Albspirit

Media/News/Publishing

Vdes Johanna Neumann, gruaja hebraike që u strehua nga shqiptarët

Johanna Neumann, gruaja që i shpëtoi Holokaustit e strehuar dhe u mbrojtur nga shqiptarët dhe që luajti një rol të rëndësishëm në njohjen dhe vlerësimin e kontributit të Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, vdiq të mërkurën në moshën 86 vjeçare pranë Uashingtonit.

Ajo ishte e rrethuar nga bashkëshorti i saj prej 60 vjetësh, David, fëmijët dhe nipërit dhe mbesat e saj.

Në një njoftim të Muzeut të Holokaustit në Uashington, ku punonte zonja Neumann thuhej se jeta e jashtëzakonshme e saj ishte një testament i fitores së të mirës ndaj të keqes dhe se ajo preku jetët e mijëra njerëzve, duke rrëfyer historinë e jetës së saj për të frymëzuar të tjerët për një të ardhme më të mirë.

Johanna shkoi në Shqipëri së bashku me familjen e saj në vitin 1939 ku i mbijetoi holokaustit nazist, duke u strehuar nga disa familje, përfshirë familjen Pilku.

“Familja Pilku u ekspozua plotësisht për shkakun tonë. Gjermanët mund të kishin zbuluar se ne ishim hebrej dhe ata mund ta kishin pësuar. Nuk mund të gjenden dot fjalë për të lavdëruar të gjithë ata njerëz që shpëtuan hebrejtë me çdo çmim, përfshirë disa njerëz në qeverinë e ashtuquajtur kukull, si Mustafa Kruja, i cili ishte në dijeni të kësaj situate. E gjithë kjo diktohej nga Kanuni dhe nga Besa. Njerëzit kishin dhënë fjalën dhe fjala e dhënë nuk mund të kthehej. Ata e pohonin vetë: nëse të jap fjalën se do të të fsheh e do të të shpëtoj e nëse nuk e bëj këtë, atëherë do të turpërohem përpara vetes, përpara familjes dhe tërë fshati”, shprehej ajo në një intervistë për Zërin e Amerikës në janar të 2012.

Zonja Neumann, përmes punës së saj në Muzeun e Holokaustit, pjesëmarrjes dhe ndihmës për filmin “Besa” që ka në qendër mbrojtjen e hebrenjbe nga Shqiptarët, luajti një rol të madh në njohjen e kontributit të Shqipërisë në një periudhë të errët të historisë evropiane. Ajo u rikthye në Shqipëri për ta vizituar para disa vitesh.

Në një ceremoni në Uashington në vitin 2012, ku ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e nderoi veprimtaren Johanna Neumann, ajo foli për mirënjohjen e saj.

“Sa më shumë që mësoj dhe lexoj për krimet që ndodhën, aq më tepër ndjej detyrimin për t’i ngritur shqiptarët në piedestal sepse ajo që ata bënë ishte e jashtëzakonshme. Ata jetonin me një moral të lartë. Ata i treguan botës se kur njerëzit janë në nevojë, atyre u duhet dhënë ndihmë. Ajo që bën secili ka rëndësi. Çdo individ i veçantë që ka guximin për të bërë diçka për të ndihmuar një qënie tjetër njerëzore jep një kontribut të madh”, tha zonja Neumann.

Në vitin 2014, ajo u nderua me dekoratë nga Presidenti Nishani.

Johanna Neumann u lind në një familje tregëtarësh në Hamburg më 2 dhjetor 1930. Familja e saj u përpoq disa herë të merrte viza për të ardhur në Shtetet e Bashkuara, por nuk arritën që të gjithëve t’u jepej viza dhe kështu vendosën të qëndronin në Gjermani si familje.

Ata shkuan në Shqipëri në vitin 1939 ku qëndruan deri kur u çliruan nga aleatët në vitin 1945. Ata shkuan në Itali dhe në vitin 1946 ajo shkoi në Shtetet e Bashkuara me nënën e saj. Në vitin 1947 edhe i ati i saj u bashkua me familjen në Amerikë. Zonja Neumann jetonte në Silver Spring të Merilendit pranë Uashingtonit.

Please follow and like us: