Niko Kacalidha -Përtej kufijve të etnicitetit. Përmasat pannjerëzore të një poezie
Çapajev Gjokutaj
Hyrje: Dilema lojcake e përkatësisë
Kur nis të flasësh për poezinë e Niko Kacalidhës, jo rrallë rrezikon të mbetesh në një udhëkryq: real nëse i sheh gjërat në sipërfaqe, por disi i stisur nëse hyn në thellësi. Ky rrezik vjen duke kaluar mbi dilemën: kemi të bëjmë me një poet grek apo shqiptar? Nëse mbetesh gjatë duke hamendësuar këtë thjeshtëzim etnokulturor, rrezikon të reduktosh përmasat reale të artit të tij. Vendlindja e poetit, Leshnica buzë kufirit, dhe dy gjuhët me të cilat u mëkua dhe u formua, greqishtja dhe shqipja, nuk shërbejnë si ndarëse, por shfaqen si pika nisjeje.
Kacalidha nuk është rasti i poetit që e ndan veten përgjysmë mes dy etnive, dy gjuhëve dhe dy kulturave. Përkundrazi, me talent, elegancë dhe punë të pandërprerë, të shtrirë në më shumë se gjysmë shekulli, ka arritur të krijojë një hapësirë të tretë, ku dija e përthithur gjatë shkollimit në shqip, peizazhi dhe tradita e vendlindjes, memoria helene dhe drita mesdhetare bashkëjetojnë organikisht. Në themel të vargut të Kacalidhës shtrihet një nënshtresë pannjerëzore; elementi etnik, grek apo shqiptar qoftë, përbën thjesht lëndën e parë, ndërsa mesazhet prekin thellësi universale dhe ekzistenciale: dhimbjen, kohën, mallin, si dhe përballjen e zhveshur me vdekjen.
Ideja e hapësirës së tretë gjen bazë teorike në një koncept të përpunuar nga Homi Bhabha, profesor i letërsisë së krahasuar në Harvard. Studiuesi argumenton se takimi i dy kulturave në zonat kufitare lind një zonë të re të ndërmjetme, ku identitetet e ngurta kombëtare humbasin ekskluzivitetin.
Gjithsesi, kjo hapësirë e tretë nuk krijohet spontanisht dhe në çdo rast; ajo nuk është një produkt mekanik i gjeografisë. Që ky territor i ndërmjetëm të kthehet në ligjërim poetik, kërkohet, mbi të gjitha, një orientim i vetëdijshëm drejt vlerave humane. Përmes këtij orientimi shpirtëror, Kacalidha arrin të ngrihet mbi kuadratet kontrastuese dhe shpesh antagoniste të kulturave etnike, duke e kthyer hibriditetin e kufirit në një shtëpi të përbashkët të emocionit dhe të amshimit njerëzor.
Ndërtimin e kësaj shtëpie të përbashkët do ta gjurmojmë duke u kufizuar vetëm në dy rrafshe: mitologjik dhe fetar, rrafshe këto ku logjika e do që elementi grek të zërë vendin e kreut.
Miti si urë drejt arketipeve humane
Kur sheh në tërësi krijimtarinë poetike të Kacalidhës, të bie në sy se, me kalimin e viteve, u kthehet e u rikthehet më dendur motiveve të huazuara nga mitologjia antike greke. Një gjykim i shpejtë e sipërfaqësor mund të thoshte se kjo prirje është krejt e natyrshme: me kalimin e moshës njeriu priret natyrshëm t’u kthehet rrënjëve identitare. Edhe kjo mund të jetë një arsye, po kthimi dhe rikthimi i Kacalidhës te motivet mitologjike helene, më shumë se kërkim rrënjësh, më shumë se krenim me to, shfaqet si rrugë, si urë për të kaluar në mesazhe pannjerëzore dhe në mjete të sprovuara shprehëse.
Poeti nuk e përdor antikitetin si dekor të jashtëm apo si ushtrim erudicioni, por kërkon në të lëndë të parë humane, të ardhur nga agimet e qytetërimit europian, si dhe mjete shprehëse për ta bërë më ndikues ligjërimin poetik. Për të, Troja, Odiseu apo Polifemi e të tjerë janë pjesë e peizazhit të brendshëm shpirtëror. Ia ka ënda t’i zbresë perënditë dhe heronjtë në përditshmërinë e provincës, duke i humanizuar.
Ky kalim përmes urës së mitit realizohet përmes disa funksioneve të qarta estetike dhe ekzistenciale. Në disa raste, miti funksionon si një maskë dinjitoze që i lejon poetit të shprehë traumat e tij më intime, pa rënë në patetizëm personal. Kjo maskë, megjithatë, nuk shërben për të fshehur, por për të zbuluar njeriun e zhveshur nga dekori epik.
Apeli i tij ndaj figurës së Odiseut nuk bëhet për të lartësuar mbretin apo strategun homerik, por për të sjellë arketipin e shtegtarit të vetmuar. Te poezia “Odiseu”, heroi reduktohet në ekzistencën më ekstreme fizike: “Unë, Odiseu mbi një gur, përballë Itakës sime”. Froni i pushtetit zëvendësohet nga guri stoik, ndërsa manteli mbretëror kthehet në një rreckë që kohërat e egra e shqyejnë përditë. Përmes kësaj zhveshjeje mitike, poeti gjen gjuhën për të folur për mërgimin dhe mbijetesën e njeriut të brigjeve tona.
Në raste të tjera, rishkrimi i mitit shërben për të krijuar një atemporalitet, çlirim nga verigat e kohës. Duke e zhvendosur dramën e brigjeve jashtë kohës lineare, poeti e mbron vargun nga vjetrimi dhe i jep kontekstit lokal një pasaportë universale. Rreziku i rrugës dhe tmerri i ngushticave të jetës nuk janë më ngjarje kronike të një epoke, por ligje të përhershme të fatit njerëzor.
Këtë atemporalitet e shohim të gdhendur te poezia “Itaka e zemrës (Hija e Homerit)”. Kacalidha i merr monstrat e tmerrshme tremijëvjeçare, Skilën dhe Karibdën, dhe i përshkruan me një saktësi pothuajse anatomike, jo për hir të perceptimit pamor, por për të bërë një përgjithësim filozofik: tmerret e historisë që na pengojnë të kthehemi në shtëpi janë thjesht elemente të ngrira, një Karibdë “me zemerek të prishur”. Kapërcimi i këtyre ngushticave ekzistenciale nuk bëhet duke u izoluar apo duke mbyllur veshët me dyllë, por përmes zgjimit të kujtesës: është “tymi i magjishëm i oxhakut të shtëpisë” ai që mposht panikun dhe na mban të lidhur me vendlindjen.
Miti ofron gjithashtu një elasticitet të jashtëzakonshëm për rimarrje, rishkrim, madje edhe përmbysje etike, duke i lejuar poetit modern të dialogojë si i barabartë me të vjetrit. Kacalidha hyn në tekstet klasike jo si adhurues pasiv, por synon dhe arrin të bëjë ndërhyrje kirurgjikale në moralin e tyre luftarak.
Ky funksion kulmon në poezitë e tij kushtuar luftës së Trojës. Te “Me siguri Paridi s’e ka puthur…” ai çmonton tërë solemnitetin e epopesë homerike, duke e reduktuar luftën dhjetëvjeçare në një kaos a gjullurdi të përgjakshme dhe absurde, ku gjithë ai gjak u derdh sepse u harrua dashuria. Ndërsa te poezia “Muret e Trojës”, poeti merr rolin e arkitektit të historisë dhe shpall se faji i vërtetë i tragjedisë ishin muret e larta që izoluan bukurinë: “Këto mure, po t’i bëja unë, medoemos që s’do të qenë / kaq të lartë. / Duhej patjetër që të shihej prej të gjithëve Helena. / Dhe kishit për ta parë, s’do të vriste bukuria”.
Përmes utopish të tilla retroaktive, Kacalidha përmbys klishetë antike dhe dëshmon se bukuria vret vetëm kur paranoja njerëzore dhe institucionet tentojnë ta rrethojnë, ta izolojnë dhe ta kthejnë në pronë.
Së fundi, miti pranon dhe mban brenda vetes kontradiktat e thella humane. Miti antik nuk moralizon me skema të ngrira, por e pasqyron njeriun në të gjithë lakuriqësinë e tij tragjike, ashtu siç është: një lëmsh ekzistencial. Për poetin, kjo urë mitologjike shërben për të treguar se shpresa dhe fataliteti, vdekja dhe kurbani, bashkëjetojnë në të njëjtën hapësirë.
Shtegtari i Kacalidhës nuk kërkon rezultate triumfale. Atij, në fund të çdo rreziku, i mjafton një mjet minimal, një dërrasë e thjeshtë shprese, për të treguar se njeriu, edhe i zhveshur nga gjithçka, mbetet i paepur për sa kohë ruan vullnetin për t’u kthyer te rrënjët.
Nga religjioni tek estetika
Në poezinë e Kacalidhës, motivet biblike dhe leksiku fetar shndërrohen në lëndë estetike dhe mjete për të shprehur përvoja ekzistenciale. Ky shndërrim ndjek dy rrugë kryesore: huazimin e termave dhe simboleve fetare, si dhe rishkrimin e ngjarjeve e personazheve biblike në një kontekst të ri njerëzor. Në të dyja rastet, lënda religjioze nuk mbetet e mbyllur në kuptimet e saj tradicionale, por bëhet pjesë e përfytyrimit vetjak të poetit.
Në qasjen e parë, poeti i shkëput termat liturgjikë nga funksioni i tyre ritual dhe i vendos në shërbim të ndjenjave njerëzore, erotikës dhe peizazhit. Kështu, toponimet e vuajtjes biblike mund të shprehin skajshmërinë e përjetimit erotik, siç dëshmohet që në titullin e poezisë “Golgota e gjinjve”.
E njëjta liri në përdorimin e fjalorit fetar shtrihet edhe në përfytyrimin e natyrës, por këtu zhvendosja merr një trajtë tjetër. Te poezia “Epifania e hënës”, kandili fiket dhe vaji i asketit mbaron, por errësira nuk e pushton peizazhin: hëna ndizet në qiell dhe zë vendin e dritës së shuar. Imazhi liturgjik shndërrohet kështu në një përfytyrim poetik të natyrës, ku drita vazhdon të ekzistojë edhe pasi burimi i saj ritual është shteruar.
Nëse në kësi rastesh poeti përvetëson kryesisht fjalorin dhe simbolikën fetare, në një qasje të dytë ndërhyrja bëhet më e thellë: ajo prek vetë ngjarjet dhe personazhet biblike. Kacalidha i rishkruan ato, duke i vendosur në gjeografinë e vendlindjes dhe në historinë familjare. Te “Krishti u kryqëzua në Leshnicë”, autoriteti i Ungjillit kanonik zëvendësohet nga kujtesa gojore e gjyshes.
Ky jetësim i historisë së shenjtë në një vend dhe kohë konkrete i jep poezisë edhe një përmasë sociopolitike, duke lidhur kryqëzimin e Krishtit me dramën e izolimit dhe vuajtjes shpirtërore të krahinës nën regjimin totalitar. Brenda kësaj historie të riaktualizuar, figurat e shenjta identifikohen me të parët e autorit: stërgjyshi merr mbi shpinë peshën e kryqit, ndërsa gjyshja kthehet në arketipin e dhimbjes amëtare. Kështu, kuja shqiptare a ballkanike dhe borziloku i ritualit shtëpiak shkrihen me ikonografinë bizantine.
Lokalizimi i historisë biblike nuk kufizohet, megjithatë, te kujtesa familjare dhe drama historike. Ai shtrihet edhe në marrëdhënien e njeriut me vendin ku jeton. Te “Ati ynë që je në brigje”, lutja e njohur e krishterë zhvendoset nga qielli drejt peizazhit mesdhetar: “Ati ynë që je në qiell dhe tani zbrite në brigje, / bekoftë dora jote tempujt e ullinjve…”.
Në këtë përfytyrim, ullinjtë dhe brigjet e Jonit nuk janë vetëm shenja të një vendi konkret, por marrin edhe kuptimin e tempujve. E shenjta nuk mohohet; ajo afrohet me jetën e përditshme dhe me tokën ku njeriu jeton, gëzon e vuan.
Por afrimi i së shenjtës me jetën tokësore nuk ka vetëm funksionin e lartësimit të vendlindjes. Ai i jep edhe vuajtjes njerëzore një horizont shprese. Ndryshe nga fataliteti që mbizotëron në disa prej rimarrjeve të miteve antike, simbolika e krishterë i jep poezisë së Kacalidhës edhe perspektivën e ringjalljes. Vuajtja nuk mbetet vetëm tragjike; ajo mbart mundësinë e shpëtimit. Këtë e shpreh mbyllja e poezisë për Leshnicën: “Krishti u kryqëzua në Leshnicë. / Dhe në Leshnicë do të ringjallet së vdekuri, / sipas Ungjillit të gjyshes.” Vuajtja historike merr kështu një dritë shprese.
Ideja e ripërtëritjes, e lidhur këtu me fatin e njeriut dhe të vendlindjes, gjen një shprehje tjetër në botën bimore. Te “Të katër ungjijtë e plepit”, marrëdhënia mes botës biblike dhe natyrës ndërtohet përmes vetë ciklit të jetës së drurit. Katër ungjijtë shndërrohen në katër faza të ekzistencës së tij. Plepi i zhveshur në dimër merr trajtën e kryqit, ndërsa më pas bëhet një qiri i gjallë që ngrihet drejt qiellit. Këtu simbolika fetare nuk shërben thjesht për të lartësuar peizazhin, por për t’i dhënë ndryshimit të stinëve kuptimin e një drame të vazhdueshme të jetës, qëndresës dhe ripërtëritjes.
Nga këta shembuj del se materia religjioze, edhe kur ruan gjurmët e traditës bizantine dhe ortodokse, nuk e mbyll poezinë e Kacalidhës në një përkatësi të vetme kulturore. Përkundrazi, hyn në marrëdhënie me hollësi të përditshmërisë moderne. Kjo ndërthurje merr një trajtë veçanërisht të lirë te “Epifania e hënës”, ku të vdekurit dalin te sopi i prillit të lexojnë nën dritën e hënës certifikatën e tyre të vdekjes.
Nga Golgota e trupit te kryqëzimi i Leshnicës, nga lutja mes ullinjve te ungjijtë e plepit, Kacalidha e zhvendos të shenjtën nga hapësira e kultit në përvojën e jetuar. Krishti bëhet bashkëvuajtës i njerëzve të vendlindjes, natyra merr gjuhën e liturgjisë, ndërsa personazhet biblike bashkëjetojnë me heronjtë antikë dhe njerëzit e zakonshëm. Në këtë ndërthurje, poeti nuk i mohon rrënjët fetare e kulturore të simboleve, përkundrazi, i bën ato të flasin përtej përkatësive. E shenjta nuk shërben më për të dalluar një bashkësi nga një tjetër, por për të zbuluar atë që njerëzit kanë të përbashkët.
***
Prirja për të kapërcyer kufizimet e përkatësive kundërvenëse shfaqet edhe në motive e tipare të tjera të poezisë së Kacalidhës. Krahas mitit dhe lëndës biblike, këto kontribuojnë në krijimin e hapësirës së tretë, ku përvojat e vendlindjes hapen drejt një bote pannjerëzore. Pa synuar një analizë të detajuar, po listoj disa prej tyre.
Drurët, gurët, lulet dhe erërat marrin pjesë në fatin e njeriut, duke vuajtur, kujtuar dhe qëndruar bashkë me të. Peizazhi i vendlindjes bëhet kështu një hapësirë e përbashkët e jetës dhe e ndjeshmërisë, ku lidhja me tokën merr kuptim përtej përkatësive lokale dhe ideologjike.
Puthja, drithërima dhe dëshira e lidhin njeriun me një përvojë që mund të njihet nga gjithkush, pavarësisht gjuhës, etnisë apo besimit. Shkrirja e trupit të dashur me hënën, burimet dhe lëndinat e zgjeron këtë afërsi në një bashkim me botën, duke i dhënë hapësirës së tretë përmbajtje shqisore dhe intime.
Gjyshja, babai dhe biri e rrënjosin poezinë në një histori familjare konkrete, ndërsa dashuria, plakja dhe humbja e bëjnë atë të afërt edhe për lexuesin e një kulture tjetër. Te “Këpucët”, për shembull, marrëdhënia mes atit dhe birit krijon një pikë takimi njerëzore, ku kujtesa e një familjeje mund të zgjojë kujtesën e shumë të tjerave.
Përfytyrimi ëndërror dhe shndërrimet poetike krijojnë ndjesinë e diçkaje sa lokale, aq edhe universale. Në penën e Kacalidhës, hëna bëhet shtëpi, trup, unazë apo gjeth, ndërsa sendet e përditshme hyjnë në marrëdhënie të pazakonta me gjithësinë. Kjo liri e përfytyrimit krijon një botë me lidhje dhe kuptime të reja, ku elementet e vendlindjes çlirohen nga kufijtë e tyre të zakonshëm dhe marrin pjesë në një hapësirë që i përket përvojës poetike dhe, më gjerë, asaj humane.
4. Shtatorja e poetit
Krijimi i kësaj hapësire të tretë nuk është kurrsesi mohim i lidhjeve dhe ndërvarësive me dy gjuhët dhe dy kulturat. Kacalidha u rrit me poezinë greke dhe shqiptare, duke u mëkuar me thesaret e të dyja traditave. Drita dhe përfytyrimi i lirë i Elitisit, trishtimi i Seferisit, thellësia njerëzore e sendeve të zakonshme te Ricosi, muzikaliteti i Lasgushit dhe lirizmi i përkorë i Fatos Arapit gjetën tek ai një ndjeshmëri që dinte të merrte e të përpunonte sipas natyrës së vet. Leximet u bashkuan me përvojat e jetës dhe me pasurinë e dy gjuhëve, duke e ndihmuar të njihte më thellë veten dhe të gjente shprehjen e saj poetike. Kështu, në bashkëjetesë krijuese me të dyja kulturat, ai zbuloi thelbin e vet njerëzor e poetik dhe, përgjatë dekadave, latoi prej tij shtatoren e një poeti me zë e fytyrë të dallueshme.
Kjo e bën marrëdhënien e Kacalidhës me dy kulturat të dyanshme, por mbase jo simetrike. Nëse pjesa më e madhe e krijimtarisë dhe e botimeve të tij është në shqip, atëherë shqipja mund të konsiderohet mjedisi kryesor ku është formuar e është shprehur individualiteti i tij poetik. Jo vetëm kaq, shqipja mbetet parësore edhe në rrafshin e receptimit, se ngjan të jetë më e gjerë si hapësirë e takimit me lexuesin./exlibris.al