Wendt: Rritja e bizneseve amerikane dhe krijimi i mundësive në Shqipëri ecin bashkë
Asambleja e Përgjithshme e Dhomës Amerikane të Biznesit bëri bashkë komunitetin e biznesit dhe përfaqësues të lartë institucionalë shqiptare e amerikane në vendin tonë.
Në asamble mori pjesë edhe Ambasadori i SHBA-së, Eric Wendt, i cili dha një mesazh të qartë. Ambasadori kërkoi që të krijohen kushte të barabarta konkurrence, të vendosen lidhje mes kompanive amerikane dhe atyre shqiptare dhe të investohet te gjenerata e re e Shqipërisë.
Sipas ambasadorit: “Rritja e bizneseve amerikane dhe krijimi i mundësive në Shqipëri ecin bashkë”.
Kujtojmë se edhe gjatë një takimi të zhvilluar ditën e djeshme me kreun e SPAK, Klodian Braho dhe me kreun e BKH së, Joni Keta, Wendt ka theksuar se bizneset amerikane duan të investojnë në Shqipëri, por kërkojnë besim te respektimi i kontratave, tenderët të jenë të drejtë, dhe askush të mos jetë mbi ligjin.
“Kompanitë amerikane dëshirojnë të investojnë në Shqipëri, në sektorët e energjisë, infrastrukturës, turizmit dhe teknologjisë. Bizneset amerikane do të vijnë kur të kenë besim se kontratat respektohen, tenderët janë të drejtë dhe sistemi i drejtësisë garanton zbatimin e barabartë dhe të paanshëm të ligjit për të gjithë. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Ligji duhet thjesht të zbatohet njësoj për të gjithë. Kur një tender manipulohet ose praktikat ligjore apo të biznesit janë të korruptuara, konkurrenca nuk është e barabartë dhe ofertuesi amerikan tërhiqet. Kur ky investitor largohet, Shqipëria humbet vende pune dhe sakrifikon mundësitë për rritje ekonomike”, bëri me dije ambasada.