Albspirit

Media/News/Publishing

T’i hiqet mandati!/Kosta sulmon Prokurorinë: S’lejoj të më përdhosni emrin!

Deputeti i Partisë Socialiste, Vladimir Kosta, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë në KQZ për heqjen e mandatit. Prokuroria kërkoi sot t’i hiqet mandati deputetit Kosta, pasi nuk ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit një dënim për armëmbajtje pa leje.

Në një reagim në rrjetet sociale, Kosta shkruan se është njohur me kërkesën e Prokurorisë nga mediat dhe se nuk mund të lejojë përdhosjen e emrit dhe imazhit.

Deputeti sqaron se ka harruar të shkruajë një formularë gjobën prej 10 mijë lekësh, duke e cilësuar këtë një gabim njerëzor.

Ja reagimi i plotë:

Keqardhje për përdorimin politik të institucioneve
Jam njohur sot nga media me një kërkesë që Prokuroria e Përgjithshme i ka bërë KQZ për mandatin tim. Nuk dua të bëj komente mbi punën e institucioneve ligjzbatuese, por nuk mund të lejoj të më përdhoset emri dhe imazhi im.
Rasti im është i njëjtë me atë të 19 deputetëve të tjerë që bënë shtesa në formularin e dekriminalizimit, pasi kishte kaluar afati ligjor. Në rastin tim kisha harruar një gjobë 10.000 lekë të marrë në vitin 2000. Ishte një gabim njerëzor dhe jo fshehje të dhënash. Më pas është çdo gjë e deklaruar. KQZ e mori një herë në shqyrtim formularin tim dhe nuk konstatoi shkelje.
Nuk e kuptoj ku do të dalë Prokuroria me këto flluska sapuni. Shtesa në formular bënë edhe mjaft deputetë tjerë dhe nuk pati asnjë kërkesë të tillë. Po për Sali Berishën etj, pse nuk kërkojnë heqje mandati?
Do ju kërkoja dhe mediave të ishin të kujdesshme kur shkruajnë se unë kam “fshehur” të dhënat në formular. Po postoj një kopje të dokumentit zyrtar që kam dorëzuar për tu treguar se Prokuroria ose nuk di ose nuk ka dashur ta lexojë.

Please follow and like us: