Bledar Zaganjori: Shqipëria, eilta dhe hallexhinjtë e protestave
Përpara dy-tre ditësh, ndërsa protestat kishin hyrë në javën e tyre të katërt, Edi Rama mblodhi drejtuesit politikë të qarqeve dhe një pjesë të ministrave. Pa hyrë shumë në komente dhe në analizën e situatës që ai u bëri të pranishmëve – të cilët thjesht dëgjuan dhe nuk folën – më ngeli në mendje një fjali nga raportimet e gazetarëve që po ndiqnin takimin.
Edi Rama u kërkoi drejtuesve të qarqeve dhe ministrave që të zbresin në terren dhe të dëgjojnë hallet e njerëzve, pa dallim nëse ata janë socialistë (“tanët”) apo jo (“të atyre”, “të Ballit”).
Në atë moment më erdhën në mendje dy gjëra.
E para ishte një episod gjatë Samitit të Diasporës.
Këtu e shtatë-tetë muaj më parë, pasi dëgjoi për orë të tëra se çfarë ka bërë dhe sa shumë ka arritur kjo qeveri për diasporën e për Shqipërinë, se ku ishim në vitin 1938 e ku jemi sot në 2026, se sa shumë ka ndryshuar Shqipëria Europiane dhe sa afër BE-së jemi (e sa larg do të ishim po të mos ishte kjo parti në pushtet, madje edhe se sa shumë dëshiron vetë BE-ja të futet në Shqipëri, sipas Zeqinesë), një emigrant e zhvlerësoi tërësisht të gjithë samitin. Ai tregoi se kishte 15 vite që nuk po i jepte njeri përgjigje për pronën e trashëguar, duke përshkruar ecejaket, sorollatjet dhe mungesën e plotë të një zgjidhjeje.
Tek e fundit, çdo shqiptar, emigrant ose jo, ka të drejtë për një përgjigje nga shteti i tij – qoftë ajo pozitive apo negative, një “po” ose një “jo” për kërkesën e tij. Për pronën e tij! Duhet të ketë një përgjigje dhe kushdo qoftë ai – qytetar, fshatar, emigrant, socialist, demokrat, zogist apo ballist – nuk ka pse të rrijë peng dhe i varur nga një sistem i kolauduar dhe i kalcifikuar i mosdhënies së zgjidhjeve. Një sistem që, nga mënyra se si është ndërtuar këtë dekadën e fundit, as të q* e as të lëshon, veç në mos paftë zarfin me para me moton: “I ofrohet prurësit me të parë”.
Për t’i dhënë zgjidhje hallit të emigrantit, Taulant Balla, si përgjegjës i PS-së për Diasporën, pothuajse me ton kritikues ndaj hallexhiut – dhe jo ndaj sistemit – i tha pak a shumë se do t’ia zgjidhte ai këtë problem. Sipas tij, emigranti duhej t’ia kishte thënë atij më parë këtë gjë, sesa ta bënte publike në atë mënyrë, sepse në fakt hallexhiu “kishte prishur ahengun” në transmetim direkt. Dhe kështu, mori përsipër t’ia zgjidhte vetë problemin.
Nuk ka rëndësi nëse halli i atij emigranti u zgjidh apo jo, sepse edhe sikur të jetë zgjidhur, ai është vetëm një ndër mijëra e mijëra njerëz që kanë të njëjtin problem, por që nuk e kanë privilegjin ta takojnë e ta zgjidhin me Taulantin. Pikërisht për këtë arsye, për të zgjidhur hallet e mijëra e mijëra të tillëve, ekziston – teorikisht, me sa duket, në Shqipëri – shteti, dhe jo thjesht e vetëm Taulanti.
Por, siç duket, partia është mbi shtetin. Ajo që mësuam atë ditë është se kur nuk ta zgjidhin institucionet, hallin ta zgjidh vetëm PS-ja, e cila në fakt ta ka krijuar atë hall duke prishur apo mosndërtuar shtetin. Domethënë, vetëm Taulanti i Diasporës apo Taulanti i qarkut X apo Y.
E dyta, që lidhet ngushtë me të parën, është se nën presionin e protestave, Edi Rama u kërkon njerëzve të tij të shkojnë pranë bazës. Ai e pranon se ka një problem me këta njerëz që dalin në protestë – jo për Zvërnecin apo për flamingot, ose të paktën jo vetëm për ta. Secili prej tyre ka një hall, një problem, një padrejtësi që e detyron të shfryjë në rrugë. Ndaj, drejtuesit e qarqeve dhe i gjithë zinxhiri nën ta duhet t’i dëgjojnë, t’i evidentojnë dhe, mundësisht, t’u zgjidhin problemet. Përsëri, jo institucionet e shtetit, por të deleguarit e partisë. Pra, shteti konsiderohet i rënë që në fillim.
Së pari, është shumë e vështirë që ata që i kanë zgjidhur hallet e veta për shtatë breza – falë privilegjit të ngjitjes në Olimpin ku i ngriti vota e “800 mijë plus” shqiptarëve – të kuptojnë realisht hallet ekzistenciale të shumicës. Sepse hallet e shumicës së shqiptarëve nuk janë hallet e tyre. Për elitën politike, elitën e biznesit dhe elitën e krimit (nëse do të donim t’i përfshinim, edhe pse vijat ndarëse mes tyre thuajse janë shuar), këto halle janë thjesht batuta tavolinash. Këto janë hallet e atyre që kanë lindur dhe do te vdesin hallexhinj apo qe kanë dështuar ne jete dhe fajesojne qeverine per deshtimet e tyre. Këta pushtetarë nuk e kuptojnë se hallet e shumicës nuk janë probleme sporadike, por janë akumulim i deshtimit te sistemi që kanë ngritur po këta që tallen me votën e “800 mijë plus” shqiptarëve.
Drejtuesit e qarqeve mund të dalin në terren e të takojnë 5, 10 apo 100 hallexhinj. Një pjesë të halleve as nuk do t’ua kuptojnë në Shqipërinë e “ditëve te saj më të mira”, për një pjesë do të bëjnë sikur do t’ua zgjidhin, e ndonjërit edhe mund t’ia zgjidhin. Hallin me legalizimet apo me pronën nuk ua zgjidhin dot, por ndonjë të afërm do t’ua fusin në punë në shtet – në ujësjellës-kanalizime, në Postë, në OSHEE, në shërbimin social të bashkisë apo kudo ku do të krijohet një vend bosh për t’ua hedhur edhe këtë herë.
Shqiptarët kanë dalë në rrugë për një hall me te madh se sa nje rroge shteti. Shumë prej tyre ndoshta edhe për hall buke, por kjo nuk do të thotë që zgjidhja e këtyre halleve është lëmosha prej 60 mijë lekësh në muaj në këmbim të 20 votave të fisit, në Shqipërinë e vitit 2026.
Shqiptarët kanë dalë sepse ky sistem nuk mban më, nuk e duan më, nuk e durojnë dot më dhe sepse, në vend që të punojë për ta, punon kundër tyre.
Sistemi ku duhet të njohësh “Taulantin” e radhës të partisë për të zgjidhur problemet e tua minimale, herët a vonë do të prodhojë shpërthime të tilla, siç janë protestat e përditshme të shqiptarëve përpara zyrës së Edi Ramës, herë me flamingo e herë me parrulla politike. E ashtu si flamingot – që shyqyr që na u kthyen pas vitit 2013 – edhe këta njerëz nuk duan të ikin më nga Shqipëria në vitin 2026.
Kjo protestë, që ka nisur pas nje incidenti te rende ne Zvernec, si një ilustrim flagrant i sistemit të pabarazisë, babëzisë, arrogancës dhe vulgaritetit, nesër mund të bjerë apo të shuhet përkohësisht. Por ajo është si prushi nën hi, që me shkëndijën më të vogël do të ndezë një zjarr edhe më të madh. Është një minë me sahat që e ka nisur ciklin e “tik-takut”.
Kjo ndodh për sa kohë sundimtari është projektuar në kohë dhe hapësirë drejt idesë së pavdekshmërisë në histori, ndërkohë që shqiptarët kanë zbritur në epokën e “Lulit të Vocërr”, duke parë shkëlqimin e vitrinave përmes vrimave të tollumave të tyre.
Shqipëria nuk është eksperiment i 60 arkitektëve miliarderë dhe lopë mjelëse e 40 ndërtuesve e po aq trafikantëve. Është shumë më e madhe se kaq – është atdheu i miliona shqiptarëve.