Dr. Sc. Lida Shosha: Ky regjim duhet shembur
SHËRIMI I NJË KOMBI NGA KANCERI
Shpesh në gjuhën mjekësore, fjala kancer nënkupton një sëmundje të keqe, me qeliza malinje kancerogjene qe kanë aftësi të shumëfishohen anormalisht, të gllabërojnë indet e shëndosha, te krijojnë tumore solide, e më pas të shkëputen nga tumori mëmë e të shpërndahen në organe te tjera, derisa ta mbysin e të marrin shpejt jetën e një njeriu, nëse nuk trajtohen.
Në aspektin shoqëror, fjala “kancer” përdoret për të përshkruar fenomenet e dëmshme shoqërore që brejnë një popull nga brenda si korrupsioni, krimi, padrejtësia apo shpërfillja ndaj shqetësimeve të qytetarëve. Kur korrupsioni dhe kapja e shtetit nga elita politike shndërrohen në një fenomen sistemik, ato funksionojnë pikërisht si një “kancer” që mbysin shpresën, shkatërrojnë meritokracinë dhe i detyrojnë të rinjtë të kërkojnë të ardhmen e tyre jashtë vendit.
Shqipëria ka arrit pikërisht në këtë pikë, ku politikanët e këtij vendi, njerëz të pacipë të veshur me pushtet, në bashkëpunim me krimin dhe korrupsionin, të kapardisur në kolltukë, hajdutë ordinere, e rropën çmendurisht këtë vend, vodhën te sotmen, vodhën dhe të ardhmen, dhe shpopulluan mjerimisht këtë vend në mënyrë të parikthyeshme. Shërimi i një kombi fillon kur qytetarët refuzojnë të jenë spektatorë të shkatërrimit të shtëpisë së tyre.
Ndryshimi i madh vjen nga ndërgjegjësimi masiv se e ardhmja e vendit nuk mund t’u lihet në dorë atyre që e shfrytëzojnë atë. Të rinjtë nuk kërkojnë mrekulli brenda natës, por kërkojnë garanci se mundësitë janë të barabarta, të rinjtë nuk kërkojnë mrekulli pasi nëse pretendojmë që jetojmë në një sistem demokratik, pushteti përfundimtar i përket qytetarit.
Ndërkohë sot në Shqipëri, atij qytetari dhe studenti i bëhet raprezalje pse proteston , i thyen brinjët, i çahet kafka, i thyet kolona, i helmohen mushkëritë, i përcëllohen sytë, përplaset përtokë nga makineria e shtetit e veshur me uniformë, qe po përdor pushtetin për shtetin, duke e dhunuar barbarisht qytetarin. Ne miq të mi, jemi gënjyer që jetojmë në demokraci, ne studentet e dhjetorit që shembëm diktaturën, u hodhëm në një tjetër diktature më barbare se më parë. Ju deputetë faqezinj, sot jeni të damkosur me njollën e turpit, për ku e sollët këtë vend, në këtë derexhe, për shpresën e përbaltur, për ëndrrën e thyer. Por jo veç ju, të gjithë jemi fajtorë, sepse nuk ndëshkuam akoma më shumë me votë politikanë të korruptuar, pa dallim krahu politik, sepse shitët votën për një thes miell, sepse i lejuam të na shkatërronin vendin dhe të ardhmen e fëmijëve.
Protestat e studentëve dhe të rinjve janë një shuplakë e fortë, për qeverinë, për ju deputetë të pacipë shurdhmemecë që dini veç të ngrini kartona me urdhër, dhe kur ulërima e qytetareve që ju kanë votuar buçet, por nuk keni këllqe dhe integritet, ju mbrojtët kolegë te korruptuar me kartonat tuaja, ju ndërtuat dhe idealizuat si zvarranikë liderin, e paprekshëm që pasi zgjedh vetë, shtetarë të zhytur në korrupsion, krim, pisllik, smban pikën e përgjegjësisë për paçavuret e dëmin kolosal ndaj popullit. Jemi ne, brezi prindëror i dështuar, të menderosur, të pa-aftë të mbronim vlerat, të reagonim shumë më herët, të ngrinim zerin, të protestonim kur shihnim si shkërmoqej arsimi, shëndetësia, si shitej vendi, copa copa nga jugu në veri, pasuria jonë e përbashkët, si gdhiheshin shtetarët injorantë në ligje e vendime, po zanatçinj në vjedhje, brenda natës, miliarderë, si burgosej qytetari për 3mijë lek drita te papaguar,e si krekosej deputeti me miliona gllabëruar, si endej me çatitë e rena, muret e nxira i mjeri pa mbrojtje sociale, si pensionisti nuk arin dot të pijë një kafe ndonëse ka punu një jete se,ai pension faqezi nuk i del as për ujë e bukë, jo më për ilaçe e kafe.
Ky sistem duhet shembur, ky kancer duhet shqepur, qelizë pas qelize, ky trup do kemioterapi dhe rezatim në çdo qelizë të infiltruar me kancer, se ky pushtet i kancerizuar po vdes, po shuan një komb të tërë. Kemi një popull duket të dorëzuar, por Shqipëria ka një rini të padorëzuar, vitale, heroike, stoike, të bukur në shpirt, të dlirë, të paepur , kokëfortë, të etur për ndryshim dhe një të ardhme më të mirë, por më së shumti kemi një rini që e do ATDHEUN marrëzisht, që këndon në terror, Shqipëri o vendi im, një rini që refuzon të largohet, por që sot ka nevojë për një komunitet, për çdo njëri nga ne e gjithëbashkë për të mbështetur njëri-tjetrin për të fituar mbi kancerin qe po u vret të ardhmen, jetën, ëndrrat. Në mos sot, nesër diktaturat do bien, shqiptarët janë zgjuar, e ju pushtetarë përjetë do mbaheni mend për paçavuret ku e sollët kët vend, sdo i shijoni dot jo, çfarë i vodhët këtij populli, do mbaheni mend dhe për plagët në trupat e njomë kërthinj të fëmijëve e studentëve, kërbaçëve barbarë nga huliganët me uniformë.
Drejtësia vonon por nuk harron. Historia nuk i mban mend tiranët për fuqinë që patën, por për mënyrën se si u rrëzuan dhe për lirinë qytetare që lulëzoi mbi rrënojat e tyre. Dhe po e mbyll me një thënie te Mahatma Gandit: Kur mendoj për historinë, shoh se liria, dashuria dhe e vërteta kanë fituar gjithmonë. Ka patur tiranë e vrasës, dhe për një kohë ata mund të duken të padukshëm e të patundshëm, por në fund, ata gjithmonë bien. Mendoje këtë, gjithmonë!
/Gazeta Panorama