Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: FSK-ja, shtylla e sigurisë së Kosovës


Në prag të Ditës së Forcës, Forca e Sigurisë së Kosovës po dëshmon pjekurinë e një ushtrie moderne dhe të gatshme për sfidat e reja.
Në prag të shënimit të Ditës së Forcës, më 27 nëntor, kur kazermat ushtarake në mbarë vendin hapin dyert për qytetarët, Forca e Sigurisë së Kosovës po hyn në një fazë të re të konsolidimit të saj ushtarak. Rrugëtimi i nisur vite më parë po merr tashmë përmasa të qarta strategjike, të mbështetura në investime konkrete dhe në modernizim të vazhdueshëm. Projektbuxheti prej mbi 224.1 milionë eurosh i parashikuar për vitin 2027, më i larti në historinë e Ministrisë së Mbrojtjes, tregon qartë se siguria e vendit është vendosur në krye të prioriteteve institucionale.
Kjo rritje buxhetore po materializohet në ngritjen e kapaciteteve luftarake dhe operacionale. Demonstrimi i fundit i aftësive goditëse në poligonin e Bizës në Shqipëri, ku njësitë e FSK-së operuan me automjetet e blinduara “Vuran” dhe sistemet e mortajave “Alkar”, pasqyron një avancim të dukshëm drejt standardeve më të larta të mbrojtjes. Krahas pajisjes me armatim bashkëkohor nga aleatët strategjikë, Kosova ka nisur të hedhë hapat e parë edhe drejt inovacionit në industrinë e mbrojtjes. Një sinjal të ri në këtë drejtim dha edhe kompania kosovaro-amerikane STRIDAR, e cila i dhuroi FSK-së robotin e parë ushtarak të prodhuar në Kosovë.
Megjithatë, themeli i vërtetë i çdo ushtrie mbetet kapitali njerëzor dhe bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Betimi i 515 rekrutëve të rinj këtë vjeshtë, kontingjenti më i madh i regjistruar deri më sot, vërteton vullnetin e lartë të rinisë për t’i shërbyer atdheut. Në të njëjtën kohë, finalizimi i kontratës trevjeçare për sigurimin shëndetësor dhe aksidental të pjesëtarëve përbën një hap të domosdoshëm drejt trajtimit me dinjitet të ushtarakëve. Në rrafshin ndërkombëtar, pjesëmarrja në stërvitje të ndërlikuara fushore, si “Valor Shield 2026”, përkrah forcave të Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Kroacisë, konfirmon se FSK-ja po profilizohet si një forcë e besueshme për sigurinë kombëtare dhe rajonale.
Procesi i ngritjes së kapaciteteve mbrojtëse mbart pashmangshëm edhe përgjegjësi të shtuara, të cilat kërkojnë disiplinë të lartë dhe kujdes të vazhdueshëm për masat e sigurisë gjatë stërvitjeve, sikurse na kujtoi edhe incidenti i fundit në Babaj të Bokës. Megjithatë, drejtimi i përgjithshëm mbetet i qartë: me planifikim strategjik, me investime të matura dhe me partneritet të palëkundur me aleatët euroatlantikë, Forca e Sigurisë së Kosovës po ngrihet me hapa të sigurt si garancia kryesore e paqes dhe e stabilitetit të shtetit.