Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: ”Kamadeva” e Lasgushit dhe magjia e gjuhës

Në shtator të vitit 1984, miku im Rinush Idrizi më dhuroi një kopje të daktilografuar të poemës ”Kamadeva” të Lasgush Poradecit. Një poemë lirike pa subjekt, me 143 strofa katërshe. Ende më kujtohen disa strofa si:

Me shpatë mes-për-mes

Jam i përshkuar,

Me zjarr që kurrë s’vdes,

I përvëluar.

S’e mirrnja dot mi dhe,

Me mënt’ e mija,

Që shpatë e presë e teh

Kish dashurija.

Në poezinë shqipe poema “Kamadeva” është një poemë mistike që shpjegon më mirë se çdo poemë tjetër natyrën shpirtërore të njeriut Lasgush Poradeci.

Petraq Kolevica, në librin “Lasgushi më ka thënë”, e quan “Kamadevën”, “simfoni e trishtuar”.

Kjo poezi, e mbetur gjatë në dorëshkrim, nuk kishte asnjë lidhje me atë se ç’ndodhte në poezinë shqipe. Indiferent ndaj proceseve të revolucionarizimit të poezisë shqipe, ndaj poezisë politike, të mbushur me parrulla dhe me një formë pllakateske, Poradeci plotësonte universin e tij, duke i mbetur konseguent strukturës së tij shpirtërore, duke qënë besniku më i madh i vetëvetes dhe antikonformisti më i madh në letërsinë shqipe.

Në këtë kuptim vizioni lasgushian, i cili mund të krahasohet me ato të Dantes, është unik në letërsinë shqipe. Bota e poemës është një parajsë qiellore, harmoni e dritës dhe e muzikës, e qëndrimeve që burojnë nga hierarkia e përkryer e shkallëve të hyjshmërisë. Vepra është sugjestionuese, kapluese. Përpos të tjerash, edhe prej komponentëve muzikorë e vizualë të saj, transmetuar përmes gjuhës poetike.

Por magjia e kësaj vepre mbetet gjuha. Gjuhës shqipe poeti i ka vënë kurorën në këtë poemë. Ai provon se gjuha shqipe është gjuha e mundësive të pafundme, e nuancave semantike të pafundme. Kur flasim për raportin e poetit me gjuhën, gjuha e Lasgush Poradecit është shembulli më i jashtëzakonshëm në letërsinë shqipe. Ai nuk e “injoroi” gjuhën, por bëri diçka shumë më të fuqishme: e rimoduloi, e zhveshi nga rregullat e ngurta zyrtare dhe krijoi një sistem gjuhësor krejtësisht unik, mistik dhe muzikal. Për Lasgushin, gjuha ishte muzikë.

Lasgushi mbronte tezën se shqipja ka mundësi të pakufishme ekspresive dhe se “gjuha nuk ka faj, por ka poetë që s’dinë të përkthejnë e të bëjnë poezi”.

Sot marrëdhënia e poetëve me respektimin e gjuhës ndodhet në një udhëkryq kompleks.

Por për të thyer rregullat e gjuhës në mënyrë gjeniale, poeti fillimisht duhet t’i njohë ato në mënyrë të përsosur.