SHËNDETËSIA SHQIPTARE DHE KOSOVARE – NJË STRATEGJI E PËRBASHKËT PËR SIGURINË KOMBËTARE
Saimir Kadiu
Dy shtete, një komb, një përgjegjësi strategjike për shëndetin e qytetarëve.
Ekzistojnë fusha ku bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të matet me protokolle, vizita zyrtare apo marrëveshje të përgjithshme diplomatike. Shëndetësia është njëra prej tyre. Madje, ndoshta, një nga fushat ku bashkëpunimi mes dy shteteve shqiptare mund të prodhojë përfitimet më konkrete, më të prekshme dhe më afatgjata për kombin.
Shqipëria dhe Kosova kanë dy sisteme shëndetësore të organizuara veçmas, dy administrata, dy skema financimi dhe dy struktura spitalore. Por kanë të njëjtin kapital njerëzor, të njëjtën gjuhë profesionale, sfida të ngjashme demografike dhe epidemiologjike, si dhe një nevojë të përbashkët për të ndërtuar shërbime shëndetësore më cilësore, më të aksesueshme dhe ekonomikisht më racionale.
Pyetja nuk është nëse duhet të bashkëpunojnë, por sa larg mund të shkojnë në këtë bashkëpunim.
Ideja themelore duhet të jetë krijimi i një hapësire të përbashkët shqiptare të zhvillimit shëndetësor, pa cenuar sovranitetin dhe përgjegjësitë institucionale të secilit shtet.
1. Fakultetet e Mjekësisë – një hapësirë e përbashkët akademike
Bashkëpunimi duhet të fillojë nga formimi i brezave të rinj të mjekëve.
Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Tiranës dhe Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës mund të krijojnë një platformë të përbashkët akademike, me:
● Programe të përbashkëta Master dhe doktorature.
● Shkëmbime të studentëve, pedagogëve dhe stafit akademik.
● Programe të përbashkëta specializimi dhe subspecializimi.
● Komisione të përbashkëta për standardet e edukimit mjekësor.
● Njohje dhe harmonizim të krediteve, praktikave klinike dhe kualifikimeve profesionale.
● Konferenca shkencore dhe botime të përbashkëta.
Një objektiv i rëndësishëm do të ishte krijimi i një Kolegji Akademik Shqiptar të Shkencave Mjekësore, si një strukturë bashkëpunimi ndëruniversitar, jo domosdoshmërisht një institucion i ri administrativ.
Kjo do të krijonte një treg më të gjerë akademik, do të rriste cilësinë e formimit profesional dhe do të ndihmonte në mbajtjen e talenteve të reja brenda hapësirës shqiptare.
2. Rrjetet spitalore – nga konkurrenca institucionale te plotësimi i kapaciteteve
Një nga gabimet që duhet shmangur është ideja se secili shtet duhet të ndërtojë çdo shërbim të mundshëm, pavarësisht kostos, numrit të pacientëve dhe kapaciteteve njerëzore.
Në mjekësinë moderne, cilësia nuk përcaktohet nga numri i ndërtesave spitalore, por nga përqendrimi i ekspertizës, teknologjia, përvoja klinike dhe rezultatet e trajtimit.
Shqipëria dhe Kosova mund të ndërtojnë një rrjet të koordinuar spitalor, ku disa shërbime të specializuara zhvillohen si qendra reference për të gjithë pacientët shqiptarë.
Për shembull:
● Kardiokirurgjia dhe ndërhyrjet komplekse kardiovaskulare.
● Onkologjia dhe radioterapia.
● Neurokirurgjia dhe trajtimi i sëmundjeve neurologjike komplekse.
● Transplantet dhe kirurgjia e avancuar.
● Hematologjia dhe trajtimi i sëmundjeve të rralla.
● Mjekësia e avancuar e imazherisë dhe diagnostikimi molekular.
● Trajtimi i djegieve të rënda dhe traumatologjia komplekse.
● Hemodializa
Kjo nuk do të thotë që njëri shtet t’ia delegojë përgjithmonë tjetrit një shërbim, por që kapacitetet të zhvillohen aty ku ekzistojnë ekspertiza, infrastruktura dhe volumi i nevojshëm i pacientëve.
QSUT në Tiranë dhe QKUK në Prishtinë duhet të jenë dy shtyllat kryesore të këtij bashkëpunimi, të mbështetura nga spitalet rajonale dhe universitetet përkatëse.
Parimi: pacienti duhet të marrë shërbimin më të mirë të mundshëm, jo domosdoshmërisht në shtetin ku banon.
3. Kërkimi shkencor – krijimi i një fondi të përbashkët
Kërkimi shkencor është një fushë ku bashkëpunimi mund të ketë vlerë të jashtëzakonshme.
Të dy vendet përballen me sfida të ngjashme: sëmundjet kardiovaskulare, kanceri, diabeti, sëmundjet pulmonare, shëndeti mendor, plakja e popullsisë dhe emigrimi i personelit shëndetësor.
Pse të mos krijohet një Fond i Përbashkët Shqiptar për Kërkimin Shkencor në Shëndetësi?
Ky fond mund të financojë:
● Studime epidemiologjike dhe klinike të përbashkëta.
● Regjistra kombëtarë dhe të integruar për kancerin, sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet e rralla.
● Laboratorë referencë dhe kërkime gjenetike.
● Projekte për inteligjencën artificiale në diagnostikim.
● Studime mbi ekonominë e shëndetësisë dhe efektivitetin e shpenzimeve publike.
● Aplikime të përbashkëta në programet evropiane të kërkimit shkencor.
Një mundësi veçanërisht e rëndësishme do të ishte krijimi i një fondi të posaçëm për kualifikimin e mjekëve dhe profesionistëve të shëndetësisë në qendra ndërkombëtare ekselence.
Ky fond dhet të financojë bursa për specializime dhe fellowship-e në institucione si Karolinska Institutet, Johns Hopkins, Harvard Medical School, Charité Berlin, Oxford dhe qendra të tjera të njohura ndërkombëtarisht.
Por investimi nuk duhet të përfundojë me marrjen e diplomës apo certifikatës. Përfituesit duhet të kenë një program të qartë rikthimi, transferimi të njohurive dhe zhvillimi të shërbimeve në Shqipëri dhe Kosovë.
Një mjek i specializuar në një qendër ekselence ndërkombëtare është një investim që mund të shpëtojë mijëra jetë gjatë karrierës së tij.
4. Racionaliteti ekonomik dhe ndarja e specializuar e shërbimeve
Kjo është ndoshta një nga fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit.
Të dy vendet kanë buxhete të kufizuara, nevoja në rritje dhe një numër jo gjithmonë të mjaftueshëm specialistësh. Në këto kushte, dyfishimi i investimeve për të njëjtat teknologji, pajisje dhe shërbime me volum të ulët mund të mos jetë zgjidhja më racionale.
Duhet të kalohet nga logjika e investimeve të izoluara kombëtare te planifikimi i përbashkët i kapaciteteve.
Kjo nënkupton:
● Analizë të përbashkët të nevojave shëndetësore të popullsisë.
● Vlerësim të kostos dhe efektivitetit të teknologjive mjekësore.
● Prokurime të koordinuara për barna dhe pajisje mjekësore, kur është e leverdishme.
● Standarde të përbashkëta për cilësinë dhe sigurinë e pacientit.
• Protokolle klinike të harmonizuara.
• Sisteme të koordinuara referimi dhe transferimi të pacientëve.
• Shkëmbim të të dhënave shëndetësore, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Një rëndësi të veçantë do të kishte edhe koordinimi i politikave farmaceutike, vlerësimi i teknologjive shëndetësore dhe negocimi i çmimeve për barna shumë të kushtueshme.
Këtu bashkëpunimi nuk është vetëm çështje solidariteti kombëtar. Është edhe një instrument i mirëfilltë i menaxhimit financiar dhe i rritjes së eficiencës së sistemit shëndetësor.
5. Të dhënat shëndetësore – një bazë për vendimmarrje të përbashkët
Përpara se të ndërtojmë një strategji, duhet të njohim realitetin e dy sistemeve. Disa tregues japin një ide të qartë për përmasat dhe sfidat e tyre.
Shqipëria – treguesit kryesorë
• 42 Spitale publike (2026)
• 52 Spitale publike dhe private, sipas të dhënave më të fundit të raportuara
• 22.7 Mjekë për 10.000 banorë (2025)
• 9,000 Shtretër spitalorë publik(2023)
• 290 shtreter per 100,000 banore
• 2.363.314 Popullsia (1 janar 2025)
• 2.87% Shpenzime publike shëndetësore ndaj PBB-së, (Buxheti 2027)
• 935 mln € (84.2 miliard leke; Buxheti shëndetësor, 2027)
• 48.3% Shpenzime nga xhepi, sipas INSTAT
Kosova – treguesit kryesorë
• 19 Mjekë për 10.000 banorë ( 2025)
• 236 shtreter per 100,000 banore
• 358,8 mln € Buxheti shëndetësor (2025)
• 3.9% Buxheti shëndetësor ndaj PBB-së (2025)
• 9.8% kundrejt Buxhetit te shtetit (2024)
• 1.068 Mjekë në kujdesin parësor, sipas vlerësimit të OBSH-së
• 46.4% Shpenzime nga xhepi, sipas treguesit rajonal (2025)
• 40% Vlerësim i barrës së pagesave nga xhepi në raportin e KE-së
Një tregues tjetër që meriton vëmendje është numri i mjekëve. Të dhënat rajonale për vitin 2025 raportojnë 22,7 mjekë për 10.000 banorë në Shqipëri dhe 19 në Kosovë. Këto shifra dëshmojnë se të dy sistemet kanë nevojë për rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe për një politikë më të mirë të shpërndarjes së specialistëve.
Propozimi im: të krijohet një Observator Shqiptar i Shëndetësisë, me përfaqësues nga të dy vendet, i cili të publikojë çdo vit një raport krahasues mbi financimin, burimet njerëzore, infrastrukturën, aktivitetin spitalor, rezultatet klinike dhe aksesin e pacientëve.
Pa të dhëna të krahasueshme, nuk mund të ketë planifikim të përbashkët serioz.
6. Një fond i posaçëm për ekselencën profesionale
Do të ishte me rëndësi strategjike krijimi i një mekanizmi financiar të përbashkët, të cilin mund ta quanim:
Fondi Shqiptar për Ekselencën Mjekësore dhe Kërkimin Shkencor.
Ai mund të financohej nga:
• Kontribute të dedikuara të buxheteve të Shqipërisë dhe Kosovës.
• Mbështetja e diasporës shqiptare.
• Partneritete me fondacione dhe institucione ndërkombëtare.
• Projekte të Bashkimit Evropian dhe programe të tjera kërkimore.
• Kontribute të sektorit privat, me rregulla të qarta transparence.
Fondi duhet të ketë tri prioritete:
• Kualifikimin ndërkombëtar: bursa për mjekë, infermierë, farmacistë dhe studiues në qendra ekselence.
• Kërkimin shkencor: financimin e projekteve konkurruese, laboratorëve dhe studimeve klinike.
• Rikthimin e ekspertizës: krijimin e kushteve që profesionistët e kualifikuar jashtë vendit të transferojnë dijet dhe teknologjitë në institucionet tona.
Ky do të ishte një investim në kapitalin njerëzor, ndoshta më i rëndësishmi që mund të bëjnë dy shtetet për të ardhmen e tyre.
7. Shëndetësia si komponent i sigurisë kombëtare
Këtu qëndron, sipas meje, dimensioni më i rëndësishëm politik dhe strategjik i kësaj ideje.
Siguria kombëtare nuk përfaqësohet vetëm nga mbrojtja e territorit, ushtria, kufijtë apo aleancat ndërkombëtare. Ajo përfshin edhe aftësinë e një kombi për të mbrojtur jetën, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve të tij.
Një komb që nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të trajtuar sëmundjet e rënda, për t’u përballur me epidemitë, për të garantuar furnizimin me barna jetike dhe për të mbajtur specialistët e vet, ka një dobësi strategjike.
Pandemia COVID-19 e dëshmoi këtë në mënyrë dramatike.
Për Shqipërinë dhe Kosovën, koncepti i sigurisë shëndetësore duhet të përfshijë:
• Një mekanizëm të përbashkët për përballimin e emergjencave epidemiologjike.
• Koordinimin e kapaciteteve laboratorike dhe të survejancës epidemiologjike.
• Rezerva strategjike të barnave dhe pajisjeve mjekësore kritike.
• Bashkëpunim në mjekësinë ushtarake dhe shërbimet e urgjencës.
• Protokolle të përbashkëta për fatkeqësitë natyrore dhe emergjencat masive.
• Një strategji për parandalimin e emigrimit të pakthyeshëm të personelit mjekësor.
• Mbrojtjen e infrastrukturës digjitale dhe sistemeve të informacionit shëndetësor.
Në këtë këndvështrim, shëndetësia duhet të konsiderohet jo vetëm një sektor social, por një komponent i sigurisë kombëtare dhe i qëndrueshmërisë strategjike të kombit shqiptar.
8. Si mund të institucionalizohet ky bashkëpunim?
Për të mos mbetur një ide e bukur në letër, propozoj një mekanizëm konkret:
Krijimin e Këshillit Ndërqeveritar Shqiptaro-Kosovar për Bashkëpunimin Strategjik në Shëndetësi.
Ky këshill mund të përfshijë ministritë e shëndetësisë, universitetet, spitalet universitare, institucionet e sigurimit shëndetësor dhe agjencitë e shëndetit publik të të dy vendeve.
Do të ishte e arsyeshme që bashkëpunimi të zhvillohej në tri faza:
2027: Marrëveshja strategjike, analiza e përbashkët dhe identifikimi i shërbimeve prioritare.
2028–2029: Rrjeti i referimit spitalor, fondi i bursave dhe projektet e kërkimit shkencor.
2030: Konsolidimi i hapësirës së përbashkët akademike, klinike dhe shkencore.
Një marrëveshje e tillë duhet të përcaktojë edhe financimin, përgjegjësitë, standardet e cilësisë, njohjen e kualifikimeve, mbrojtjen e të dhënave dhe mënyrën e rimbursimit të shërbimeve ndërkufitare.
Nuk kërkohet bashkimi administrativ i dy sistemeve shëndetësore. Kërkohet koordinimi i tyre aty ku interesi i qytetarëve e bën të domosdoshëm.
9. Një vizion përtej kufijve administrativë
Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar dy shtete, dy administrata dhe dy sisteme të veçanta shëndetësore. Ky është një realitet institucional që duhet respektuar.
Por kufijtë administrativë nuk duhet të shndërrohen në kufij të dijes, të ekspertizës mjekësore apo të solidaritetit njerëzor.
Do të ishte një paradoks që dy vende me të njëjtën gjuhë, me një histori të përbashkët dhe me një potencial të konsiderueshëm intelektual, të vazhdonin të investonin të ndara në pajisje të kushtueshme, laboratorë, specialitete të rralla dhe programe kërkimore, ndërkohë që mund të përfitonin shumë më tepër përmes koordinimit.
Nuk është fjala që Shqipëria t’i japë Kosovës apo Kosova Shqipërisë. Është fjala që të dyja t’i japin më shumë njëra-tjetrës dhe, mbi të gjitha, qytetarëve të tyre.
Mendoj se një strategji e tillë duhet të ketë një emër domethënës: “Hapësira e Përbashkët Shqiptare e Shëndetit”.
Ajo do të ishte një formë moderne e bashkëpunimit kombëtar, ku universitetet prodhojnë dije, spitalet ndajnë ekspertizën, kërkimi shkencor krijon mundësi të reja, financat publike përdoren me racionalitet dhe profesionistët tanë gjejnë arsye për të qëndruar, për t’u zhvilluar dhe për të kontribuar në vendet e tyre.
Dhe ndoshta këtu qëndron mesazhi më i rëndësishëm:
Një komb nuk mbrohet vetëm duke garantuar kufijtë e tij. Ai mbrohet edhe duke garantuar jetën e njerëzve që jetojnë brenda tyre.
Shëndetësia shqiptare dhe kosovare duhet të jetë një prej shtyllave të kësaj sigurie.
Sepse, në fund të fundit, Shqipëria dhe Kosova mund të kenë dy buxhete, dy ministri dhe dy sisteme shëndetësore, por kanë një përgjegjësi të përbashkët: shëndetin dhe të ardhmen e kombit shqiptar.