Ismet Hajrullahu: Gjenocidi serb
Plani i akademikut Vaso Çubriloviq i vitit 1937, i titulluar “Dëbimi i shqiptarëve”, nuk përfaqëson një histori, por njërën nga platformat më të detajuara dhe më të egra institucionale për dëbimin dhe spastrimin demografik të një popullsie. Ky memorandum kriminal, i prezantuar përpara elitës politike dhe ushtarake të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, funksionoi si një udhërrëfyes, ku urrejtja ndaj shqiptarëve u kthye në metoda të dhimbshme ekonomike dhe policore. Çubriloviqi argumentonte se rrugët diplomatike dhe integrimi kishin dështuar, prandaj shteti duhej të përdorte të gjithë aparatin e tij represiv për t’ua bërë jetën të pamundur shqiptarëve në trojet e tyre. Masat e propozuara ishin radikale, ato përfshinin vendosjen e taksave të larta selektive për popullsinë shqiptare, po ashtu presionin e vazhdueshëm mbi pronat e paluajtshme, shpronësimet e dhunshme, dëbimin e klerikëve katolikë që mbanin gjallë kohezionin shoqëror, si dhe fshirjen e toponimeve dhe emrave të vendbanimeve për të zhdukur çdo gjurmë të pranisë shqiptare. Pjesë themelore e kësaj strategjie ishte kolonizimi i dhunshëm i tokave të sekuestruara nga serbët, me qëllim që të ndryshohej njëherë e mirë balanca demografike në rajon.
Në rrafshin ideologjik, ky projekt u ndërtua mbi mohimin absolut të autoktonisë dhe identitetit të shqiptarëve. Si pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve, dardanëve dhe epiriotëve, ne shqiptarët kishim një vazhdimësi të lashtë dhe të pakontestueshme historike, e cila sfidonte dhe rrëzonte narrativat dhe mitet e reja të nacionalizmit serb. Për të fshehur këtë inferioritet historik dhe për të ligjëruar pretendimet e veta territoriale, aparati propagandistik serb dhe institucionet e tij akademike nisën një fushatë të gjerë të falsifikimit të historiografisë. Qëllimi ishte t’i paraqisnin shqiptarët si elemente të huaja, si popullsi nomade apo si të ardhur rishtazi gjatë periudhës osmane, duke u përpjekur kështu të zhveshnin një komb të tërë nga trashëgimia e tij kulturore e religjioze.
Ky projekt i hartuar në zyrat akademike serbe u shndërrua në doktrinën e politikave të mëvonshme shtetërore në Jugosllavi, pavarësisht ndryshimit të regjimeve. Gjatë dekadave, popullsia shqiptare u përball me një dhunë të vazhdueshme nga ndalimi dhe kufizimi i arsimit në gjuhën amtare, te reformat agrare që shpronësonin familjet shqiptare në favor të kolonëve, e deri tek aksionet famëkeqe policore për mbledhjen e armëve në vitet e pesëdhjeta nën drejtimin e Aleksandër Rankoviqit, të cilat synonin terrorizimin psikologjik dhe fizik të popullatës për të nxitur shpërnguljen masive drejt Turqisë apo vendeve të tjera.
Kjo linjë politike, e projektuar në vitin 1937, gjeti konkretizimin e saj përfundimtar gjatë viteve ’90 nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit. Parimet operacionale të memorandumit të Çubriloviqit u shndërruan në plane ushtarake dhe policore, duke kulmuar me gjenocidin e hapur në Kosovë. Spastrimi etnik në masë, djegia e qëllimshme e qindra fshatrave, vrasjet e organizuara të civilëve, masakrat sistematike dhe dëbimi i dhunshëm i qindra mijëra shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, treguan se si një e ashtuquajtur “akademi” kthehet në një makineri të shkatërrimit në masë të shqiptarëve.
Këto krime dhe këto masakra u instaluan dhe u mbështetën nga forcat policore e ushtarake. Kjo situatë solli përmasa të tmerrshme. Për këtë arsye, dokumentimi dhe studimi i këtyre platformave historike ishte një urgjencë dhe një obligim për të mbrojtur të vërtetën, dhe vetëm të vërtetën. Por shteti makabër serb, që përpiqet të shitet si një shtet “civilizues”, kurrë nuk kërkoi falje për tërë atë makaber që vetëm serbët dinë ta bëjnë.
Ne nuk harrojmë…