Kastriot Kotoni: Ç’na bëre, o Adi? I le palestrat pa punë…
Ç’na bëre, o Adi? Pas videove të tua, duket se nuk janë vetëm palestrat që po vuajnë pasojat. Tani edhe disa “kliente të natës” po mendojnë dy herë para se të trokasin në ndonjë derë. Jo se kanë humbur dëshirën… kanë humbur qetësinë! Tani para çdo takimi pyetja e parë nuk është më: “Ku takohemi”?, por “A ka kamera”?
— “Jo”.
— “Po je i sigurt? Se Adi na ka traumatizuar”! Dikur frika ishte se mos i shihte komshiu. Sot frika është se mos përfundojnë nesër në ndonjë portal me titullin: “Videoja që po çmend internetin”! Kështu, ndërsa palestrat boshatisen, dhomat kontrollohen me më shumë kujdes se aeroportet. Njëra palë kërkon muskuj, tjetra kërkon kamera të fshehta. Dhe portalet? Portalet fërkojnë duart. Sepse për publikun që ushqehet me “skandale”, kjo është më shumë se një histori: është ushqim psikologjik i gatshëm për klikim. Prandaj, o Adi, bëj kujdes: nëse vazhdon me këtë ritëm, së shpejti do të na duhet një kategori e re lajmesh: “Gratë që nuk vijnë më për seks, nga frika se mos bëhen lajm”. Ndërsa pronarët e palestrave po pyesin të dëshpëruar: “Po ne ç’faj kemi”?!
“Meritokracinë tani më shumë se kurrë duhet ta kërkojmë në çdo fushë dhe jo të rendim në harbimin e një fleshi bombastik”. Vëmendja publike po përqendrohet tek skandalet, ndërsa çështja themelore është përzgjedhja dhe promovimi i njerëzve sipas talentit, aftësisë dhe kontributit të tyre. Arti dhe sporti zhvillohen kur avancojnë më të aftët, jo më të lidhurit. Nëse rolet, financimet, diplomat apo vendet në ekipet sportive fitohen përmes lidhjeve, favoreve apo klientelizmit, cilësia bie në mënyrë të pashmangshme. Publiku nuk e refuzon cilësinë. Kur janë ofruar vepra cilësore, koncerte të mira apo sportistë të nivelit të lartë, publiku shqiptar ka treguar gjithmonë mbështetje dhe interes. Skandalet janë të përkohshme, produkti kulturor është afatgjatë. Një videoskandal mbush portalet për disa ditë, ndërsa një këngë, një film, një shfaqje teatrore apo një arritje sportive ndikojnë për vite në kulturën e një shoqërie. Mbrojtja e privatësisë nuk duhet të zëvendësojë debatin mbi përgjegjësinë morale dhe profesionale. Privatësia është një e drejtë, por meritokracia kërkon që figurat publike të gjykohen edhe për integritetin, profesionalizmin dhe ndikimin e tyre shoqëror. Një shoqëri që shpërblen meritën krijon modele Të rinjtë orientohen drejt punës, talentit dhe përkushtimit kur shohin se suksesi arrihet përmes aftësisë dhe jo përmes privilegjeve. Sot debati publik po konsumohet nga skandalet dhe kurioziteti voyeurist, ndërsa problemi i vërtetë mbetet mungesa e meritokracisë. Një komb nuk ndërton të ardhmen me klikime, por me artistë, sportistë dhe profesionistë që ngrihen mbi bazën e talentit dhe punës së tyre. Privatësia është e drejtë njerëzore, por po aq e rëndësishme është edhe kërkesa që institucionet kulturore, artistike dhe sportive të funksionojnë mbi meritën. Vetëm kështu mund të rikthehet cilësia dhe besimi në jetën publike.