Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Gjika: “Heraldikët e borës” i Niko Kacalidhës

Ka libra që i lexon dhe ka libra që, pa e kuptuar, të hapin një dritare të re nga e cila e sheh botën.

“Heraldikët e borës” i Niko Kacalidhës, mikut të nderuar, është një nga këta libra.

Në këtë përmbledhje të gjërë, që përshkon kohë të ndryshme të krijimtarisë së tij, më ka tërhequr mbi të gjitha mënyra se si Niko-ja e bën natyrën të flasë me gjuhën e shpirtit. Deti, guri, ulliri, bora, hëna, bari, zogjtë, gjërat që i kemi pranë e që ndonjëherë i kalojmë pa i vënë re, në poezinë e tij marrin jetë, kujtesë, dhimbje e dritë. Ai e shndërron natyrën në vetë trupin e ndjenjës.

Ai nuk e përshkruan thjesht një peizazh; e bën të ndihet sikur e kemi jetuar. Nuk e shpall dhimbjen; e lë të shfaqet në një gur, në një varr, në një degë ulliri, në një shtëpi që ruan zërat e të munguarve.

Më pëlqen kjo lidhje e natyrshme në poezinë e tij mes Leshnicës dhe mitit, mes vendlindjes dhe botës së madhe, mes kujtesës njerëzore dhe përjetësisë. Dy gjuhët e tij poetike nuk duken si dy rrugë të ndara, por si dy burime që ushqejnë të njëjtin shpirt krijues. Leshnica, Saranda, ullinjtë, brigjet dhe shtëpia prindërore nuk mbeten vende të kufizuara gjeografikisht; ato hapen drejt Homerit, mitologjisë, historisë dhe përvojës njerëzore. Vendlindja është rrënja nga e cila rritet e gjithë bota poetike.

Dhe ndoshta kjo është dhurata më e bukur që na bën poezia e Nikos, magjia e tij e vërtetë:

– Të marrë diçka që e kemi parë të gjithë dhe të na bëjë ta shohim si për herë të parë.

– Aftësia për ta bërë dhimbjen figurë. Në vend që ta shpallë drejtpërdrejt, ai e vendos dhimbjen në një gur, në një varr, në një ulli, në një zog, në një shtëpi të braktisur. Kështu elegjia e tij nuk mbetet vajtim personal; bëhet kujtesë e përbashkët.

“Heraldikët e borës” nuk është vetëm një përmbledhje poezish të zgjedhura. Është gjerdani i një jete krijuese, ku çdo perlë ruan një copëz të botës së poetit dhe, në mënyrën e vet, edhe të botës sonë në tërësi.

Përmbledhja na lejon të shohim një poet që nis nga lirika e rinisë, nga dashuria, stinët dhe kujtimet, e që gradualisht e zgjëron botën e tij drejt një poezie më mitike, më të errët, më të ngarkuar me pyetje ekzistenciale. Kjo e bën librin jo vetëm një përzgjedhje poezish, por edhe një dëshmi të formimit dhe zhvillimit të një personaliteti poetik.

Mik i dashur Niko, faleminderit për këtë udhëtim të gjatë poetik, për këtë pasuri imazhesh e ndjesish, dhe për atë magji të rrallë që e bën jetën, përmes poezisë, të duket edhe më e thellë.

Suksese gjithmonë!