Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Kur politikanët maten me hijen e lisit

Rënia e pashmangshme e liderëve të Kosovës që po humbin kontaktin me realitetin.

Në teatrin e gërditshëm të politikës, një nga fenomenet më të shpeshta është humbja e vetëdijes dhe e kontaktit me realitetin. Kjo ndodh atëherë kur politikanët fillojnë të maten me hijen e lisit. Të mashtruar nga pozita dhe oborrtarët që u thurin lavde, atyre u duket vetja gjigantë.

Hija e pushtetit që e projektojnë mbi shoqërinë i bën të besojnë se janë të pazëvendësueshëm, të paprekshëm dhe më të mëdhenj se vetë institucionet që përfaqësojnë. Ata harrojnë se madhësia e asaj hijeje nuk është meritë e trupit të tyre, por është produkt i pozicionit të përkohshëm nën dritën e pushtetit.

Por, si çdo hije që ndryshon me lëvizjen e diellit, edhe koha e politikanëve e ka një fund. Kur drita e pushtetit perëndon apo kur qytetarët vendosin t’u ulin perdet, hija zhduket brenda natës. Atëherë mbetet vetëm njeriu i zhveshur nga postet, shpesh i habitur se sa i vogël është në të vërtetë pa atë hije që e mashtroi për aq shumë kohë.

Prandaj, sipas meje, tragjedia e tyre dhe fatkeqësia e shoqërisë është se këtë zgjim nga iluzioni e kuptojnë gjithmonë tepër vonë.