në Francë, një dozë korrupsioni, por prapë brenda një mase, e jo krejt pakufi, një realitet të tillë? Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj, tani Belinda Balluku e të tjerët që do vijojnë? Kush i procedoi, kush i thirri në gjykatë? Unë, ju, apo SPAK? A janë këto realitete, të
cilave askush nuk mund t’ju iki me një logjikë të shëndoshë? A u pendua dikush prej tyre? Jo! A i kërkoi dikush falje popullit shqiptar për të gjitha këto abuzime skandaloze dhe këto plaçkitje arbitrare? Jo! Prandaj, të gjitha këto frustrime, padrejtësira flagrante, vuajtje, mizerje, abuzime, korrupsione, durime, lotë, ofshamë, heshtje, bërtimë, fjalë të përtypura janë akumuluar tek ky popull shqiptar tash 35 vite, në një të supozuar “demokraci” në letër, por autokraci arbitrare në praktikë, një lloj postkomunizmi me frymën e një kapitalizmi të egër alla amerikan… dhe sot janë mbledhur të gjitha këto idhnime dhe padrejtësira në rrugët e kryeqytetit shqiptar dhe kanë shpërthyer haptas!
Dhe i kuptoj fare mirë, e kanë plotësisht me të drejtë… kërkesat e tyre janë legjitime.
Mundem me thënë çka të dojmë, por duhet së pari ta pyesim seriozisht veten: Po pse del një popull tash 1 muaj për çdo ditë në protesta nëpër rrugët e Tiranës? A dalin krejt kot, janë të manipuluar, të droguar, nuk dinë çka dojnë, veprojnë pa lidhje? Jo, jo, more zotërinj politikanë në qeverisje apo në opozitë- e keni gabim! Ky vend, ky popull ka nevojë për mëshirë, për rend social, për drejtësi, për meritokraci, për një demokraci autentike, për shembuj të mirë dhe pozitivë, për qytetari të zhvilluar, për humanitet, për respekt dhe për dashuri! Nuk mund t’i trajtosh njerëzit si kukulla, si vegla, si bagëti me një arrogancë të paparë, si t’ishe faraoni i Shqipërisë. Nuk shkon ai muhabet në shekullin 21!
Sot Rinia Shqiptare i kupton mrekullisht mirë gjërat, është inteligjente, e modernizuar, e mirëinformuar, e dinë se çka do me thënë Evropa? Nuk mundesh për t’i mashtruar me postura false, me llafollogji fiktive, ngaqë kërkojnë urgjentisht një ardhmëri në vendin e tyre dhe vendime konkrete super praktike. Pra, janë lodhur Njerëzit dhe Rinia me të gjitha këto mashtrime dhe abuzime, tash 35 vite, kanë duruar mjaft dhe tepër sipas meje dhe sot ka arritur shkalla e mos tolerancës. Prandaj, janë duke marshuar në hapësirën publike të Tiranë, gjatë kësaj vere historike të vitit 2026… baras me Majin e 1968 të Parisit, ku kam pas qëlluar edhe unë, i ardhur ilegalisht me autostop si aventurier, me studentët e Sorbonës dhe grupet marksiste, trockiste dhe maoiste të inteligjencës franceze, të cilave ju thoja: “Dakort për revolucion, por jo me ato idé debile, o miq, se keni nevojë për një konfrontim direkt me realitetin e marksizmit dhe një kurë dezintoksikimi”!
Më kujtohet që e kam deklaruar në disa intervista, por edhe shkrime, që çdo shoqëri, apo pushtet legjitim i zgjedhur me vota të lira, ka nevojë realisht për një Maj 1968, në çdo 20 apo 25 vite parimisht, për çdo gjeneratë. Natyrisht, jam kundër çdo revolucioni të dhunshëm dhe të përgjakur, ngaqë e kundërshton humanizmin dhe lirinë time individuale, porse i dua absolutisht revolucionet pacifiste, puro shpirtërore dhe kulturore, me një endërr, një ideal, një utopi brenda, si tek Gandhi, Rugova, Mandela, Martin Luther Kingu, si te Majdani në Ukrainë, si tek sheshi Ten Anmien në Kinë, si në Gjeorgji… Po, revolucione ku dominon ideali dhe idetë e shprehura, sloganet e drejta dhe kërkesat legjitime për më tepër liri, demokraci dhe drejtësi! Bile ua kam thënë disa herë, unë vetë gjithë shqiptarëve të Tiranës apo të Prishtinës, kur e kam pasur rastin për t’i takuar. Duhet patjetër në çdo 20 vite, që një gjeneratë e re, që të vijë me kërkesat e saj personale, për të na shkundur mirë dhe vendosur në pikpyetje. Për mua është diçka e shëndoshë dhe e nevojshme për ta favorizuar një evolucion shoqëror, kulturor, arsimor, artistik dhe politik. Dhe për FAT TË MIRË – po ndodh diçka super interesante në Tiranë, në këtë muaj, Qershor 2026! Do shohim se deri ku do shkojë dhe se çka do na dali nga ky revolucion paqësor popullor shqiptar?
Tani e kuptoj që do shtrohet pyetja po ashtu legjitime: Po kush janë këta manifestues, kush i ka organizuar, kush janë liderët e tyre? Kush i ka shti, kush po i drejton, kush gjendet prapa tyre? A mos janë të influencuar nga lobet greke, serbe, ruse, iraniane, nga Soros, nga disa organizata jo qeveritare me fonde të mëdha brenda Bashkimit Evropian, nga Mbreti apo nga Dreqi?
Unë personalisht nuk e di fare! Sepse, duhen fakte, prova, dokumente para se me afirmuar diçka.
Nuk zgjighen ato çështje nëpër Kafe dhe Diskoteka! Unë, personalisht nuk i njoh, nuk e di se kush i kryeson, kush është shefi numër 1, numër 2 apo hierarkia e tyre? A janë të strukturuar siç duhet profesionalisht, apo veprojnë në një mënyrë spontane, pak amatoreske? Por unë e diktoj që ka logjikë dhe inteligjencë në atë Lëvizje! Kënd kanë aleatë, apo kënd nuk kanë? A fshihet dikush prapa tyre, apo jo? A është një revolucion spontan popullor dhe qytetar shqiptar, apo jemi në një spektakël të inskenuar nga dikush tjetër, dhe po e shikojmë një FILM para syve tanë? Sinqerisht, nuk kam asnjë lloj përgjigje për momentin.
PORSE E DI NJË GJË ESENCIALE, o miq dhe mikesha: Gjithë ata që janë nëpër rrugët e Tiranës, a janë 90 përqind prej tyre shqiptarë? Po! Pse janë aty tash 30 ditë? Kot, për qejf, apo për të kërkuar diçka konkrete? A jeni globalisht dakort me gjithë çka po kërkojnë, apo jo?
Pastaj, a më mirë me kërkuar diçka, me thënë – nuk jam dakort me të gjitha këto pisllëqe dhe padrejtësira, apo për të heshtur edhe 100 vite të tjera? A ka sens për çfarëdo lloj qeverie e ardhur në pushtet pikërisht me votat e lira të tij, për të mos e dëgjuar fare popullin e vet? Sipas jush, ky Popull i revoltuar, i mllefosur, i cili ka duruar në heshtje gjithfarë padrejtësie flagrante gjatë disa dekadave, a ka të drejtë për t’i shprehur sot në 2026, shqetësimet e tij, apo jo? A duhet për t’i dëgjuar me plot vëmendje dhe respekt, apo për t’i sharë dhe denigruar? Unë, për veten time, i dëgjoj me interesim dhe i vlerësoj! Pastaj, për mua është një revolucion historik, ngaqë deri dje, i kam pa shqiptarët e heshtur, pasivë, depresivë dhe fatalistë, si në botën orientale, me gojë të mbyllur para çdo autoriteti dhe pushteti. Kurse sot me këtë lëvizje, raportet kanë filluar të ndryshojnë, sepse është çliruar fjala, mendimi i lirë, ideja me i thënë shtetit tënd: JO… nuk jam dakort me këto pika praktika antinjerëzore.
E nuk është pak si fitore kolektive! Në fakt, kjo lëvizje qytetare e verës 2026 përbën një emancipim fantastik, një çlirim dhe një ndërgjegjësim shoqërorë dhe politik për të gjithë popullin e pranishëm dhe
për brezat e rinj që do vijnë, të cilëve po ju jipet shembulli praktik – “në vend se me ikur kudo jashtë Atdheut tuaj, në heshtje dhe pa reaguar fare mbi asgjë, merreni të drejtën e fjalës tuaj të lirë, thuani se çka doni, kërkoni të drejtat tuaja, rezistoni ndaj çdo pushteti të padrejtë ndaj jush, ngaqë tek e fundit, Shqipëria është vendi i juaj dhe zgjidhja nuk është vetëm në heshtje dhe në ikje”!
E kjo, për mua është ndoshta FITORJA më e madhe në kohërat e ardhshme. Guximi për të reaguar, iniciativa qytetare, liria e shprehjes, rezistenca kundër padrejtësisë, kërkesa e gjitha të drejtave njerëzore dhe sociale legjitime, lufta kundër abuzimeve dhe korrupsioneve, emancipimi i shoqërive ballkanike, patriarkale të mësuara shumicën e kohës në diktatura apo në autokraci.
Tani ma bëfshi ditën e mirë. Po ju lë për ta pirë një birrë belge të bardhë me një gjysmë limoni, se
është temperatura 30 °C. në kryeqytetin belg. Ju uroj çdo të mirë dhe lutem që t’ju plotësohen të gjitha
dëshirat esenciale, popullit shqiptar, brenda dhe jashtë trojeve, por me një minimum humanizmi, solidariteti, drejtësie dhe ndershmërie morale.
Skënder Sherifi – poet anarshist në Bruksel, nganjëherë në Mars. 22 qershor 2026.