Albspirit

Media/News/Publishing

Kristo Çipa: KUR TRADITA SIGURON TRASHËGIMIN!

Pak ditë ka që edicioni i 7- të i festivalit folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë” tërhoqi hijet e fustanellave dhe dritën e qelesheve dhe jehona e këngëve dhe valleve, ka marrë sokakët e Pilurit dhe zbret anës së detit atje ku dashuria dhe grindja e përjetshme romantike e valës dhe e shkëmbit prodhon shkumë dhe rërë. Në qëndrën e Pilurit jo vetëm era e flamujve, tërsëllima e banderave, fëshfëritje e fletëve të rrapit, isua e këngëve, duatrokitja e këngëdashësve, por ritmi i valleve që shkelnin mbi thonjë të valltarëve shqiptarë të shoqatës “Bashkimi” ardhur nga Zvicra ka ngelur si imazh fluturues dhe sa herë dal në atë shesh më ngjan se fytyra e këtij asambli ka marrë trajtën e diellit dhe nuk perëndon më në misionin hyjnor të transmetimit së traditës mijëra vjeçare shqiptare.Këta djem e vajza nuk di pse më ngjanin si ëngjëllor jo vetëm kur vallzonin por kur bukur, po aq bukur këndonin vëndçen tonë jugore dhe ëmbëlsia e timbrit të tyre thëret ndërgjegjen kombëtare për të ruajtur atë çkemi më të çmuar për vete dhe njerëzimin.

Në emigrim të lindur, për vëndçen shqiptare të përgatitur. Zoga jonë siç duket jeton nëpër gjokset, supet dhe kërcimin e këtyre valltarëve. Ata janë sinjali qiellor se kultura dhe tradita shqiptare do tu rezistojë furtunave globaliste dhe shembulli i tyre ësht thirrje për të gjithë emigrantët tanë kudo ku jetojnë që ta ruajnë e transmetojnë traditën

Guximtarë Alushi drejtuesi i tyre artistik duket se para se të ketë filluar këtë punë titanike, ka vizituar varrin e trimit Çelo Picari ku është gdhëndur epitafi më substancial shqiptar në këtë rresht gërmash

“ Udhëtar mos ju tremb vdekjes! Koha është e guximtarëve”!

Mirënjohje ju përcjell nga të gjithë festivalistët, banorët, këngëdashësit, natyra, rrapi dhe amaneti!

Qofshi ambasadorët e artit shqiptarë dhe flakëmbajtësit e traditës shqiptare kudo në botë!

U burrërofshi mbi supet e valles e ballin e këngës!