Albspirit

Media/News/Publishing

Ruzhdi Gole: Bilardo… në qiell 

                                                              

Tregim

Punishtja e xixave, bilardoja e re dhe pijetorja e tymit rrinin afër e afër pa e parë asnjëherë njera – tjetrën. Poshtë, në gjysm’ terr, mbi themele.

Punishtja, me fjollat e saj pak të tymta, i ngjante diç pijetores, por kurrë nuk i këmbente ato me shtëllungat e furrikut pijetar. Furriku, nga ana e vet, mbushej e zbrazej nga frymorë, herë-herë me një gur bilardoje në dorë ose edhe me stekën skërfyell. Hyrja nën harkun e tretë, si dy të tjerat veçmas nga njera- tjetra, të çonte poshtë. Aty lëvrinin arkat e freskëta me peshq, të cilët ndiheshin ngushtë me njeri-tjetrin e ndonjëherë kërcenin përpjetë fatin e tyre të fundit.

Tri hyrje ndërtesa. Secila më vete. Nuk puqeshin as mbi themele. Ndoshta edhe puqeshin ose të paktën dëgjonin mbytas zërat e tyre. Njerëzit njiheshin kalimthi, tinëz, nuk e njihnin fare njëri-tjetrin. Secili në dalldi të vet. Rrallë, shumë rrallë ndonjë nga të pallatit ose ndonjë i ardhur për porosi zbriste poshtë, nën harqet afër e afër. Tre harqet rrinin secili më vete si të penduar e herë si të krekosur. Hapësirat poshtë kujt i ngjanin më shumë? Bodrumeve? Tri puseve të mëdhenj? Por nëse i ngjanin bodrumeve aty duhet të rrokulliseshin gjthfarë rrangullash. Nëse i ngjanin puseve, veç grykës, aty s’kishte pellgje uji e ndonjë kovë me litar.

…Rr’fenjëz nga bodrumi i parë

– Flisni me zë të ulët! Asnjë nuk di ç’bëjmë ne këtu, por zëri ikën. Mos e këmbeni asgjë lirë! Mos më sillni njerëz të panjohur e të dyshimtë!

– Pa merak. Ata të kënetës i sollën thërrimet e floririt. Sollën dhe ca zbukurime të vjetra. I kishin blerë tek kujunxhinjtë. Nesër them t’i shkrijmë. T’i derdhim në kallëpe.

– Na u shtofshin porositë! U martoftë e u shkërdheftë dynjaja!

– Bëj sytë katër kur ta ndezësh nesër furrën se na merr në qafë e na fluturon përpjetë.

– Siurdhëron zotrote, siurdhëron! Nën urdhërat e tua vdeksha!

– Pastroj mirë daltat, thikat!?

– Qelibar si përhera.

 – A erdhi zonja?

– Zonja me kone do që t’i gdhendim shkronja mbi unazë.

– U shtofshin zonjat, u shtofshin shkronjat!

– Ata të kënetës mos i paguaj menjëherë! Dëgjove, o shushaq?

– Dëgjova.

– Dhe mos m’i fut në bodrum. Shqyejnë sytë bota.

– Siurdhëron! E fshehta në fshehtësi.

– Nesër unë do shkoj… ti e di se ku, kështu që bëj kujdes me furrën. Kallëpet pastroj mirë. Ma shkrij floririn për herë të fundit në atë byth tigani. Nesër do të të sjell një tigan të ri qeramike. Floriri është nazeli.

– Siurdhëron, zotrote, siurdhëron! Nën urdhërat e tua! Nën urdhërat e tua vdeksha, aga!

– Shushaq, u ngrys, mblidhi të gjitha, mos numëro asgjë. Kyçi në kasafortë! Dhe dëgjomë vesh më vesh: fol me sa më pak njerëz rreth e rrotull. Mos fol me asnjë! Bela janë të gjithë. Spiunë, hajdutë, vjedhës, shurrosin brekësh.

– Kam tridhjetë vjet që jetoj tek ky pallat. Erdha i martuar, me gruan dhe me vajzën dy vjeçe. I njoh mirë të gjithë. Di ç’sjell këtu poshtë. Veç atë qe ka porosi.

– E pra, një sy e një vesh mbaje zgjuar edhe natën. Errësira është droga e natës. Të vë në gjumë.

– Siurdhëron zotrote! Dikur, ngjitur me pallatin ishte rajoni i policisë. Çfarë nuk shihja e dëgjoja? Sirena, shkelma, të qara e të bërtitura, shkërdhata e kurva.

– Fat për zili. Ekran kinemaje. Neorealizëm.

– Për fat, jetoj në katin e shtatë. Gjysma-gjysma ngjitej gjithçka përpjetë. Ballkoni i katit të dytë binte mbi oborrin e rajonit. Dukej jo si ballkon, por si hundë e stërmadhe e shqyer.

– Përherë me fluturime e lajthitje e rrëfen gjithçka ti.

I numërove paratë, o ujk? A fituam sot?

– Fituam. Po s’fituam plasim, agai im!

Kjo është punishtja e xixave. Këtu shkrihet, këmbehet shitet fshehtazi flori. Punohen e gdhenden unaza. Duken si qendisma drite. Punishtja xixa-tym, tym-xixa…

…Rr’fenjëz nga bodrumi i dytë

– Më theftë gopi kokën po s’fitova sot!

– Guri, thuaj, gurët.

– Eh, gjuha… Fjala gop asnjëherë s’më ngop.

– Eee, një kurvar si ty, aty e ka mëndjen.

– Gopi është kripë e sheqer bashkë. Piper e uthull.

– Hudhër e majdanos.

– Lëri shakatë, zotnia jote, lëri. Gopi nuk krahasohet me asgjë. Unë kam parë shumë dhe asnjëherë s’më është ngopur syri.

– O doktor! Je i prerë ti për gjinekolog. Të lëvdojnë e të shajnë.

– Më marrshin gjynahet, më marrshin! Gratë, që janë operuar nga unë, më lëvdojnë. Ndonjera më lëndon. Burri i ndonjerës më shan.

– A do vij…? – pyeti pas pak mjeku.

Fjalia përgjysmë e tij drithëroi si çast i ngjethur në sallën e operacionit. Për kë pyeti? Për bashkëshortin e…

– Patjetër do të vij. Ka për të shlyer gjysmë kantine ai… Pi, pi, pi, epo nuk është lum vera, për të gjithë, përhera. Vera është gjak, ndonjëherë në vend që ta pish (pije, të bëftë mirë!) ta pi ajo gjakun. E vogël këtu poshtë kantina jonë, por lekët i do një më një. Është e shtrenjtë qiraja.

– Të paktën s’paguajmë asnjë taksë.

– Ai, krutani kokërrodhe, kokëkobure, ka marr pa paguar pesëdhjetë shishe verë për hotel me pesë yje.

– Ia fus, me nder e pa nder, në bythë koburen po nuk erdhi t’i paguaj sot, sonte.

– Më i qetë, më i qetë, o koqe! Dëgjo mua ti. Jam i rrahur me vaj e uthull unë.

– Të bëftë mirë piperi, doktor! Hudhra e majdanozi- qesëndisi gjinekologun njeriu tjetër.

– U bëmë një vit këtu. Asnjë e papritur.

– Asnjë, për be, asnjë. Pa taksa.

– S’paguajmë, thuaj.

– Këtu luajnë bilardo vetëm të besuarit tanë. Bilardo në bodrum.. Askush nuk dyshon.

– Na rrofsh, o doktor! Kush dyshon do haj kokën e vet. Asnjë për asgjë nuk dyshon.

Veç ndonjë-qesëndisi tani gjinekologu. Sikur ia kam rruar unë leshin gruas së tij.

…Rr’fenjëz nga bodrumi i tretë

– Këtu u qelb? Kush pordhi?           

– Pordhë e fenda gjithë dynjaja sipër. E l’shova një unë… u helmove ti?

– Po qelbet peshku, po qelbet. Këtu vinë plot peshk makina-frigorifer. Në mëngjes po e po, por edhe në mes të ditës. Ku do ta shesim gjithë këtë peshk?

– Në port, rrjetat janë plot. Ndonjëherë makina edhe vonohet. Vapa të djeg lëkurën. Por duan të hanë të gjithë. Doganieri i pari, polici, roja.

– Ua hëngërt zia mëlçinë, ua hëngërt! Tanët jashtë rroptohen me kokën në strajcë nëpër det, nëpër peshkarexha, në kalatat…

– nëpër rrugica gjithë gropa sa vijnë gjer këtu poshtë. Llupësit mballiçen pa paguar asnjë qindarkë.

– Bythqirët!

– Shiko bythën tënde mullar, o hajvan! Mos ma shaj policin se është im vella. Mos m’i tund ashtu bythët sikur je homo.

– Si ngjalat je ti. Homo!

S’ke faj ti jo. Do të ta rrjep lëkurën si ngjalave.

– E di si u hiqet lëkura ngjalave, e di nga ty. Pjata me vaj e uthull Në do shton edhe erëza. Fut dorën në pjatë, e ngjyen mirë e mirë. Mban ngjalën kokëposhtë me dorën tjetër dhe me gishtat e vajosur fërkon ngjalën nga koka tek këmbët.

– O të fërkoftë ngjala shalëve ty, t’u fërkoftë! Po ku ka këmbë ngjala, o humbaqyp! Ngjala ka bisht. Je dëng me ngjala në bark. Hiqmu tutje se të qelbet goja si  qyp turshie.!

– Po qelbet peshkuuuu… Ç’do bëjmë?    

– Kur do na shitet? Më duket se na gjurmojnë. Duhet ta mbyllim, ca kohë, këtë dreq bodrum.

– Kemi ngrënë e jemi dendur nga gjithë ky peshk. Të rezervatit ua kemi shitur të tjerëve si për të detit. Rrofshin rezervatet, rroftën lagunat!

– Na e hëngrën kokën rezervatet. Mos rrofshin se na e hëngrën kokën! Ku ta çojmë gjithë këtë peshk?

– Mbylle atë hale humbalaq, mbylle! Shko zbrazu me të vjellat e te përmjerat e gojës, hajvan!!

– Do na hajë të gjallë ky peshk.

– ky peshk?

– ky peshk jo, do na hajë peshkaqeni!

– E shplaftë mortja peshkaqenin, e shplaftë!

– I rëntë rrufeja, i rëntë!

– Tani veç të futem në ndonjë kosh lundrues e t’i bie qark Orikumit, (zëri i parë)…

– unë Nartës… Jo, jo, Narta është lagunë. Nuk ka kosha aty. Po shkoj të notoj me kosh në rezervatin e Butrintit. Ha, ha, ha… (zëri i dytë?).

– unë në lagunën e Karavastasë… (zëri i tretë.) Eh, ç’budall jam. Karavastaja nuk ka kosha jo. Po mbytem në Karaburun.

– Mjaft, ta hajë dreqi, mjaft! Më duket sikur do bie në ndonjë kosh e do më gudulisin peshqit. Pastaj, ku i dihet, nga vjen peshkaqeni? (zëri i mekur i të katërtit).

Ky njeri ka gjasa përmes detit t’ia mbath detrave për ne ndonjë oqean…

Dy nga frymorët, pa një e pa dy, dolën nga bodrumi rrëmbimthi, nxituan hapat në oborrin e pallatit dhe humbazi u mjegulluan tutje.

Në bodrum të mbyste e të hidhëronte në fyt era e rënduar e peshkut. Dy njerëzit e mbetur aty kolliteshin pa pushim sikur t’u kishin ngelur hala në grykë. Dukej sikur aty kollitej edhe ajri.

– Ç’ke? Sikur u skuqe? T’u morën mendttë? S’po t’i shoh kokërdhokët e syve. Ulu, ulu në karrike  Po dal për doktor. Dola.

– Doktor, o doktor, eja shpejt, eja. një i sëmurë….   

Asnjë pipëtimë. Vapa, jashta, të thante grykën edhe koqet

U rrëzua…  rrëshqiti? – pyeti fare ciptazi një zë nga përtej. Pyeti apo ia futi dum-dum njeriu?

Kur ç’të shohësh? Doktori s’po dukej e s’po shquhej kund, s’po vinte që s’po vinte, të vilanosurin s’po e shihte kush. Por edhe i nxituari nuk vraponte dot. As vraponte, as ecte më. Ngriu? Mos e thuaj, mos! Dy të vilanosur tani. Kush do e thërrasë doktorin?

– O urgjenca, urgjenca…

Kujt po i fliste ecejaku e vrapuesi as vrapues e ecejak tani?

Kur ç’të shohësh?

Peshqit po dilnin nga të tria hyrjet e ndërtesës, nga  punishtja e xixave, nga bilardoja -kantinë, nga kantina – bodrum dhe rrëshqanthi nxitonin mes këmbëve të njeriut shushaq. Vdekja nuk ka ardhur ende këtu. Ajo është edhe esëll, edhe e dehun. S’ka mbaruar ceremonitë mbi tokën e gjallë a gjysmagjallë. Vdekja luan domino, peshqit luajnë lojë me kërcime.

Ashtu rrokapjerrthi njeriu gjysma frymësh doli nga nëntoka tek oborri i rrënuar i pallatit në lagjen (mos më pyet), në rrugën ende pa tabelë emri e trafiku, në orën… (s’paska akrepa ky lajmëtar?).

A luhet edhe në qiell bilardo? A këmbehen aty florinjtë me verërat? Qielli me cohë të kaltër është fusha e bilardos? Gurë janë yjet? Po stekë cila është? Një vetëtimë vetëtimtë vetëtimthi? Kjo fushë është më e madhja gjer më sot për të luajtur. Përderisa besojmë se jetohet edhe në ndonjë planet tjetër atëhere besojmë se edhe atje pihet vera. Ledhatohet, më falni, vëra. Gjithçka mund të luhet edhe në një planet tjetër?!