Albspirit

Media/News/Publishing

Jani Malo: Kush do lodhet i pari

Pas një muaji qëndrese në bulevardet e Tiranës, gara epike e tërheqjes së litarit – si garë force, inteligjence, por edhe nervash – ka hyrë në fazën e saj më sublime, atë të lodhjes ekzistenciale.

Në fillim, litari ishte i qartë. Kishte një nyjë në mes që quhej “kauzë”. Veçanërisht thirrja “Rama në burg, Berisha në burg” u përhap si një vetëtimë e beftë në mes të verës në qiellin plot zagushi të Tiranës. Kjo i hutoi dhe mbase i gjeti në gjumë rrufepritësit.

Protesta kishte vrullin dhe kreativitetin e adrenalinës rinore, nevojën jetike për të krijuar lëvizje, ndërsa pushteti kishte favorin e fushës së vet, baltovinën e kënetës, ku mbështeti gjymtyrët e argasura në llum. Sot pamja është tjetër: fusha e betejës duket më shumë si një seancë terapie publike sesa si një përplasje forcash.

Nuk u desh shumë kohë që Saliu të kthjellohet, aq sa duket se ato prangat që i tundin para syve ishin për një Berishë tjetër. Me dhimbje, por ama, e mbylli punishten e molotovëve dhe urdhëroi të tijtë të brohorasin edhe ata tok me protestuesit. Nga ana tjetër, pas hutimit fillestar kur nëpër dhëmbë artikuloi edhe mundësinë e dorëheqjes, Edi Rama i la mënjanë klounadat me maskë nëpër tubime dhe ndërroi taktikë, duke mos respektuar asnjë nga rregullat e fair playt sportiv.

Protestuesit nga ana e tyre, duke mos pasur shumë përvojë apo nga etja për ta mbyllur sa më shpejt garën, rrugës i shtuan litarit aq shumë nyje, sa sot askush nuk e di më nëse po tërheq për mjedisin, për kadastrën, për qeverinë teknike, apo për të drejtat e jetës jashtëtokësore. Duke mos njohur hilet e garës, ata harruan se po të mos ishin aq mjeshtër të lojës së ndyrë kundërshtarët e tyre nuk do jetonin 36 vjet pa e bërë qejfin qeder për hallet e miletit.

Vërtet vrulli dhe kreativiteti mbetën, madje edhe algoritmi i thyer mbeti në anën e të rinjve, por retorika e tyre pak e nga pak i asfiksoi parimet e famshme aristoteliane. Organizatorët bënë gabimin fatal retorik: sakrifikuan Ethos-in (kredibilitetin) dhe Loggos-in (logjikën) në altarin e një Pathos-i (emocioni) me klithma. Lënia e mikrofonit të hapur, ku çdo kalimtari të mërzitur i lihet fati i ligjërimit, e ktheu sheshin në një kabinet kurioziteti. Pas një eksperti që flet me shifra, merr fjalën dikush gjen fajtore qeverinë edhe pse flamengot nuk janë kuqezi, por kanë ngjyrën që kanë, apo dikush tjetër që ankohet se regjimi komunist e paskej penguar të shkojë në hënë, apo ndonjë profet i dëshpëruar që mallkon apo hedh fall për rendin e ri botëror. Këto natyrisht dëmtuan besueshmërinë dhe dobësuan argumentet që mbështetnin idenë fillestare. Publiku neutral që ndjek nga ekrani nuk e ndan dot më argumentin nga absurdi.

Për stomakun e njeriut të zakonshëm, kjo lloj filozofie abstrakte është një ushqim që tretet me vështirësi. T’i mbash njerëzit për një muaj rresht me fjalime akademike apo britma epike, ndërsa ata po mbyten në ujin e kripur të përditshmërisë, është cinizëm i pastër. Është fiks si t’i tregosh atij që ka rënë në det përqindjen e saktë të kripës në ujë dhe dendësinë e lëngjeve sipas Arkimedit, në vend që t’i mësosh si të lëvizë krahët për të mbajtur kokën lart. Stomaku i të mbyturit kërkon ajër, jo leksione mbi oksigjenin. Ndërkohë, pushteti, përmendet, rifiton gjakftohtësinë e tij vrastare dhe thjesht pret që ligji i rëndesës dhe lodhja fizike të bëjnë punën e tyre.

A do të thotë kjo që gara u mbyll? Absolutisht jo. Protesta ka krijuar një precedent të qëndresës së gjatë që nuk mund të zhbëhet lehtë.

Është ende në kohë të lihen mënjanë teoritë, e të shkurtohet litari. Protesta të kthehet nga një shfaqje teatrore e ndjenjave në një operacion kirurgjikal. T’i mbyllet ai mikrofon i mallkuar kujtdo që flet ç’i thotë rradakja e nxehtë. Thirrjet në kor t’i shërbejnë vetëm një qëllimi. Një skuadër që tërheq litarin fiton vetëm nëse bën “Një, dy, tre… TËRHIQ!” Të gjithë bashkë në të njëjtin drejtim. Ndryshe, do vazhdohet të diskutohet për kripësinë e ujit dhe mekanikën e lëngjeve, kur njerëzit kanë nevojë për një bove shpëtimi ku të kapen para se dallga e radhës t’i nxjerr të gjithë përsëri në bregun e rehatshëm të kafeneve.

Ka ende kohë, para se ajo thirrja “Çohuni nga kafja”! të kthehet në një ftesë fatale për të pirë kafen e mortit të protestës.