Identiteti kombëtar në kujtesën bibliografike të enciklopedikut Peter Prifti
Eleni Karamitiri
Peter Prifti është dukuria intelektuale që u rrit në mjedisin demokratik amerikan duke ruajtur frymën shqipe, dashurinë për kombin, kulturën dhe historinë. Anëtar që në themelim i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane me qendër në NY, me mision ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor shqiptar në diasporë, u shqua në fushën e gazetarisë si një zë bashkëkohor e profesionist në histori, gjuhësi e letërsi. Për të ruajtur të pacënuar imazhin e Shqipërisë, nuk u ndal me argumentet e tij në artikuj të publikuar në disa enciklopedi, si në Encyclopædia Britannica, duke u shënuar si autori i parë shqiptar që shkruan në këtë botim, si dhe Compton’s Encyclopedia, Encyclopedia Americana, Collier’s Encyclopedia, World Book Encyclopedia. Në këto organe prestigjioze, shkrimet e P. Priftit u përqendruan në paraqitjen objektive të botës shqiptare për lexuesin ndërkombëtar me zëra informues mbi Historinë e Shqipërisë, zhvillimet politike, gjuhën dhe letërsinë shqipe, gjeografinë, kulturën e shoqërinë shqiptare.
Gjatë punës në MIT, në Universitetin e Kalifornisë dhe në vazhdim, ky kontribut jo i zakonshëm e bën të zëshme këtë figurë në botën intelektuale të diasporës, jo vetëm në Sh.B.A. Në serinë e librave Shkrimtarë Ndërkombëtarë, Encyclopædia Britannica, 1991, shënohet “… është një konsulent për shqipen në Departamentin e Linguistikës në Universitetin e Kalifornisë në San Diego. Ai shkruan rregullisht për tema të ndryshme lidhur me Shqipërinë, kryesisht mbi historinë, literaturën dhe çështjet aktuale”. Patriot në kuptimin e vërtetë, P. Prifti ka meritë se nuk rreshti së mbrojturi integritetin territorial të shqiptarëve në rrethet shkencore, politike e diplomatike. At Artur Liolini (Vatra, 2010), kujton Peter Priftin si një nga më të shquarit studiues dhe historianë për kombin shqiptar dhe popullin e vet. Kërkimet dhe punimet e tij, janë vepra klasike për brezat e interesuar në trashëgiminë amëtare duke përfaqësuar një zë bashkëkohor e këshilltar profesionist, në gjuhësi, arte e letërsi.
Tek ai gjeje bashkëpatriotin e plotëbesueshëm, edukatorin e shquar, dhe personin e respektuar.
Në rrugëtimin për të njohur më mirë shqiptarët e diasporës, e kryesisht shqiptarët e Amerikës që bënë histori në atë kontinent, studimet bibliografike sjellin të dhëna të reja dhe dëshmi të panjohura, duke plotësuar pjesë të zbrasëtisë në këtë historik. Në ngjashmërinë mes përzgjedhjes së temave, mënyrës filozofisë të konceptimit dhe metodologjisë së trajtimit të tyre, autorët shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë, nxitur nga pasioni dhe humanizmi që i karakterizon, japin dhe marrin përmes komunikimit mbresëlënës, përjetues në lidhjet shpirtërore, dallues për nga ndjeshmëria dhe përmasat. Mes tyre, lidhjet përkojnë me shqetësime për probleme të kulturës shqiptare dhe po aq fort, me nocionet e rikonceptuara të temave të atdhedashurisë, motiv parësor e jetik për shqiptarët kudo qofshin larg ose pranë Shqipërisë.
Diaspora, sot një realitet entusiast, pjesë e rëndësishme e kulturës shqiptare, kërkon vëmendjen. Po të ecim në gjurmët e historisë së emigracionit, kuptojmë se shkrimet dhe botimet në gjuhën shqipe, nuk kanë qenë një dukuri e izoluar apo tendencë e momentit, ato u zhvilluan duke ruajtur traditën. Një jetë e tërë punë studimore e krijimtari në emigrim, është historia që nuk duhet harruar për hir të së ardhmes dhe integrimit të kombit. E kemi për detyrë morale dhe qytetare, t’i njohim patriotët dhe shkencëtarët tanë të çdo fushe, për të ngritur më lart dinjitetin tone kombëtar, shkruan shkrimtari Naum Prifti. Ndër këta autorë renditet edhe Peter Prifti, pasi veprimtaria studimore, shkencore dhe patriotike e Peter Priftit thuajse është e panjohur nga bota shqiptare, prandaj veprat e tij duhet të përkthehen shqip që t’i kthehen trungut amë që i përkasin.
Kjo detyrë, shprehet shkrimtari, në radhë të parë i takon Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e po ashtu edhe institucioneve përkatëse. 1)
Historikisht, emigrimi i shqiptarëve, arsye të fortë mbi të gjitha, ka pasur kushtet ekonomike. Edhe kur pasioni për letrat ka qenë i fortë, ai shpesh u la dytësor, sepse nuk kishte tjetër mundësi për të mbijetuar. Pak nga të emigruarit sakrifikuan më tepër në këtë drejtim. Peter Prifti në kujtimet e tij shkruan: I jam mirënjohës babit tim, Rafael, i cili kuptoi dëshirën time për shkollim dhe e çmoi atë duke më financuar deri në fund. Ky ishte një nga virtytet e karakterit të babait, për të cilin ruaj mirënjohje e dashuri të thellë, sepse iu desh të bënte punë të rënda në Amerikë për të siguruar të ardhmen e fëmijëve. 2)
Izolimi dhe politizimi në kohën e diktaturës u shtri larg, përtej hapësirës shqiptare, duke penguar njohjen e diasporës. Pak informacion shkëmbehej privatisht përmes korrespondencave, ndërkohë që bibliotekat në Shqipëri, literaturën që vinte nga jashtë, e kishin të ndaluar për lexuesit. Akademikë, shkrimtarë e gjuhëtarë, atë pak lidhje me botën jashtë e mbanin në heshtje. Me Peter Priftin, patën korrespondencë ndër vite figura të shquara në Shqipëri. I gatshëm e i pakursyer në kohë e në mund, ai u ka dhënë informacione me vlerë studiuesve në fushën e letërsisë, gjuhësisë dhe historisë. Kaq e thellë ishte modestia e tij dhe vlerësimi për njerëzit, sa angazhohej e bashkëpunonte pavarësisht moshës dhe formimit të tyre.
Sot është e lehtë të flitet, por e vërteta është se mungoi guximi që ta bënin të zëshëm ashtu si e meritonte, duke e harruar emrin e tij në referime e botime shkencore. Peter Prifti mbeti i panjohur jashtë kufijve të Shqipërisë, ndërkohë që në botën jashtë ishte i pari studiues shqiptar për vlerat e të cilit shkruante shtypi në botë, Encyclopædia famëmadhe Britannica dhe organe të tjera prestigjioze. Për gjithçka që dha pa kursyer deri në fund të jetës së tij, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e cilëson: Nderi që nderon të gjithë krijuesit në këtë kontinent dhe më gjerë. 3)
Me informacione të mbledhura ndër vite, me synimin për ta bërë të njohur edhe në Shqipëri, në vitin 1997, studimi i parë monografik “Peter R. Prifti në botën e dijetarëve shqiptaro-amerikanë”, E.K. na njeh në 180 faqe, me jetën, veprën dhe kontributin shkencor e patriotik të këtij autori. Duke e studiuar përherë e më thellë, asnjëherë nuk u mëdysha për qënien e tij dijetar dhe profil enciklopedik, rallë i përsëritshëm. Në vitin 2005, studimi “Zëra nga diaspora” E.K., ofron informacione të panjohura për veprimtarinë kulturore të disa autorëve të panjohur të diasporës shqiptare në SHBA, ku Peter Prifti, paraqitet në vështrimin e një intelektuali larg dhe pranë Shqipërisë. Por bibliografia e pasur që plotëson profilin e këtij studjuesi, paraqitet në botimin “Shqiptarë në liri, Diaspora shqiptare në Amerikë” (studime letrare, dëshmi, bibliografi) E.K., 2017. Në të vërtetë, një mision i ndjerë që duhej plotësuar, por që nuk u arrit para se Peter Prifti të largohej nga kjo jetë.
Sistemimi dhe klasifikimi i kapitujve në këtë bibliografi shkencore e diku edhe të arsyetuar, kërkoi kohë e mund për shkak të volumit dhe diversitetit të gjinive dhe temave. Bibliografia e njërit prej kontribuesve më të njohur të çështjeve shqiptare në SHBA, bashkëpunëtorit të ngushtë e të besuar të Fan Nolit, i të fundit Fanolian, është dëshmi e një pune të palodhur, dëshmi e identitetit kombëtar të këtij autori shqiptaro-amerikan me rrënjët në atdhe. Me informacione e shkrime me interes të veçantë për Shqipërinë dhe për Kosovën, e pasur me botime veprash të Peter Priftit si autor apo bashkautor, me reçensione veprash dhe artikujsh, me kritika, portrete njerëzish të shquar, bibliografia e Peter Priftit mban gjallë kuriozitetin dhe tërheq vëmendjen e lexuesve dhe në veçanti të studiuesve, që njohin pak nga kjo krijimtari. Aty vijnë analiza kritike të situatave ku spikat lista e gjatë e botimeve me vlera studimore, historike e shkencore dhe korrespondenca e pasur e Peter Priftit me personalitete politike, shkencore e letrare në Shqipëri, Amerikë, Kosovë dhe në vende të tjera të botës, si dhe një seri shkrimesh letrare shqip e anglisht.
Publicistika ka qenë deri diku prioritet për autorët në diasporën e Amerikës. Stimulimi i artikujve publicistikë, ishte mision për këta autorë që ndjenin përgjegjësinë e informimit për gjendjen e aktualitetit brenda kufijve të Shqipërisë, duke dhënë opinione dhe duke sensibilizuar politikën ndërkombëtare për situatat. Peter Prifti e përdor publicistikën si një arenë ku përballen mendimet e tij me rrugët logjike të zgjidhjeve për të ardhmen. Si të tilla, shumë shkrime kanë vlerën e studimeve të mirëfillta. Politika është e pranishme në krijimtarinë e Peter Priftit si një realitet i pashmangshëm. Si një organizëm jo formal, ajo shoqëron historikun e rrugëtimit të kombeve drejt së resë. Vëzhgues dhe analist i vëmendshëm i situatave të krijuara për shoqërinë shqiptare gjatë proceseve të shndërrimeve historike, Peter Prifti ruan pozicionin e interpretuesit objektiv të ardhmërisë për Shqipërinë dhe po ashtu për Kosovën, pjesë e shumë shkrimeve dhe botimeve të tij.
Ai argumenton se ripërtëritja kombëtare rrjedh nga dëshira e fuqishme për afirmimin kulturor, që ka qenë e ndrydhur në shekuj. Në këtë lëvizje, Shqipëria ka pasur kurdoherë me dëshmi historike, prirjen për të kaluar nga Bota Lindore për t’u rigjallëruar në Botën Perëndimore. Imazhi i Shqipërisë dhe shqiptarëve ngjallet në portretet që sjell ky studiues. Personazhet e portretizuar prej tij janë reale, njerëz që i njeh historia, me karakter e bindës, që sjellin me vete mendimet e tyre dhe kulturën e origjinës. Fjalëpak në recensione, i kursyer në komente të tepërta falë stilit të tij jo të zgjatur, nga qindra faqe studim, jepen ekstrakte të analizës së veprave madhore dhe voluminoze në fushën politike, historike, social-kulturore. Në tërësi, ato nuk janë artikuj të shkurtër, por studime që trajtojnë probleme të Historisë së Shqipërisë, të padrejtësive që Fuqitë e Mëdha i kanë bërë kombit shqiptar, mendime të historianëve shqiptarë dhe të huaj për Lidhjen e Prizrenit, fitoren e Pavarësisë, shkaqet dhe pasojat e stalinizmit në Shqipëri, integrimit në kulturën Evropiane-Perëndimore, si dhe tema që lidhen me Komunitetin shqiptar në SH.B.A.
Në sintezë historike, në planin kombëtar e ndërkombëtar, P. Prifti trajton çështjen e Kosovës në studime, reportazhe, recensione, komente e fjalime, me fuqinë objektive të propagandimit të ideve për zgjidhje në favor të popullit. Mendimet politike Peter Prifti i shfaq qartë në librat Remote Albania, Unfinished portrait of a country, Land of Albanians- A crossroad of Pain and Pride, si dhe Confrontation in Kosova për luftën në Kosovë që u botua nga Universiteti Columbia në New York dhe u ribotua brenda vitit, një ngjarje disi e rrallë për botimet universitare.
Peter Prifti, është nga të paktët intelektualë shqiptarë që edhe pse ka jetuar jashtë atdheut, i ka trajtuar me objektivitet zhvillimet historiko-politike të kohës së diktaturës në Shqipëri dhe në Kosovë. Libri Socialist Albania since 1944: Domestic and Foreign Developments, 1978, MIT, është cilësuar … I pari studim i gjithanshëm dialektik mbi Shqipërinë, që ia ka arritur të sjellë në vëmendje se ekzistonte një komb Ballkanas kaq pranë qytetërimit evropian, por pak i njohur e i keq interpretuar në botën perëndimore për shkak të politikave. Referuar The Washington Monthly, Perspketive, shtator 1978, shkruhet: Libra për Shqipërinë janë të rrallë. Kështu ky studim i gjithanshëm, i organizuar mirë, mbi Shqipërinë qysh më 1944, është i mirëpritur dhe i kohës, mbas studimit të Stavro Skendit të vitit 1956.
Ky botim, mbush një boshllëk mbi një vend të vogël po ideologjikisht të rëndësishëm…… libri është një përmbledhje faktike e shkëlqyer që prej Luftës së Dytë Botërore dhe do të bëhej një referencë standarde mbi historinë e brendshme të atij vendi, ndërkaq është për t’u rekomanduar për specialistët si dhe për lexuesit e zakonshëm.” Në faqen e parë të këtij studimi, dedikimi prindërve Ralph e Parashqevi Prifti, të ngjall ndjenja sentimentale, që të kujtojnë se autori, i një jete në Amerikë, përjeton ethet e forta të mërgimit, trishtimin e ndarjes, edhe pse më se gjysëm shekulli larg, nuk harron pasojat e izolimit komunist, që e lanë vite pa ardhur në vendlindje dhe pa u parë me familjen. Përtej misionit si studiues, rri zgjuar brenda tij ndjenja e mallit dhe atdhedashurisë.
Institucionalizimi i Studimeve Shqiptare në Amerikë dhe ideja për hapjen e një Katedre për Studime Shqiptare, në zemrën e shqiptarëve në Boston, që do të mbante gjallë frymën kombëtare, gjuhën dhe shtypin në emigracion, njeh kontributin konkret të Peter Priftit si nxitës, projektues dhe zbatues të këtij projekti. Në rrugën e këtyre përpjekjeve, më 13 tetor 1978, u themelua Shoqata për Studime Shqiptare në Boston, ngjarje historike në zhvillimin kulturor të shqiptarëve të Amerikës, ku Peter Prifti ishte ndër anëtarët drejtues. Lidhur me kontributin në Studime në Gjuhën Shqipe në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, Peter Prifti shkruan: “Dhashë mësim në gjuhën shqipe në një klasë të përbërë kryesisht nga pasuniversitarë të Fakultetit të Gjuhësisë. Përktheva të gjithë materialin nga shqipja në anglisht, që gjendet në tre librat: Spoken Albanian, Standard Albanian, Reading in Albanian. Redaktova të gjithë lëndën sipas kërkesave të gjuhës së njësuar letrare dhe sistemova të gjitha leximet.” (1900 fq.) 4)
Në përkthimet në prozë e poezi, Peter Prifti është shkrimtari e poeti që shpalos pasurinë e gjuhës shqipe duke ndihmuar që brezat e rinj të shqiptaro-amerikanëve të shijojnë bukurinë e shqipes, me pjesë nga letërsia artistike. Me të njëjtin pasion e mjeshtëri janë përkthyer prej tij libra, artikuj, recensione e poezi nga shqipja në anglisht e nga anglishtja në shqip. Kujtojmë përkthimin mjeshtëror të poezisë Anës Lumenjve te Fan Nolit, dhe Vallja e Vdekjes nga vëllimi Lot’ e Shpresë, Xh. Kallajxhi, Collected Poems apo Diary of a Wounded Heart, (Preng Gruda), Through Mirditë in Winter (Carloton Coon), The Golden Fountain (Naum Prifti), etj.
Studimi “Diaspora shqiptare në Amerikë (studime letrare, dëshmi, bibliografi)”, 253 fq., në kapitullin BIBLIOGRAFI, sjell në 60 faqe Peter Priftin me historikun e botimeve në disa gjini letrare, profile e fusha studimi:
1.Autorë në libra 2. Bashkautor në libra 3. Autor kontribues në libra të botuar në 11 kapituj 4. Recensione librash gjuhësore, librash letrarë, historikë e politikë 5. Artikuj në buletine e revista studimore me tematikë të ndryshme 6. Publicistikë: Shkrime dhe recensione në gjuhësi dhe letërsi 7. Shkrime dhe recensione në histori, besim fetar e kulturë 8. Shkrime me tematikë të ndryshme në shqip e anglisht 9. Portrete e jetëshkrime interesante autoresh 10. Shkrime për Kosovën, studime, komente 11. Pjesë teatri 12. Përkthime letrare: libra, fjalime, ese, poezi 13. Korrespondencë me individë dhe organizata në ShBA 14. Korrespondencë me individë dhe organizata jashtë Amerikës 15. Korrespondencë me personalitete, organizata dhe shtete të ndryshme 16. Shkrime biografike botuar në organe prestigjioze në Amerikë dhe jashtë saj, kushtuar personalitetit dhe krijimtarisë së studiuesit Peter Prifti.
Bibliografia e pasur e Peter Priftit është dëshmi e identitetit të tij kombëtar, burim njohurish prej nga mund të krijosh ide të qarta për punën studimore të ndërtuar mbi baza shkencore e metodike, një bibliotekë e pasur që pret të bëhet objekt temash kërkimore. Humanizmi e dinjiteti njerëzor, mban emrin e virtytshëm të Peter Priftit. Ai ia kushtoi jetën lëvrimit të fjalës shqipe; është studiuesi, publicisti, historiani, gjuhëtari, kritiku, qëmtuesi i problematikave aktuale, mjeshtër i shqipërimit e përkthimeve, një figurë shumëdimensionale, me një vepër që do t’i rezistojë gjatë kohës.
Referenca:
1,3) “Shqiptarët në liri-Diaspora shqiptare në Amerikë,(studime letrare, dëshmi, bibliografi)” Eleni Karamitiri. 2017. fq. 152,170.
2,4) “Peter R. Prifti në botën e dijetarëve shqiptaro-amerikanë”, Eleni Karamitiri. 1997.,fq.13, 45.