Mirela Kanini: KUR DURIMI I NJË POPULLI MBARON
Kohët e fundit, ishim mësuar ta shihnim Shqipërinë me sytë e turistëve, si një vend me njerëz të mirë e mikpritës, me natyrë mahnitëse, troje të bekuara dhe gatime të mrekullueshme. Por, ndërsa admironim bukuritë e saj, shpesh anashkaluam realitetin e hidhur, atë të një populli që, në pjesën më të madhe, nuk jeton, por mbijeton.
Nuk e vumë shumë ujin në zjarr as kur njerëzit protestonin prej muajsh në mënyrë paqësore, duke ngritur zërin për problemet që u rëndonin mbi supe. U morëm më shumë me skandalet e njerëzve oportunistë, që për interesa personale u bënë palë me pushtetin, duke përfituar gjithçka që mundën. Ndërkohë, harruam turmën e vjedhur, të poshtëruar e të varfëruar, që endej bulevardeve me pankarta në duar dhe me shpresën gjithnjë e më të venitur se dikush do ta dëgjonte.
Deri sa erdhi dita kur kupa e durimit, e mbushur deri në grykë, nisi të derdhej. Kur padrejtësia grumbullohet për vite me radhë, kur shpresa zbehet dhe kur zëri i qytetarit shpërfillet vazhdimisht, zemërimi rrezikon të errësojë arsyen. Sepse njerëzit duan drejtësi. Duan meritokraci. Duan paqe, dinjitet dhe njerëzillëk. Janë lodhur duke pritur që gjërat të ndryshojnë, ndërsa jeta e tyre kalon mes premtimeve të pambajtura dhe sakrificave të pafundme.
Kur një shtet, i zgjedhur nga populli dhe i krijuar për t’i shërbyer atij, harron përgjegjësinë ndaj qytetarëve, humbet besimin mbi të cilin mbështetet. Kur institucionet nuk dëgjojnë më, kur drejtësia perceptohet si e paarritshme dhe kur rrugët paqësore duken sikur nuk çojnë askund, lind rreziku që njerëzit të humbasin besimin te vetë sistemi. Historia na ka treguar se pakënaqësia e akumuluar mund të shpërthejë me pasoja të rënda për të gjithë shoqërinë.
Por një popull nuk duhet të detyrohet të zgjedhë mes heshtjes dhe shkatërrimit. Ka një rrugë tjetër: përgjegjësia, llogaridhënia, ndryshimi institucional dhe një tranzicion paqësor që i rikthen vendit besimin dhe shpresën.
Kur një mësues nuk i përmbush detyrat, mund të largohet nga puna. Kur një mjek bën gabime të rënda profesionale, duhet të mbajë përgjegjësi. Kur një shef nuk e kryen punën siç duhet, mund të zëvendësohet. Atëherë, pse duhet të jetë ndryshe për ata që drejtojnë një shtet? Pse përgjegjësia publike duhet të ketë standarde të tjera nga ato që kërkohen prej çdo qytetari?
Kur një vend digjet nga flakët e krizës ekonomike, sociale dhe morale, qeveria duhet të përballet me përgjegjësitë e saj. Nëse ka humbur besimin e qytetarëve dhe nuk është më në gjendje të qeverisë, duhet të hapë rrugën për një zgjidhje politike dhe institucionale, të ligjshme e paqësore. Një qeveri e përkohshme, e përbërë nga njerëz me integritet, profesionistë të besuar brenda vendit dhe në diasporë, mund të jetë pjesë e një procesi që synon të rikthejë besimin, të garantojë drejtësi dhe të parandalojë përshkallëzimin e situatës.
Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë urrejtje, por as për më shumë heshtje. Ka nevojë për drejtësi, për njerëz që e duan vendin më shumë se pushtetin dhe për institucione që i shërbejnë qytetarit, jo interesave të një grushti njerëzish.
Sepse një popull mund të durojë varfërinë, mund të përballojë vështirësitë dhe mund të sakrifikojë për të ardhmen. Por është e vështirë të jetojë pa dinjitet, pa drejtësi dhe pa shpresë.
Zoti e ndihmoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!