Albspirit

Media/News/Publishing

Delo Isufi: Shqiponja Pazaj-Veshaj dhe poezia “Çarshia e ëndrrave”

Pjesa e tretë

Në vargjet: “Dhe kërkoj djalin e ëndrrës/Shtat-ylber e plot nur“, poetja përdor një metaforë  shumë të bukur kur e përshkruan djalin e ëndrrës si: “shtat-ylber e plot nur“.

Këto janë ndër vargjet më poetike të krijimit. Autorja nuk e përshkruan djalin me tipare fizike. Ajo nuk flet për sytë, flokët apo fytyrën. Ajo ndërton një portret simbolik. Ajo flet për madhështinë shpirtërore që ai përfaqëson. Kjo është një zgjedhje artistike shumë e rafinuar. Figura “shtat-ylber” është një metaforë që ngërthen disa kuptime. Ylberi lind pas shiut. Prandaj ai është simbol i shpresës. Ai bashkon qiellin me tokën. Prandaj është simbol i harmonisë. Ai përmban shtatë ngjyra. Ylberi është simbol i mrekullisë, i pajtimit mes qiellit dhe tokës, është simbol i plotësisë. Ajo flet për madhështinë shpirtërore që ai përfaqëson.

Ndërsa “nuri” sjell një ndriçim shpirtëror, një dritë që nuk buron vetëm nga bukuria fizike, por nga pastërtia e qenies. Me vetëm pak fjalë ndërtohet portreti i një dashurie ideale, pothuajse qiellore. Fjala “nur” ka një peshë të veçantë. Ajo nuk tregon vetëm bukuri. “Nuri” është dritë që buron nga brendësia. Është një ndriçim moral dhe shpirtëror. Në këtë mënyrë dashuria largohet nga sensualiteti i zakonshëm dhe fiton një dimension ideal.

Është e vështirë të mos mendosh se Bosfori vetë bëhet bashkëautor i kësaj poezie. Ai nuk është sfond. Ai merr frymë bashkë me vargjet. Ujërat e tij mbajnë dritën e hënës, fshehin psherëtimat e dashurisë dhe përkundin ëndrrat që nuk kanë ende guxuar të bëhen realitet.

Ndoshta në atë çast, mbi një nga shëtitoret buzë Bosforit, qëndron një vajzë e re. Ka hedhur mbi supe një kaftan ngjyrë alle, aq të kuq sa duket sikur ka marrë flakën e perëndimit. Kaftani lëkundet lehtë nga puhiza që vjen prej detit. Ajo nuk flet.

Vetëm sodit qiellin. Në sytë e saj yjet dyfishohen, sepse një pjesë e tyre ndodhen lart në kupën qiellore, ndërsa pjesa tjetër jeton në pasqyrimin e ujërave të Bosforit. Midis dy qiejve, atij të vërtetë dhe atij të detit, vajza duket sikur kërkon një shenjë. Hëna vazhdon udhëtimin e saj të heshtur. Herë duket si një princeshë orientale e mbështjellë me mëndafsh argjendi, herë si një sirenë deti që loz mbi kreshtat e dallgëve, duke shpërndarë dritë mbi anijet që kalojnë ngadalë. Ajo nuk ndriçon vetëm qytetin. Ajo ndriçon edhe shpirtin e poetes, duke e kthyer natën në një hapësirë ku gjithçka bëhet e mundur.

Një nga bukuritë më të mëdha të kësaj poezie është pikërisht ekuilibri mes reales dhe imagjinares. Çarshia ekziston. Sokakët ekzistojnë. Bosfori është aty prej mijëra vitesh. Por në vargjet e Shqiponja Pazaj-Veshaj ato pushojnë së qeni thjesht vende.

Ato marrin dimension simbolik. Çarshia bëhet tregu i ëndrrave. Sokakët bëhen korridore të kujtesës. Era bëhet lajmëtare e dashurisë. Ndërsa nata shndërrohet në një mbretëri ku zemra nuk njeh kufij.

Lexuesi e kupton se kjo nuk është vetëm historia e një vajze që kërkon djalin e ëndrrave. Është historia e çdo shpirti që ka pritur dikë, që ka besuar se diku, në një cep të botës, ekziston një takim i shkruar nga fati. Pikërisht këtu qëndron universaliteti i poezisë. Ajo nuk i përket vetëm autores; ajo i përket kujtdo që ka dashuruar, ka pritur dhe ka ëndërruar.

Në vargjet e poetes edhe heshtja fiton fuqi.

Vargjet: “Më ngre një prit dhe del përball/Prej detit Marmara…”, nuk do të shikohen vetëm si një takim mes dy të dashuruarve, por si dalja e idealit nga pafundësia, ku deti Marmara shndërrohet në simbol të pavetëdijes, të misterit dhe të fatit.

Po kështu, vargu: “Kaftani im mbi supe hedhur/Natën e sundon…“ mund të interpretohet si simbol i feminitetit, i pasionit dhe i dinjitetit shpirtëror, ku ngjyra alle nuk është vetëm element estetik, por përfaqëson zjarrin e dashurisë dhe forcën e shpresës. Kaftani që ka heshur mbi supe i jep asaj një pamje ëngjëllore, diku duket si një xixëllonjë, diku si një flutur, diku si një shtojzavalle ku ky sharm e sundon natën. Kemi një natë që e humbet disi nocionin e errësirës dhe në kuptimin figurativ dorëzohet para kësaj bukurie magjepsëse. Për poeten, Çarshia është vendi ku takohen koha dhe kujtesa:

“Në çarshinë e vjetër pranë

Për heshtje që më vret..“.

Këto vargje përfaqësojnë një kthesë të rëndësishme në zhvillimin e poezisë. Autorja nuk zgjedh një kopsht me lule, një vile luksoze, një restorant, nje kafene apo një klub ku zbrazen shishe vere e shampanje e muzika dëgjohet deri në qiell.

Ajo zgjedh çarshinë e vjetër.

Pse pikërisht aty?

Sepse çarshia është vendi ku kalojnë njerëzit, ku kryqëzohen rrugët, ku takohen historitë, ku bashkëjetojnë e shkuara dhe e tashmja. Në planin simbolik, ajo përfaqëson vetë jetën.

Ndërsa epiteti “e vjetër“ nuk ka vetëm kuptim kohor. Ai sugjeron kujtesën, traditën, përjetësinë. Është sikur dashuria që kërkon personazhi lirik nuk është një ndjenjë e çastit, por një ndjenjë që ka ekzistuar gjithmonë.

Shprehja ”heshtje që më vret” është një nga figurat më të fuqishme të poezisë. Kemi të bëjmë me një hiperbolë emocionale. Natyrisht, heshtja nuk vret fizikisht. Por ajo mund të gërryejë shpirtin. Mund ta rëndojë pritjen. Mund ta bëjë vetminë edhe më të thellë. Poetja arrin ta materializojë dhimbjen përmes një figure të vetme.

Puhiza përshkruhet si fryma e shpresës.

„Në puhizë e pa-anë,

Pikërisht aty më pret”.

Puhiza është një tjetër simbol shumë i bukur. Në letërsi, era e fortë zakonisht lidhet me stuhinë. Ndërsa puhiza lidhet me qetësinë. Ajo vjen pa zhurmë. Pa dhunë. Pa imponim. Puhiza nuk pushton, nuk thyen degë peme ashtu si stuhia por ajo vjen qet e ëmbël, të ledhaton e freskon fytyrën. Ajo afrohet me butësi. Po kështu vjen edhe dashuria e kësaj poezie.

Në fund të kësaj strofe ndodh diçka shumë domethënëse. Për herë të parë folja kalon nga kërkimi te siguria. Nuk thuhet më “e kërkoj“. Thuhet “më pret“. Kjo do të thotë se shpresa fillon të marrë trajtë konkrete. Ëndrra nuk është më vetëm dëshirë, ajo fillon të shndërrohet në mundësi.

Nëse pjesët e para të poezisë ndërtojnë atmosferën e pritjes dhe të kërkimit, vargjet që pasojnë sjellin çastin e shumëpritur të takimit. Por ky takim nuk realizohet si një ngjarje e zakonshme njerëzore. Ai mbështillet nga një atmosferë misteri dhe simbolike, duke e ngritur dashurinë nga një përjetim individual në një përvojë universale.

Strofa:

“Më ngre një prit dhe del përball,

Prej detit Marmara,

Më dha një puthje përmbi ballë,

Një botë të gjithë më dha”… është një nga pjesët më të rëndësishme të poezisë, sepse këtu ndodh kalimi nga pritja në përmbushjen e ëndrrës.

Dalja nga deti Marmara – lindja simbolike e dashurisë.

Vargu: “Prej detit Marmara” është jashtëzakonisht i pasur në kuptim. Në një lexim të parë, ai krijon një pamje romantike: i dashuri shfaqet nga ana e detit, në sfondin magjik të Stambollit. Por në një lexim më të thellë, ky det merr funksion simbolik. Deti në letërsi është shpesh simbol i së panjohurës, i pafundësisë, i thellësive të shpirtit dhe i misterit. Prandaj personazhi që del prej detit nuk është thjesht një njeri që vjen nga një vend tjetër. Ai duket sikur lind nga vetë hapësira e ëndrrës. Deti Marmara bëhet një lloj “vatre poetike“ nga e cila shfaqet dashuria. Është sikur natyra vetë bashkëpunon me zemrën e subjektit lirik për të krijuar këtë takim.

Në shumë krijime mitologjike dhe letrare, qeniet e jashtëzakonshme dalin nga uji. Uji lidhet me lindjen, pastrimin dhe fillimin e ri. Edhe këtu deti krijon përshtypjen e një burimi prej nga vjen figura ideale e dashurisë.

Puthja mbi ballë – simbol i dashurisë së pastër.

“Më dha një puthje përmbi ballë“.

Ky varg meriton një vëmendje të veçantë. Poetja nuk zgjedh buzët. Nuk zgjedh një puthje pasioni të drejtpërdrejtë. Ajo zgjedh ballin. Në simbolikën njerëzore, balli lidhet me nderin, mendimin, shpirtin dhe respektin. Një puthje mbi ballë është një gjest i butë, fisnik, mbrojtës.

Kjo tregon se dashuria e paraqitur në poezi nuk është vetëm ndjenjë e dëshirës, por një lidhje shpirtërore. Ajo është një dashuri që sjell qetësi dhe siguri. Kjo përputhet edhe me vargun pasues:

“Një botë të gjithë më dha”!

Këtu kemi një hiperbolë poetike.

Një njeri nuk mund të japë fjalë për fjalë një botë të tërë. Por për shpirtin e dashuruar një çast i vetëm mund të ketë peshën e një bote. Kjo është një e vërtetë psikologjike e dashurisë. Kur njeriu gjen atë që ka kërkuar gjatë, një çast i vetëm mund të duket i pafund.

Strofa tjetër e thellon më tej këtë ndjenjë: Këtu dashuria paraqitet si përvojë magjike:

“Më çmend çdo herë e më mahnit,

Kur mallin më rrëfen,

Më merr në krah sukur një mit,

Në yje më rrëmben”!

Këtu shfaqet një ndryshim i rëndësishëm. Në vargjet e mëparshme dashuria ishte pritje. Tani ajo bëhet përjetim. Foljet që përdor autorja kanë intensitet emocional: “çmend”, “mahnit”, “merr”, “rrëmben”.

Këto folje tregojnë se dashuria nuk është diçka pasive. Ajo është një forcë që e pushton njeriun. Por veçanërisht interesant është krahasimi:

“Më merr në krah sikur një mit”.

Ky është një nga krahasimet më të bukura të poezisë. Pse “mit”? Sepse miti i përket një bote përtej së zakonshmes. Mitologjia është hapësira ku njerëzit, heronjtë dhe perënditë marrin përmasa të jashtëzakonshme. Duke e krahasuar të dashurin me një mit, poetja e vendos atë në kufirin midis njeriut dhe legjendës. Ai nuk është më vetëm një personazh i dashurisë. Ai bëhet simbol i ëndrrës së përsosur.

“Me qindra net i kam trazuar,

Të zgjidhja ty si desha…“.

Këto vargje janë një nga çelësat psikologjikë të poezisë. Fjala “qindar” nuk duhet marrë si një numër i saktë. Ajo është një hiperbolë poetike, që shpreh kohëzgjatjen e vuajtjes dhe të pritjes. Në botën e dashurisë, koha nuk matet me orë dhe ditë. Ajo matet me intensitetin e ndjenjës. Një natë pritjeje mund të duket si një shekull. Një çast lumturie mund të vlejë sa një jetë. Prandaj “qindra net“ është simbol i një pritjeje të pafundme shpirtërore.

Folja “trazuar“ është gjithashtu shumë domethënëse. Ajo nuk thotë “kam kaluar“ netët. Ajo thotë “i kam trazuar“. Kjo tregon një shpirt që nuk ka qenë i qetë. Netët janë kthyer në hapësira mendimi, kujtimesh, pyetjesh dhe ëndrrash. Subjekti lirik ka jetuar më shumë brenda vetes sesa në botën e jashtme.

Dashuria përballë fatit:

“Edhe pse jeta kryqëzuar,

Pafat më dukej vetja”!

Këtu shfaqet një nga temat më të vjetra të letërsisë: përplasja mes dëshirës njerëzore dhe fatit. Njeriu ëndërron, kërkon, lufton, por jo gjithmonë arrin ta kontrollojë rrjedhën e jetës. Shprehja “jeta kryqëzuar” është një metaforë shumë e fuqishme. Ajo sjell idenë e rrugëve që takohen, por edhe të pengesave që e ndërpresin udhëtimin. Jeta e subjektit lirik nuk është një rrugë e drejtë. Ajo është një udhë me kthesa, me ndarje dhe me sfida.

Ndërsa fjala “pafat” nuk shpreh thjesht trishtim. Ajo tregon ndjesinë e një njeriu që beson se fati nuk ka qenë në anën e tij. Kjo e afron poezinë me traditën e madhe lirike shqiptare, ku shpesh njeriu shfaqet përballë fuqive më të mëdha se vetja: kohës, fatit dhe humbjes.

Ikja e ëndrrës“

“Kur nata ikën, shkon dhe ti.

E fshihen jetë e gjurmë…“.

Këto vargje janë ndër më të bukurat e fundit të poezisë. Nata këtu nuk është vetëm koha fizike e ditës. Ajo është hapësira ku ëndrra mund të ekzistojë. Gjatë natës gjithçka është e mundur. Në errësirën e butë të natës, njeriu mund të takojë atë që realiteti ia mohon. Por kur nata ikën, ikën edhe magjia.

Prandaj vargu: “Kur nata ikën, shkon dhe ti“ ka një kuptim të thellë simbolik. I dashuri dhe nata janë të lidhur. Të dy janë pjesë e botës së ëndrrës. Me ikjen e natës, largohet edhe figura ideale. Ky është një nga paradokset më të bukura të poezisë: ajo që sjell lumturi është pikërisht ajo që nuk mund të zgjasë.

E më pastaj, Jeta dhe gjurma – simboli i kujtesës.

“E fshihen jetë e gjurmë“.

Këtu poetja prek një ide filozofike. Koha fshin gjithçka. Ajo fshin hapat, takimet, zërat dhe çastet. Por letërsia lind pikërisht nga lufta kundër kësaj harrese. Poezia ruan atë që koha përpiqet të zhdukë.

Edhe vetë “Çarshia e ëndrrave“ është një përpjekje për të ruajtur një çast të humbur. Vargu është kujtesa që kundërshton zhdukjen. Ëndrra që bëhet shi.

“Në ëndërr ditësh bëhet shi.

Largohesh nëpër turmë“!

Ky është një nga momentet më të bukura metaforike të poezisë. Shiu në letërsi ka shumë kuptime. Ai mund të jetë pastrim. Mund të jetë trishtim. Mund të jetë lot i natyrës. Këtu shiu simbolizon tretjen e ëndrrës. Ajo që ishte e ndritshme dhe e afërt, shpërndahet si pika shiu. Ëndrra nuk zhduket plotësisht, por humbet formën.

Ajo mbetet si një ndjenjë e shpërndarë në kujtesë.

Edhe largimi “nëpër turmë” është shumë domethënës. Turma simbolizon botën reale. Pasi mbaron nata e ëndrrës, njeriu rikthehet te njerëzit, te zhurma e jetës, te përditshmëria. Por brenda tij mbetet një vetmi e madhe.

Pjesa përmbyllëse: Bosfori – pasqyra e shpirtit.

“Ca brenga shpirti si për dreq.

Lëkunden mbi Bosfor,

Më hakërrohen tek bien keq.

Përmbys në kraharor“!

Është kulmi emocional i poezisë.

Në fillim Bosfori ishte hapësirë magjie. Ishte vendi i hënës, i yjeve, i takimit dhe i ëndrrës. Në fund ai ndryshon kuptim. Tani ai bëhet pasqyrë e dhimbjes. Ky është një proces shumë interesant artistik. I njëjti vend merr kuptime të ndryshme sipas gjendjes së shpirtit. Kur zemra është e lumtur, bota duket e bukur. Kur zemra vuan, edhe bukuria mbart trishtim. Bosfori nuk ndryshon. Ndryshon njeriu që e sheh. Kjo është një nga të vërtetat më të mëdha të poezisë. Natyra në letërsi nuk është kurrë vetëm natyrë, ajo është pasqyrim i shpirtit njerëzor.

“Brengat që lëkunden mbi Bosfor“. Ky varg përmban një metaforë të jashtëzakonshme. Brengat marrin trup. Ato bëhen si valë që lëkunden mbi ujë. Kjo është një personifikim i fuqishëm. Dhimbja nuk mbetet më një ndjenjë e brendshme. Ajo del jashtë dhe bëhet pjesë e peizazhit. Është sikur gjithë Bosfori mbart dhimbjen e subjektit lirik. Në këtë mënyrë poezia mbyllet aty ku filloi: me marrëdhënien midis njeriut dhe qytetit. Por ndërsa në fillim Stambolli ishte qyteti I ëndrrës, në fund bëhet qyteti i kujtesës dhe i mallit.

E gjithë poezia është një ëndërr-magji ku melodia e vargut ndërthurret bukur e harmonishëm me melodine e zemrës. Nga ana artistike “Çarshia e ëndrrave” është e pasur me figura letrare gjë që e bëjnë poezinë subjekt studimi edhe më të detajuar.

Poezia e Shqiponja Pazaj-Veshaj është, në thelb, poezi e shpirtit. Ajo nuk kërkon të ndërtojë botë të largëta nga njeriu, por të zbulojë ato hapësira të fshehta që ekzistojnë brenda tij. Ajo shkruan për ato ndjenja që shpesh nuk thuhen me zë, por që jetojnë gjatë në kujtesë.

Ja dhe disa nga figurat letrare më të spikatura në këtë poezi mbresëlënse

1. Personifikimi

(Dukurive natyrore ose sendeve u jepen tipare njerëzore).

“Në Stamboll, nata luan” – Nata paraqitet sikur luan si një qenie e gjallë.

“Me hënën e artë mbi minare“ – Hëna merr pjesë në "lojën" e natës.

“Për heshtjen që më vret“ – Heshtja fiton fuqinë për të vrarë.

“Kur mallin më rrëfen“- Malli paraqitet si diçka që mund të flasë.

“Kur nata ikën“- Nata sillet si një njeri që largohet.

“Ca brenga shpirti… lëkunden mbi Bosfor“- Brengat marrin lëvizje njerëzore.

“Më hakërrohen“- Brengat paraqiten si qenie që kërcënojnë.

2. Metafora

“Djalin e ëndrrës“ – Mashkulli i dashur identifikohet me ëndrrën.

“Shtat-ylber“- Ylberi përdoret si metaforë për bukurinë, madhështinë dhe magjinë.

“Plot nur“, “Nur” – Metaforë për dritën shpirtërore dhe hijeshinë.

“Një botë të gjithë më dha”- Bota nuk nënkupton planetin, por lumturinë dhe gjithçka që dëshiron subjekti lirik.

“Në yje më rrëmben“ – Metaforë për lumturinë e tejskajshme.

“Natën e sundon“ – Sundimi i natës është metaforë e forcës, hijeshisë ose ndikimit të tij.

“Jetët kryqëzuar“ – Metaforë për fatet që janë takuar.

“Bëhesh shi“ -Shiu simbolizon mallin, lotët dhe largësinë.

3. Epiteti

Hënën e artë, çarshinë e vjetër, puhizën e pa-anë, detit Marmara, djalin e ëndrrës, Bosfor, plot hare, plot nur

Epitetet e zbukurojnë figurën poetike dhe krijojnë atmosferë orientale.

4. Hiperbola

“Një botë të gjithë më dha“ – Zmadhim artistik.

“Në yje më rrëmben“ – Është e pamundur fizikisht; shpreh madhështinë e ndjenjës.

“Më vret heshtja” -Teprim emocional.

5. Simboli

Poezia është shumë e pasur me simbole.

Nata – misteri, dashuria, pritja.

Hëna – feminiteti, romantika.

Minaret – Lindja, spiritualiteti.

Deti Marmara – largësia dhe udhëtimi i dashurisë.

Bosfori – kufiri ndërmjet dy botëve, lidhja dhe ndarja.

Yjet – ëndrra dhe lumturia.

Shiu – lotët dhe mungesa.

Çarshia – vendi ku takohen ëndrrat dhe kujtesa.

6. Antiteza

“Kur nata ikën, shkon dhe ti“. – Përballë natës (koha e bashkimit) vendoset dita (koha e ndarjes).

7. Krahasimi

“Më merr në krah sikur një mit“. – Është krahasimi i vetëm i shprehur drejtpërdrejt me lidhëzën “sikur&quot“.

8. Simbolika orientale

Janë elemente që krijojnë atmosferën poetike:

Stambolli, minaret, çarshia, Marmaraja, Bosfori, kaftani – Këto nuk janë vetëm elemente gjeografike, por mbartin vlera kulturore dhe estetike.

9. Kontrasti

Natë — Ditë

Takim — Largim

Ëndërr — Realitet

Shpresë — Pafatësi

Hare — Brengë

Këto kontraste ndërtojnë tensionin emocional të poezisë.

10. Anastrofa (inversioni)

Renditja e pazakontë e fjalëve përdoret për efekt poetik. Shembuj:

“Veç meraku im rritur zgjuar“

“Kaftani im mbi supe hedhur“

“Edhe pse jetët kryqëzuar“

“Shpresën poseduar“

11. Aliteracioni

Përsëritja e tingujve krijon muzikalitet. Shembuj:

“Më merr në krah… “.

“Më çmend çdo herë e më mahnit… “.

“Më dha një puthje përmbi ballë… “.

Përsëritja e bashkëtingëllores m i jep poezisë një ritëm të butë dhe melodioz.

12. Anafora

Përsëritja në fillim të vargjeve:

“Më…”. – Më ngre… Më dha… Më çmend… Më merr…

Kjo përforcon intensitetin emocional.

Në këtë poezi mbizotërojnë:

1. Personifikimi – është figura më e përdorur.

2. Metafora – ndërton gjithë universin poetik.

3. Simboli – i jep poezisë thellësi filozofike dhe emocionale.

4. Epiteti – krijon atmosferën orientale dhe romantike.

5. Hiperbola – shpreh intensitetin e ndjenjës.

SHQIPONJA PAZAJ DHE FRYMËZIMI I SAJ ME BUKURI SHPIRTËRORE

Duke lexuar poezitë e Shqiponja Pazaj Veshaj, të duket vetja sikur je para një tabloje muzikore, ku tingujt, ritmi, melodia, emocionet bashkohen për të krijuar një pikturë me zë. Vargjet e saj janë plot rimë e bukuri shpirtërore, aty muza poetike lodron lirshëm, herë-herë me vrull në çaste gëzimi dhe, kur dhimbja sëmbon, vargu kthehet në lot e përsëri vadit vargun si në poezinë “Masakra e Vranishtit”.

Këtu, ngjarjet dhe episodet poetja i trajton si një kundërshtim, duke e veshur vargun me një diskurs të kujtesës historike dhe identitetit kombëtar. Fjala poetike revoltohet si një akt etik kundër harresës. Poezia e saj është një ndërthurje e veçantë mes epikës tradicionale dhe ndjeshmërisë lirike të kohës. Vargjet e poetes përshkojnë një dialog të hapur me historinë dhe kujtesën kolektive. Brenda këtij konteksti Shqiponja shfaqet si një zë që e artikulon dhimbjen historike jo si narrative retrospective, por si një përvojë etike aktive. Në vargjet e poetes ndërthuren kujtesa, historia, miti, epika, lirizmi ku figuracioni ndrit si filigram në krijimtarinë e saj. Poetja dialogon me personazhet, me historinë, me ndërgjegjen, me kujtesën, me natyrën, me vargun.

E veçantë është poezia “Masakra e Vranishtit”.

Kjo poezi ndërtohet si një elegji kolektive. Metafora e errësimit kozmik dhe figura arketipale e nënës e zhvendosin ngjarjen në nivele mistike. Kujtesa këtu nuk është pasive, por thirrje kundër harresës. Kësaj poezie i japin më shumë dritë metaforat dhe simbolikat.

“Qielli zymtak u derdh mbi ty”- metaforë kozmike që shpreh jo vetëm errësirën e natyrës por rënien e fatit historik mbi një vend të pafajshëm.

“Një lot që s’thahet kurrë”-simboli i përjetshëm i dhimbjes kolektive.

“Nëna Safo-zeza” -simbol i nënës shqiptare që mbledh gjakun e bijve të saj dhe i bën flamur.

Ashtu si: “bora “-simbol i ftohtësisë së vdekjes dhe heshtjes historike apo:

“kali”- metaforë e rrugës së martirizimit dhe epopesë tragjike.

Në këtë poezi figurat letrare si: “dhimbja më ther”, “jeta digjej”. “koha në flamur”

apo antitezat

jetë-vdekje, shpresë-zi etj… përcjellin jetë tek lexuesi. Këtu poezia pohon se vdekja fizike nuk e shuam jetën historike.

Në këto frymëzime Shqiponja merr mbi vete misionin e penës si ilaç, duke e kthyer poezinë në akt shërimi kombëtar. Duke lexuar poezinë “Kthimi i kapedanit”, poetja heroin na e sjell këtu midis nesh. Pra, heroi nuk vdes kurrë, ai kthehet sa herë kombi ka nevojuë për ‘të. Poezia ka karakter epoko-mitik. Tema është ringjallja simbolike e heroit, kthimi i tij në ndërgjegjen kombëtare.

Metaforat e përorura në këtë poezi si “Toka u drodh kur dëgjoi emrin tënd” – heroi bëhet forcë natyrore, “Malet si mburojë” -simbol i bashkmit të heroit me atdheun, “Shkallët e qiellit”- mitizimi i figurës së Çerçizit, ngrijtje në panteon.

Poetja, në poezinë “Në qiell të pash” flet për mendimin filozofik dhe kulturor mbi pavdekësinë e gjeniut ku: simbolika “vjeshtë”-koha e reflektimit apo “Varri”- jo fund, por portë, “froni i qiellit”- panteoni i pavdekësisë shpirtërore. Edhe këtu forca morale e e trashëgimisë kulturore shprehet me “shpresa bëhet hekur” apo “gjuha shipe”- tempulli ke jetoi Naimi. Naimi në këtë poezi është shtyllë ontologjike e identitetit kombëtar. Kuptohet poetesha me poezinë “Çarshia e ëndrrave” e trajton dashurinë si një dimension oriental-mitik, ku realiteti dhe ëndrra flenë bashkë dhe shkrihen në një të vetme. Këtu realja dhe imagjinaria herë janë “kaftani”- simboli i mbrojtjes emocionale dhe herë “shiu i ëndrrave“- dashuria e paarrirë. Në këtë poezi shprehet qart se dashuria është bukuri shpirtërore që mbijeton në kujtesë.

Teamatika e gjerë dhe e larmishme e vargut të Shqiponjës të befason me figurat letrare dhe teamtikat e trajtuara, ku me art i ka ngritur në piedestalin e kohës.

Poetja kur shkruan për Fan Nolin, ajo e përshkruan si “dielli i paperënduar”- pra, i pavdekshëm. Në refrenin kënga labe përfaqëson identitetin popullor më të fort se liturgjia dhe, mesazhi i poetes është se kombi nuk duhet t’i harrojë dhe humbas kurrë bijtë e tij të medhenj, duke lakur tutje mungesën e pjekurisë historike.

Qershia mbi tortë është poezia kushtuar rapsodit Mato Hasanit, lisit që rri mbi erë. Këtu simbolika “lisi”- është forca, rrënja, pavdekësia. Dhe, ndonëse vitet ikin por vargjet dhe këngët mbeten, ato trashëgohen brez pas brezi.

Që të flasësh për poezitë e Shqiponja Pazaj Veshaj është disi e vështirë pasi poetja në vargjet e saj ka figura letrare tepër interesante. Ajo vargun e ndërton në një univers epiko-lirik. Poezia e saj ka histori, mit, dashuri, dhimbje, art, melodi, rimë dhe ritëm. Gjuha e përdorur është e pastër. Ndoshta po t’i lexosh e rilexosh disa herë vargjet e saj gjenë frymë epike Labërie. Në vargjet e saj gjen ndërthurrje të lirikës së vetmuar e kolektive. Poezia e Shqiponjës ështe akt kujtese dhe shërimi, është rezistencë kundër harresës. Poetja shndërrin dhimbjen në kujtesë dhe kujtesën në respekt dhe nderim. Ajo me vargjet e saj nuk pranon heshtjen, nuk pajtohet me padrejtësitë historike. Poetja, me një gjuhë të ëmbël metaforike, me frymë epike dhe ndjeshmëri lirike ndërton një univers ku vargun e kthen në këngë dhe monument shprese.

Poezia e Shqopnjës ndërtohet mbi tri shtylla kryesore: Kujtesën historike, lirikën shpirtërore dhe gjuhën e pasur metaforike, ku të gjitha së bashku mbartin frymën epiko lirike përmes ndjeshmërisë moderne të vargëzimit melodioz.

Delo Isufi, Dhjetor 2025.

Fjala e Delo Isufit në promovimin e librit poetik  

Të nderuar profesorë, poetë, studentë dhe pjesëmarrës në këtë promovim libri. Thonë se çdo poet mban brenda vetes një vend të shenjtë, vendin ku ka hapur sytë për të parë, ku ka dëgjuar erën që flet me malet dhe ku zemra ka mësuar gjuhën e emocioneve. Kjo është vendlindja. Dhe shpeshherë, aty fillon edhe poezia Është kënaqësi e veçantë që edhe unë të them dy fjalë për Shqiponjën duke u përqendruar tek poetja dhe vendlindja e saj

Libri me poezi i titulluar “Shteg i heshtur” i poetes Shqiponja Pazaj-Veshaj flet aq shumë sa heshtja në mënyrë figurative kuvendon me njerezit, me fshatin, fushat, malet e ngjitet lart në re ku muza poetike shpërthen vrullësh e përqafon të gjitha bukuritë.

Në jetën e çdo njeriu ekziston një vend që nuk zëvendësohet kurrë. Është vendi ku ai ka hedhur hapat e parë, ku ka dëgjuar zërin e natyrës dhe, ku kujtimet kanë marrë formën e tyre fillestare. Ajo është rrënja që e lidh njeriun me tokën, me historinë dhe me shpirtin e tij.

Për poeten, vendlindja është edhe më shumë. Ajo është burimi i parë i frymëzimit. Është vendi ku lind ndjenja, ku formohet fjala dhe ku shpirti mëson të dëgjojë zërin e botës që e rrethon. Nuk është rastësi që shumë nga poetët dhe shkrimtarët e mëdhenj të botës kanë folur me dashuri të thellë për vendin ku janë lindur.

Shkrimtari i madh rus Lev Tolstoi shprehej se “Pa dashurinë për vendlindjen, njeriu është si një pemë pa rrënjë”. Ndërsa poeti anglez William Wordsworth e shihte vendlindjen si burimin e kujtimeve dhe të ndjenjave më të pastra të njeriut.

Kjo lidhje e thellë me vendlindjen gjen jehonë edhe në krijimtarinë e poetes së re Shqiponja Pazaj. Në vëllimin e saj poetik, ajo kthehet me mall dhe dashuri te vendi ku është rritur, te fshati Vranisht, një fshat me histori, tradita dhe një natyrë të bukur malore që ka ushqyer shpirtin e shumë brezave.

Si fletët e vjetra të një libri të harruar,

Një mur i grisur qëndron përballë,

Koha me penë mbi pluhur ka shkruar,

Gjurmë kujtimesh, ëndrra dhe mall!

Poetja, e lindur në Vranisht që në fëmijërinë e saj, nga prindërit, gjyshërit dhe të moshuarit, duke dëgjuar historitë e të parëve, u rrit dhe u edukua me ndjenjën e së bukurës, madhështitë e natyrës së Vranishtit, të këtij fshati të lashtë, mbi 3000 vjeçar, ku Guri me Qiell apo Sofra e Zotit, në kujtesën e saj të fëmijërisë, mblidhen perenditë e ushqehen me nektar. Dhe, këtë nektar, poetja na e ka dhënë edhe në librin që sot kemi në duar. Këtë dashuri për vendlindjen, poetja e perkund furishëm në vargjet:

“Aty në vendlindje furishëm dëshirën përkund,

Të ngre në piedestal çdo gjë të mirë që është atje,

Në gjurmët e të parëve të eci pa fund,

Të prek çdo gur e grusht me dhe”.

Në poezitë e Shqiponjës, Vranishti shfaqet si një peizazh shpirtëror. Në vargjet e poetes janë malet që qëndrojnë si rojtarë të kujtesës së kohës, ndihen rrugicat e fshatit ku ka hedhur hapat e fëmijërisë, dhe mbi të gjitha aty janë njerëzit e thjeshtë e të urtë që mbajnë gjallë traditën dhe shpirtin e kësaj treve.

Poetja e sjell vendlindjen e saj në poezi me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe dashurie. Ajo e shndërron atë në kujtim, në mall, në këngë dhe në identitet. Përmes vargjeve të saj, vendlindja bëhet një botë emocionesh ku ndërthuren natyra, historia dhe ndjenja njerëzore.

Të shohë matanë ku grykat thyhen,

Aty ku renë e mugët patëm vrarë,

Dremit ky malli im e lotët bien,

Nga to fillon e çel një rrap i tharë.

Vargu i poetes lodron në fusha e lugina, herë- herë ngitet lart në re e bashkë me to, kthehet në buqeta lulebore me aromë trëndeline.

Ashtu siç thotë edhe i madhi Lasgush Poradeci, “Vendlindja është një burim i pashtershëm kujtimesh, ku shpirti kthehet gjithmonë për të pirë ujë”.

Edhe kur jeta e çon larg poetin, zemra mbetet e lidhur me tokën ku je lindur.

Vendlindja është ajo dritë e qetë që nuk shuhet kurrë në shpirt.

“Mund të udhëtosh në gjithë botën, thotë Pablo Neruda, por zemra gjithmonë njeh rrugën për në vendin ku ke lindur”.

Prandaj, kur lexojmë poezinë e Shqiponja Pazaj, ne nuk lexojmë vetëm vargje. Ne ndiejmë frymën e një vendi, aromën e maleve dhe kujtesën e brezave. Ne ndiejmë dashurinë e thellë për vendlindjen e saj, për Vranishtin.

Dhe ndoshta kjo është edhe bukuria më e madhe e poezisë: ajo i jep zë kujtesës, i jep dritë vendlindjes dhe e bën atë të jetojë përgjithmonë në vargje.

Unë qëndrova vetëm tek lidhja e poetes me vendlindjen, ndërkohë që i gjithë vargëzimi në këtë libër është si një ylber që qarkon jo vetëm vendlindjen, Lumin e Vlorës, por edhe më gjerë. Poezitë e saj janë plot dritë, të thurura bukur e melodioze, janë të freskëta, janë këngë kujtese kundër harresës, janë këngë dashurie e malli, janë lule mijëragjyrëshe.

Pra, në vargjet e Shqiponja Pazaj-Veshaj jeton vendlindja, jeton kujtesa dhe dashuria për tokën ku ajo u lind.

Duke përfunduar dua te falënderoj Prof. dr. Bardhosh Gaçen për fjalët e tij në hyrje të këtij libri.

Le ta urojmë poeten që ky “Shteg i heshtur” të bëhet një udhë e gjatë dhe e ndritur në letërsinë tonë.