Gjykata urdhëron Trump të rikthejë hyrjen në Shtëpinë e Bardhë për tre rrjete kryesore mediatike
Një gjykatës federal në SHBA ka urdhëruar administratën e Presidentit Donald Trump të rivendosë menjëherë hyrjen në Shtëpinë e Bardhë për gazetarët e tre rrjeteve kryesore mediatike: CNN, MS NOW dhe Politico.
Vendimi u mor pasi gjykata vlerësoi se ndalimi i vendosur ndaj tyre ka gjasa të shkelë mbrojtjen kushtetuese të lirisë së shtypit.
Gjykatësi Federal Timothy Kelly njoftoi se ka urdhëruar administratën Trump që të rivendosë menjëherë aksesin e CNN, MS NOW dhe Politico në Shtëpinë e Bardhë.
Vendimi erdhi pasi Presidenti Donald Trump u ndaloi atyre të hynin në ambientet e Shtëpisë së Bardhë.
Revokimi i distinktivave të gazetarëve u bë pa “një proces të rregullt ligjor të përshtatshëm kushtetues”, thuhet në vendimin e lëshuar të enjten në mëngjes, raporton noa.al.
‘Rregulli i përgjithshëm’ është se “individët duhet të njoftohen dhe t’u jepet mundësia të dëgjohen përpara se Qeveria t’i privojë ata’ nga një interes i mbrojtur kushtetues”, argumentoi gjyqtari Kelly.
Çështja u dërgua në gjykatë pas ankesës së tre organizatave mediatike ndaj masës së marrë më 18 shtator nga administrata amerikane, e cila u kufizoi atyre aksesin zyrtar.
Presidenti Trump e kishte arsyetuar këtë vendim duke pretenduar se këto media transmetonin informacione jo të sakta mbi aktivitetin e administratës së tij, ndërsa Departamenti i Drejtësisë mbrojti masën duke u thirrur në çështje të sigurisë kombëtare.
Trump njoftoi ndalimin e tre mediave në një postim në rrjetin e tij social të premten, duke shkruar se po i përjashtonte këto media “si rezultat i ‘raportimit’ të tyre të vazhdueshëm për LAJME TË RREME!” dhe duke shtuar “Media të tjera të lajmeve të rreme do të përjashtohen në vijim”.
Gjatë seancës dëgjimore të së mërkurës mbi mocionin për një urdhër të përkohshëm kufizues, avokati i Departamentit të Drejtësisë, Michael Velchik, argumentoi se CNN, MS NOW dhe Politico kishin rrezikuar sigurinë kombëtare me raportimet e tyre dhe se Trump ka të drejtë të vendosë se kush mund të ketë akses në Shtëpinë e Bardhë.
Pretendimet u hodhën poshtë nga gjykatësi Kelly i cili sot i riktheu mediave të drejtën për të raportuar nga Shtëpia e Bardhë.